FEJA E ZHVILLON, POR EDHE E PENGON MUZIKËN - Kulturë - Kosova Sot
FEJA E ZHVILLON, POR EDHE E PENGON MUZIKËN

FEJA E ZHVILLON, POR EDHE E PENGON MUZIKËN

Pjesa dërmuese e muzikës ka lindur nga religjionet, gjatë praktikave ritualistike, por religjionet edhe kanë ndikuar që diku dhe ndonjëherë, të ndalet zhvillimi i disa formave të muzikës F eja është e lidhur me muzikën që nga fillet apo origjina e saj. Gjatë praktikave ritualistike, shamanët, priftërinjët, murgjit e muezinët, janë përpjekur ta shfrytëzojnë sa më shumë ritmin, vokalin, interpretimin, instrumentet muzikore, për të kaluar në 'trans', për transformime shpirtërore, për adhurim ndaj zotërave apo Zotit, për përkushtim, pendim, lutje, dëshira, devotshmëri, vajtime, falënderime etj.

FEJA ISLAME DHE MUZIKA

Nevoja për të mësuar, për të përjetuar dhe medituar rreth teksteve të Kuranit, si dhe fuqia e muzikës për të shprehur ndjenjat ndaj Zotit, nxiti edhe zhvillimin e muzikalitetit në recitimin e ajeteve apo vargjeve të librit të shenjtë. Për të nxitur sa më shumë besimtarë në pranimin e thirrjes për lutje (namaz), muezinët apo thirrësit në minaret e xhamive apo mesxhide, bënë që të mendojnë edhe thirrjen me vokalin më të ëmbël të ezanit. Por ka pasur qasje të ndryshme interpretuese të dijetarëve myslimanë rreth muzikës. Edhe sot e kësaj dite, muzika vazhdon të jetë debat polarizues në mes vetë myslimanëve, por edhe myslimanëve dhe të tjerëve jomyslimanë. "Abu Hamid al-Ghazali (1058-1111), një reformator i jashtëzakonshëm fetar, përcaktoi shtatë qëllimet për të cilat lejohet muzika (hallall) dhe të pesë rastet që nuk janë të lejuara (haram): Lejohet muzika: o Të ndjell dhe të kërkoj dashurinë e Allahut; o Të nxjerrim dashurinë dhe dëshirën për Allahun në rrethanat që lejojnë duke kënduar, duke luajtur me instrumente të lejuara; o Të shkaktojë vajtim dhe pikëllim - ky i fundit ka dy lloje: a) i dënueshëm b) i lavdërueshëm; o Të ngjall gëzim; o Për të inkurajuar pelegrinazhin, dhe vetëm për ato është e lejueshme; o Të nxitet për betejë; o Të frymëzojë guximin në ditën e betejës; Muzikë e ndaluar: o Kur muzika prodhohet nga këndimi dhe vallëzimi i burrave dhe grave në taverna dhe në vende të tjera publike; o Nëse disa instrumente përdoren vetëm për qëllime 'laike', ato janë rreptësisht të ndaluara për përdorim vetëm për 'qëllime fetare'; o Kur përmbajtja e këngës nuk është në përputhje me konceptet shpirtërore dhe; Parimet e fesë: o Kur dëgjuesi udhëhiqet nga mendimet e epshit dhe veprimet plot epsh; o Kur një person dëgjon muzikë për të ftuar sensualitetin vetëm për arsye seksuale." (Shih linkun: https://cpb-euw2.ëpmucdn.com/mypad.northampton.ac.uk/dist/8/5781/files/2016/04/ WR70-1psuxta.pdf) Edhe sot e kësaj dite, këto lloje pikëpamjesh kanë ndikuar vetëm te një numër i vogël i besimtarëve, pasi që edhe në shtetet ku islami është pjesë e përditshmërisë shoqërore për rreth 1500 vjet, ka mijëra këngëtarë laikë e fetarë myslimanë. Edhe në vendet më islame, dalin këngë të reja, hite të reja dhe po ashtu, ilahi. Ka evoluar edhe leximi dhe këndimi i Kur'anit. Madje është interesante të pohohet se, brezi i gjysheve tona, për dikë që lexonte, thoshte se ishte 'i knueshëm'; për dikë që ishte i ditur, thonin se ishte 'i kënueshëm', duke e ndërlidhur leximin e Kuranit edhe me këndim, e jo vetëm lexim të ngadalshëm, pa zë ose me zë. Edhe sot është e njohur shprehja: "I knueshëm", duke u ndërlidhur me njeriun e ditur, që nuk është analfabet, që di të lexon, që është i informuar etj. Sipas krejt gjasave, kjo ka ardhur edhe nga praktika e këndimit të vargjeve të Kur'anit, duke e ndërlidhur leximin me këndimin e librit të shenjtë, dhe më pas këndimi është bërë sinonim me vetë leximin, dhe anasjelltas. Shumë instrumente muzikore, por edhe tekstet, videoklipet, që përmbajnë sjellje, imazhe etj., që bien në konflikt me rregullat fetare, janë ndaluar nga dijetarët myslimanë. Dijetarët me interpretime të moderuara, kanë pranuar edhe muzikën bashkëkohore, nëse nuk ka tekste e imazhe eksplicite e seksuale.

ILAHITË SHQIP

Në medresetë e Kosovës dhe shumicën e botës islame, mësohen nxënësit edhe për këndimin e vargjeve të Kuranit, apo edhe për tekstet e krijuara nga vetë besimtarët, shkrimtarët e tekstshkruesit myslimanë. Ilahitë janë këngë që i dedikohen falënderimit për Zotin, dashuria për profetin Muhamed, përkujtimi, malli, vaji e tjerë e tjerë, që lidhen me jetën e profetit, shokëve të tij, myslimanëve të parë e të sotëm. Ka disa pikëpamje që Kurani duhet të mësohet në gjuhën arabe, ashtu siç ka zbritur te profeti arab, ndërsa ilahitë mund të këndohen edhe në gjuhët lokale. Gjersa Kurani, thuhet se është i pandryshueshëm dhe zakonisht mësohen përmendësh vargjet e tij e në gjuhë arabe, ilahitë mund të shkruhen vazhdimisht dhe nga kushdo, sikur tekstet e muzikës, madje edhe në gjuhët lokale. Prandaj, ata dhe ato që i kritikojnë imamët që recitojnë dhe flasin vetëm arabisht në xhamia, apo luten në gjuhën arabe, e kanë një simpati për ilahitë, pasi ilahitë mund të thuren edhe në gjuhën shqipe, apo në gjuhët lokale të popujve. Prandaj, nacionalistët, në fakt, kanë shpesh respekt për ilahitë, duke u bazuar në mundësinë për të shkruar e kënduar vazhdimisht ilahi të reja, edhe në gjuhën shqipe, apo gjuhët e tjera. Disa fundamentalistë myslimanë, refuzojnë ilahitë, pasi i konsiderojnë mëkate, risi dhe gjasa për teprim në adhurim ndaj profetit, e jo vetëm adhurim ndaj Zotit!

VALLËZIMET E SUFISTËVE

Ka disa rende të misticizmit islam, sufistëve etj., të cilët janë bërë shumë të njohur si 'dervishët fluturues'. Janë bërë atraksioni më i madh për turistët e huaj, 'perëndimorët' etj. Për portretet dhe rrotullimet e tyre, janë bërë shumë suvenire të cilat mund t'i gjeni në Turqi e gjetiu. Po ashtu, shumë tarikate të tjera islame, si p.sh., Rifaie e të tjerë, përdorin instrumente të ndryshme muzikore, këndojnë njëzëri të gjithë arabisht, duke u drejtuar nga shehu i teqesë, gjatë praktikave të shpimit (zarfat), transit e kështu me radhë. Jo rastësisht përdoren instrumentet e tilla muzikore, për t'u zhytur në meditime dhe përjetime të thella. Muzika është fuqi që ndryshon imagjinatën, mendimet, përfytyrimet, kujtesën e nostalgjitë, emocionet dhe ndjenjat, prandaj për t'i dhënë më shumë kurajo besimtarëve të kalojnë nga përditshmëria në rituale metafizike, përdoren edhe instrumentet muzikore.

FEJA SI FAKTOR ZHVILLIMI I MUZIKËS

Në një tekst të bazuar edhe në citime bibliografish të ndryshme dhe të botuar në vitin 2009, me titull "Rëndësia e muzikës në fe të ndryshme", Ruth Parrott, thekson: "Muzika luan një rol të rëndësishëm në të gjithë jetën tonë. Është shumë e vështirë të imagjinoni një botë pa muzikë. Mund të zgjedhim se çfarë lloj muzike ne dëgjojmë për kënaqësinë tonë personale, por ne gjithashtu jemi subjekt i muzikës në të gjitha llojet e hapësirave. Muzika në sfond luhet në dyqane, restorante, hotele, kur ne jemi duke pritur në telefon për shembull, dhe ajo luan një pjesë të rëndësishme në filmat dhe programet televizive. Muzika komunikon emocionet, mendimet dhe frymëzimet që kalojnë racën, fenë dhe kulturën, duke luajtur një rol integral në mirëqenien shpirtërore dhe emocionale të jetës tonë. Individët nuk përgjigjen gjithmonë në të njëjtën mënyrë me një copë muzike ose kënge; kjo varet nga përvoja e tyre e jetës, mjedisit dhe bindjet e tyre personale dhe preferencat e tyre personale."(Po aty) Më pas, Parrot, citon Bhakthi Sahnkeertan, për lidhjen e shërimit përmes muzikës, duke thënë: "Nga kohët e lashta, muzika është muzika është diçka që ka vënë njerëzit në kontakt me ndjenjat e tyre më të thella. Llojet e ndryshme të muzikës punojnë me emocionet e ndryshme emocionet të një individi dhe liron emocionet e ndryshme jo të plota që çon drejt një shërimi total të trupit dhe mendjes." (Vep. e cit. po aty)

MUZIKA NË TË GJITHA FETË

Nuk ka fe pa një lloj muzike, vallëzimi e përdorimi të instrumenteve frymore e jofrymore. Le të ndalemi, ta zëmë, te hebrenjët. "Muzika hebraike është mjaft e larmishme dhe daton mijëra vjet. Ndonjëherë ajo është fetare në natyrë dhe herë të tjera ajo është laike. Ritmi dhe zëri i muzikës varion shumë në varësi të origjinës së kompozitorëve hebrenj. Muzika më e hershme e përdorur në sinagoga u bazua në një sistem të përdorur në Tempullin në Jerusalem. Orkestra përbëhej nga dymbëdhjetë instrumente, duke përfshirë një harpë, bateri dhe cembale, dhe një kor nga dymbëdhjetë këngëtarë meshkuj. Ka shumë referime në muzikë në Bibël - Davidi duke luajtur lyrën(shën. im, prej nga vjen lirika nga greqishtja, e si instrument me origjinë nga sumerët e largët!), Psalmet, Kënga e Salomonit, trumpeta e Joshuas. Pas shkatërrimit të tempullit, muzika u ndalua fillimisht edhe pse më vonë, kufizimet ishin relaksuar dhe poemat liturgjike të quajtura piyyutim ishin përfshirë. Kantori i këndoi ato melodi të zgjedhura nga shkrimtari ose nga vetë ai. Diçka prej muzikës ishte bazuar në frazat e Biblës që kujtonin këngë nga vetë tempulli, por përgjithësisht i bëri jehonë toneve në vend dhe periudhën në të cilën judenjtë jetonin, jo vetëm në huamarrjen aktuale të melodive, por më shumë në tonalitetin në të cilin u bazua muzika lokale." (po aty) Edhe krishterët, janë të lidhur shumë me muzikën, për të shprehur dashurinë, përkushtimin, pendimin, festimin, vajtimin, lutjet, falënderimin, meditimin ndaj Perëndisë, Krishtit, Marisë etj. "Një shumëllojshmëri e gjerë e muzikës është përdorur në adhurimin e krishterë duke përfshirë himne, psalme, muzikë korale, këngët e ungjillit ('këngët gospel'), muzika bashkëkohore dhe muzika instrumentale për meditim dhe reflektim." (Po aty)

KISHAT E KANË ZHVILLUAR MUZIKËN KLASIKE

Shumë kompozitorë të shquar evropianë, kanë shfaqur vepra të mëdha muzikore edhe në hapësirat e brendshme e të jashtme të kishës. Në shekullin e XVIII, kompozitori i shquar Johan Sebastian Bahu, në qytetin e Lajpcigut në Gjermani, bënte muzikë për katër kisha në qytet, e veçmas në Kishën e Shën Thomasit, ku kjo kishë, u bë e njohur edhe falë veprimtarisë mbi dy dekada të vetë Bahut në të. Këtë kishë kemi pasur kënaqësinë ta vizitonim disa herë edhe ne! Muzika e krishterë ka zhvilluar tejmase muzikën klasike. Madje, këtu ka lindur edhe një keqkuptim, kur disa fanatikë e kanë damkosur muzikën klasike, duke thënë se kjo është "muzikë e krishtere", paçka se e kanë gabim. Edhe lloji i korit të meshkujve e vajzave në medresetë gjatë këndimit të ilahive, apo recitimit të Kur'anit, apo edhe kori i hebrenjve në sinagogë etj., ka ndikuar në vazhdimin e traditës dhe zhvillimit për muzikë klasike. Por në mënyrë speciale, kishat kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në kultivimin e muzikës klasike. Nëse pyesni nxënësit e shkollës së muzikës, anëtarët e Filarmonisë së Kosovës etj., do t'ju thonë se, kanë qenë të paktën njëherë në përformim muzikor në kishë, por jo në xhami, pikërisht falë kultivimit të muzikës klasike në kisha, e jo në xhami. Instrumentistët nuk shkuakan për fe, por për shkak të muzikës klasike dhe natyrës së saj. Kishat e kanë zhvilluar muzikën klasike botërore, por kjo e fundit, po ashtu ka krijuar pavarësinë ndaj të parës.

FUND

Përfundimisht, pjesa dërmuese e muzikës ka lindur nga religjionet, gjatë praktikave ritualistike, por religjionet edhe kanë ndikuar që diku dhe ndonjëherë, të ndalet zhvillimi i disa formave të muzikës (jo të gjitha format muzikore, kurrë!). Në shkencë e në jetë, ndër universalet kulturore më të pakontestueshme, që gjindet në çdo shoqëri, pa dallim, është gjetur se është muzika. Ne muzikën ia atribuojmë edhe shpendëve apo shpezëve, sikur është bilbili e gjeli!

(Kosova Sot)

13 orë e 20 minuta më parë
17/08/18