Drama shqipe, NË KRIZË TË THELLË

  • 16 July 2018 - 08:25
Drama shqipe, NË KRIZË TË THELLË
Në teatrot tona janë duke u inskenuar drama të nivelit të dyshimtë 

"Për shkrimin e dramës gjithmonë ka pasur krizë, sepse drama është më e vështirë për t'u shkruar. Pak shkrimtarë shkruajnë drama,prandaj ekziston deficiti për to. Në teatër që një kohë nuk shkoj,ngase janë të dobëta, s'janë interesante. Tash për tash në teatër shumë pak njerëz shkojnë për shkak se nuk janë tërheqëse", thotë Fazliu për "Kosova Sot" 

Lëvrimi i dramës së sotme shqipe mbetet ende në nivel të ulët. Ka shumë arsye që krijuesit tanë më pak e 'lakmojnë' këtë gjini letrare. Në fakt, krizë të shkrimit të dramës ka pasur gjithmonë, për shkak se, përveçqë është gjini më ë vështirë, në të shumtën e rasteve krijohet edhe për t'u inskenuar. Duke krijuar probleme edhe për pasurimin dhe zhvillimin jetës teatrore në vend, pasi në mungesë të teksteve të mirëfillta, repertorët e tyre po janë të pavërejtshëm nga publiku. Një konstatim të tillë e kanë pohuar edhe krijuesi dhe njohësit e zhvillimeve dramatike në vend. Sipas tyre, kriza e dramës po përcillet nga dekada në dekadë, duke bërë kështu që të lulëzojnë tekste të dobëta e të shumta dramatike, të cilat pastaj po 'depërtojnë' dhe arrijnë të inskenohen në teatrot tona, duke prodhuar situatën aktuale, ku me pak përjashtime, tek- tuk, shumë pak kush kujton inskenimet që po bëhen në teatrot tona.

Tekste që anonin nga letërsia e jo nga skena Shkrimtari Zeqir Fazliu ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se krizë të shkrimit të dramës shqipe ka pasur në vazhdimësi dhe, siç ka thënë ai, duke krijuar edhe një problem serioz për zhvillimin e jetës teatrore në teatrot tona. "Për shkrimin e dramës gjithmonë ka pasur krizë, sepse drama është më e vështirë për t'u shkruar. Pak shkrimtarë shkruajnë drama,prandaj ekziston deficiti për to. Në teatër që një kohë nuk shkoj,ngase janë të dobëta, s'janë interesante. Tash për tash në teatër shumë pak njerëz shkojnë për shkak se nuk janë tërheqëse", ka pohuar ai, në një prononcim për "Kosova Sot". Se ka krizë të lëvrimit të dramës shqipe e ka pohuar edhe dramaturgu Blerim Zhitia. Ai në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se po ka mungesë të dramës së autorëve tanë. Historikisht dramën shqipe, e veçanërisht atë në Kosovë e ka përcjellë një zhvillim ndryshe nga rajoni e më gjerë, siç ka thanë ai, nëse merret parasysh konteksti historik. Fillimi i teatrit dhe dramës në Kosovë nis pas Luftës së Dytë Botërore, edhe ato tekste të dramës, të cilat shkruheshin ose krijoheshin nga shkrimtarët dhe jo dramaturgët pa dashur të nënvlerësoj askënd këtu, siç ka thënë ai, këto tekste më tepër anonin kah letërsia sesa nga skena. Pra, ka thënë më tej Zhitia, nuk kemi pasur një kontinuitet në zhvillimin e dramës, ose thënë ndryshe ka munguar përgatitja e dramaturgëve në mënyrë institucionale apo akademike, përmend disa prej arsyeve, të cilat kanë ndikuar në këtë gjendje të dramës shqipe në Kosovë. "Mirëpo, janë edhe një varg problemesh e që e përcjellin dramën tonë sot. Vitet e '90-ta, shkëputja nga objektet institucionale, vite e pasluftës, ku shumëkush e shfrytëzoi gjendjen dhe u afirmuan në bazë të politikave ditore. "Po mbi të gjitha të përgjigjesh në këtë pyetje nuk është edhe krejt e thjeshtë, pasi drama si tekst dhe zhanër nuk është e shkëputur dhe nuk qëndron krejtësisht e pavarur. Thënë ndryshe, është e varur edhe nga skena, ku domosdo implikohen edhe regjia dhe gjithë infrastruktura përcjellëse", ka thënë, dramaturgu Zhitia për "Kosova Sot".

Drama shqipe nuk ka pasur ndonjë shkëlqim
Edhe regjisori Ben Apolloni ka thënë se është e vërtetë se drama shqipe është në krizë, siç ka qenë edhe më parë. Pra, shton ai, drama shqipe nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë shkëlqim. Më parë, ka pohuar ai, ka qenë e kuptueshme, dihet si ka qene gjendja sociale e politike e shqiptarëve, por nuk arrij ta kuptoj se pse tani është kjo krizë e madhe?! "Kemi Departamentin e dramaturgjisë në Fakultetin e Arteve, kanë dalë mbi 20 gjenerata të dramaturgëve, por kemi krizë drame. A është problemi te Dega e dramaturgjisë apo është problemi te teatrot që nuk ua japin mundësinë dramaturgëve? Unë mendoj që për këtë duhet të bëhet një debat serioz. Besoj që faj kanë të dy palët, por ndoshta pak më shumë teatrot që nuk i hapin dyert për autorët e dramës shqipe", ka pohuar ai për "Kosova Sot". Ndërsa, regjisori Mahir Musliu ka thënë për "Kosova Sot", se drama shqipe është në krizë të thellë që shumë vjet dhe se tekstet nga dramaturgjia botërore kanë filluar të bëhen të përsëritshme, sepse regjisorët mbi to kanë krijuar stereotipa të njëjta në koncepte regjisoriale. Hendikepi është se disa prej tyre nuk aktualizohen dhe në të shumtën e rasteve duken të rënda për publik. "Një shfaqje dyorëshe, e cila nuk mund të komunikojë me publik, bëhet makth i patejkalueshëm. Prandaj, ka shumë raste që nga ky irritim, ky publik bie ndesh me shijen dhe moskuptimin në esencë, dhe kjo ndikon që këmba e tij të mos shkelë në teatër", ka thënë ai, duke shtuar se me një fjalë drama e shkruar mirë me situata e ngjarje të këtyre viteve do të ndikojë në kthimin e publikut në teatër.

Edhe më herët drama shkruhej pak
Kurse shkrimtari, Ismet Tahiraj ka pohuar për "Kosova Sot", se edhe më herët drama si një gjini ishte shumë e pakët në mesin tonë. "Nga autorët seriozë, është fjala para luftës e viteve të mëhershme, kur them këtë, kam parasysh kohën e tashmë që ka me "bollëk" drama, ama si loza para bryme vërtet merren ato drama që kane fare pak sens për skenim, por mos të themi se nuk ka drama mjaft të mira ato që paraqesin foton e luftës që shkoi, të cilat kujtoj pa përmendur autorin mund të luhen dhe filma të shkëlqyer", ka thënë Tahiraj .

(Kosova Sot)