Organizimi dhe vrasja e Vojvodës së Istogut Miliç Kërrsta nga Selman Kadria

  • 04 August 2018 - 08:04
Organizimi dhe vrasja e Vojvodës së Istogut Miliç Kërrsta nga Selman Kadria
SHKRUAN: SALI KABASHI - HISTORIAN


Për Selman Kadrinë dhe për aktin e tij heroik (vrasjen e Miliç Kërrstës), ka disa lloje të tregimeve, mirëpo unë do të mundohem të sjell një version të pastër nga pleqtë e rrethinës së Istogut, të cilët kanë treguar për vrasjen e Miliç Kërrstës nga Selmani. Selmani bashkë me dy shokët e tij të ngushtë, Brahim Ukën dhe Ali Kabashin, ishin këngëtarë shumë të mirë dhe shkonin nëpër dasma të shumta për të kënduar nëpër oda. Një ditë pasi të tre shokët u kthyen nga një dasmë që kishin kënduar, shkojnë në shtëpinë e Ali Kabashit në fshatin Tomoc për të fjetur. Pasi kishin ngrenë darkë filluan të pinin çaj dhe si zakonisht edhe kuvendonin ndërmjet vete. Gjatë bisedës Selmani i thotë Brahimit: -A qesim short e t'i vrasim tre shkie t'fortë që janë t'u ba terror mbi popullin tonë?- Brahimi e pyet se kënd duhej ta vrisnin, Selmani ia kthen: -Ars Peroviçin, Arseni Qyrkun edhe Miliç Kërrstën!? Të tre pranojnë që ta ndërmarrin këtë aksion dhe i vënë shortet!? Brahim Ukës do t'i bjerë që ta vrasë Miliç Kërrstën, Selman Kadrisë i bie Ars Peroviçi dhe Ali Kabashit i bie që ta vrasë Arseni Qyrkun. Pasi përfundojnë shortet dhe të tre e marrin përgjegjësinë për ta kryer detyrën, Selmani i kërkon Brahimit që t'i ndërrojnë "viktimat", i thotë: -Ti Arsin e ke në fshat dhe e ke më lehtë që ta vrasësh, edhe unë Miliçin e kam në fshat, ku do të jetë më e lehtë edhe për mua?- Brahimi pranon që t'i ndërrojnë caqet e tyre të aksionit.

KUFOMËN E MILIÇIT E MBULON ME GJETHE E ME RREMA Mirëpo, më problem nga të gjithë e kishte Aliu që ta vriste Arseni Qyrkun, i cili ishte shumë larg dhe me mundësi të pakta që të realizohej plani i organizuar. Mirëpo, Brahimi e kishte një shok në Poqestë (fshat afër Gorozhdevcit), ku në Gorozhdevc ishte edhe shënjestra e Aliut. Brahimi bie në kontakt me shokun e tij dhe kërkon nga ai që ta mbajë për një kohë Aliun në shtëpinë e tij, që më vonë së bashku edhe të organizohet eliminimi i Arsenit. Shoku i Brahimit menjëherë e pranon Aliun në shtëpi. Plani ishte që brenda tri ditësh të përfundonte i gjithë misioni i nisur në një odë. Marrëveshja ishte se ai që e përfundon punën i pari, të ikte dhe të shkonte në një mal që quhej "Çarrista e Januzajve", mbi fshatin Cërrc, aty të takohen të tre dhe së bashku të dalin në Shqipëri. Selmanit i vjen mundësia të nesërmen e marrëveshjes që ta vrasë Miliçin! Selman Kadria ishte punëtor me mëditje, i cili punonte te secili që kishte nevojë për punëtor krahu, ku shpesh punonte edhe te vrasësi i familjes së tij, tek Miliç Kërrsta. Miliçi shkon te shtëpia e Selmanit dhe e thërret që të shkojë bashkë me të, për të peshkuar në lumin Istog. Pasi shkojnë në breg të lumit, Miliçi dëshiron ta hedhë grepin në ujë, mirëpo në dorën tjetër e kishte pushkën. Ai i kërkon Selmanit që t' ia mbajë pushkën dhe e merr Selmani pushkën, ndërkohë që Miliçi e hedh grepin në ujë. Selmani e kupton se një mundësi kaq të volitshme për vrasjen e Miliçit nuk do t'i vijë edhe një herë tjetër!? I drejton pushkën dhe i thotë: -O Miliç Kërrsta! Si m'besove kaq shumë, kur e di se ma ke vrarë të gjithë familjen!?- Miliçi i thotë: -Selman, mos luaj me pushkë, se nuk luhet me armë!- Selmani ia kthen: -Jo nuk po luaj, por po të vras.- ia shkrep në gjoks pushkën e vet dhe e vret kriminelin serb, Miliç Kërrstën. Kufomën e tij e mbulon me gjethe e me rrema, ndërsa ai vetë ikën në Çarrishtën e Januzajve. Në stacionin e Policisë në Istog, personeli alarmohet për zhdukjen e Vojvodës Miliç Kërrsta pa gjurmë, por pas dy ditë kërkime, kufomën e tij e gjejnë në vendin ku e kishte lënë Selmani. Dyshimet menjëherë çonin kah Selman Kadria, sepse të gjithë e dinin se Miliçi për të fundit herë me Selmanin kishte dalë dhe nuk ishte kthyer më. Policia shkon tek shtëpia e Selmanit dhe e kërkojnë, por nuk e gjejnë aty, me ç'rast edhe vërtetohet , se Selmani është vrasësi i Miliçit. Pasi u vërtetua që Selmani ishte vrasësi i Miliçit, Policia menjëherë i arreston shokët e tij, Brahim Ukën dhe Ali Kabashin. Selmani pasi qëndron dy ditë në mal, në ditën e tretë i sheh në një fushë disa djem të rinj me lopë dhe u afrohet. Njërin nga ata djemtë e pyet se i kujt është, ai i thotë se është i Ramë Vuthit-Tekerrlaçit (Rama ishte daja i nënës të Selman Kadrisë). Selmani i thotë se e paska djalin e dajës dhe i thotë që të shkojë tek shtëpia e dajës Ramë e ti thotë që t'i sjellë bukë dhe të vijë tek Selmani, sepse ka diçka të rëndësishme që të bisedojë me të! Pas një kohe, Rama shkon te Selmani dhe ia çon bukën. Selmani ia tregon punën dhe i kërkon që t'i ndihmojë që të ikë nga Kosova, Daja Ramë i premton se do e ndihmojë me çdo kusht. 


SELMANI E HEQ RROBËN E FEMRAVE QË E KISHTE TË VESHUR Rama shkon te shtëpia dhe merr një kalë, bukë dhe disa rroba femrash, që ta maskojë Selmanin. Mirëpo, para kësaj, Rama shkon në stacionin e Policisë në Istog te Naçallniku dhe i thotë se Selmanin e ka në dorë, e nëse dëshiron ta arrestosh, unë ua vë në pritë. Rama shkon te Selmani. Selmani i vetëdijshëm se Rama u vonua, menjëherë i vë dyshimet te ndonjë tradhti e mundshme!? Selmani e pyet pse u vonua, Rama i thotë se nuk kishte kalë të vetin dhe u vonua derisa e gjeti te një komshi i veti. Rama i thotë se pushkën duhej ta linte, sepse shumë lehtë mund të zbulohej. Ia merr pushkën dhe e hedh në disa shkurre, ndërkohë që Selmani vishet në rrobat e femrave që i kishte sjellë daja Ramë dhe hip në kalë. Selmani ishte me shpresë, se daja Ramë po e ndihmonte, se po e shpëtonte nga serbët, por jo, doli e kundërta!? Pasi ecin një kohë, rreth 10- 15 metra, Selmani i thotë: -Daja Ramë, ndale kalin!- Selmani e kuptoi se nuk ishte gjithçka në rregull, se Rama kishte planifikuar diçka? Selmani i thotë: -Dajë, edhe nëse vdes, të paktën, mos të vdes i maskuar si femër.- Selmani e heq rrobën e femrave që e kishte të veshur, duke zbritur, kur e lëshon njërën këmbë në tokë, ndërsa tjetrën ënde e kishte në kalë, daja Ramë e godet me sëpatë (sakicë) prapa krahëve. Thuhet se, zvarrë u mundua që të afrohej tek pushka që ta merrte, mirëpo plaga që i la në shpin daja ishte shumë e rëndë për Selmanin dhe nuk kishte arritur që ta merrte pushkën. Kështu, Selman Kadria vdes në stacionin e Policisë në Istog, nga plagët e marra prapa krahëve nga daja i nënës, sipas gojëdhënës Selmani vdiq duke e shqiptuar Shehadetin. 

VRASËSI I ARSENI QYRKUT I KISHTE ZËNË PRITËN NË NJË LIVADH TË TIJ Mirëpo, gjaku i tij nuk shkoi huq. Pas një kohe dy të rinj, 14 dhe 16 vjeç, të organizuar nga një rreth më i gjerë, e nxjerrin gjakun e Selmanit duke e vrarë Ramë Vuthin-Tekerrlaçin. Djemtë që e vrasin Ramën, ishin djemtë e axhës së Selman Kadrisë. Të organizuar në mënyrë shumë të mirë, i riu 14 vjeç me emrin Bardh, në Istog, i del ballë për ballë tradhtarit Ramë Vuthi dhe i drejtohet me këto fjalë: -O Ramë Tekerrlaçi, ku i ki armët që t'i kanë dhanë për Selmanin?- dhe gjuan në të, menjëherë pas tij gjuan edhe djali tjetër (të cilit nuk ia di emrin), ku edhe e vrasin në vend. Pas një kohe, të dy të rinjtë arrestohen nga pushteti dhe dërgohen në burg. Kështu përfundon tregimi nga pleqnarët për vrasjen e Miliç Kërrstës nga Selman Kdria, ndërsa dy të tjerët që ishin shënjestër e dy shokëve të Selmanit, Arseni Qyrku dhe Ars Peroviçi, të parin e vret një shqiptar, ndërsa i dyti vdes nga vdekja natyrale. Vrasësi i Arseni Qyrkut i kishte zënë pritën në një livadh të tij, në të cilin Arseni kishte punëtorë duke punuar në të. Arseni pushkën e tij e kishte lënë shumë larg vetes dhe kur ulen të pushojnë, njëri nga punëtorët i thotë: -Larg po e lë pushkën, mos po tenton kush me't vra more?- Arseni ia kthen: -Ahii. Mos e ki atë dert! Hala s'ka lindur nana asi djali që del e vret Arsenin!- ai që kishte ardhur për ta vrarë, pasi i dëgjon këto fjalë mendjemadhësie të Arsenit, ngritët në këmbë, me pushkë të drejtuar drejt Arsenit dhe i thotë: -Unë jam tu t'prit!- dhe gjuan drejt Arsenit ku edhe e vret në vend. Një kuriozitet interesant është se edhe vrasësi i Arseni Qyrkut pas një kohe përfundon i tradhtuar nga një i afërm i tij, siç u tradhtua Selman Kadria. VËREJTJE: Kjo histori e kësaj ngjarjeje, bazohet në tregimet e pleqve të rrethinës së Istogut, të përcjella brez pas brezi nëpër oda.