Brigada famëkeqe përvëloi 100 djem në praninë e nënave

  • 23 June 2016 - 17:19
Brigada famëkeqe përvëloi 100 djem në praninë e nënave

Gjilani, qytet ky i pjesës lindore të Kosovës, gjatë historisë është djegur tri herë si vendbanim dhe po kaq herë është rilindur nga hiri i vet. Gjilani ka përjetuar njërën nga masakrat më të mëdha, pas Tivarit. Kronistë dhe historianë flasin për mbi 8 mijë shqiptarë të vrarë e të masakruar në qarkun e Gjilanit, në vitin 1944/45. Sipas dëshmive të asaj kohe, rrugët e qytetit ishin mbushur me kufoma. Disa thonë se numri i viktimave që përmendet është i madh, kurse ka të tjerë që deklarojnë se ka pasur edhe më tepër se kaq të vrarë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Sipas historianit Aliriza Selmani, Gjilani ka përjetuar një masakër të panjohur ndonjëherë në këto anë, ndonëse shifrat që përdoren mund të mos jenë plotësisht të sakta. "Numri i viktimave i referohet qarkut të Gjilanit, që asokohe ishte mjaft i gjerë", thotë Selmani. Gjilani ishte ndër kazatë më të mëdha të Vilajetit të Kosovës, e cila përfshinte edhe territoret e komunave të atëhershme të Gjilanit, Kamenicës, Vitisë dhe disa pjesë të territoreve të komunës së Ferizajt, Kaçanikut, Prishtinës dhe Bujanocit. Për nga madhësia territoriale dhe numri i banorëve, rrethi i Gjilanit, në periudhën midis dy luftërave botërore, ishte i dyti në ish-Jugosllavi, pas rrethit të Suboticës. Nuk ka fshat as lagje në Karadak ku nuk janë kryer masakra gjatë vitit 1944. Sipas historianëve, dhuna e terrori mbi popullin shqiptar, nga formacionet partizane-çetnike, ishte e tmerrshme.

Shqiptarët u prenë edhe me sharrë

Shqiptarët vriteshin e masakroheshin natën dhe të shumtën e rasteve kjo bëhej nën tingujt e daulleve dhe instrumenteve të tjera, për të mos u dëgjuar britmat. Sipas dëshmitarëve të asaj kohe, pos me plumb e thikë, shqiptarët u prenë edhe me sharrë, përvëloheshin me ujë, vriteshin me gur në kokë, goditeshin me kazmë, me bajonetë, me hekur të skuqur, me prerje të gjymtyrëve dhe forma të tjera sadiste. Melihate Deda, në një letër dërguar Komitetit Krahinor, në dhjetor të vitit 1944, ndër të tjera shkruante se komandantët e njësiteve të UNÇJ-së, që operonin në këto troje, deklaronin publikisht se kishin urdhër të vrisnin së paku 50 për qind të shqiptarëve. Për krime të papara ndaj popullit shqiptar të këtij regjioni, dallohet sidomos Brigada XVII maqedonase, e cila gjatë periudhës nëntor - dhjetor 1944 operonte në Karadak. Kjo Brigadë, te Isivukët theri e përvëloi në praninë e nënave të tyre afër 100 djem. Ata, gjysmë të gjallë hidheshin në varre kolektive dhe pastaj përvëloheshin me ujë. Një nënë u detyrua të vlonte ujë dhe të hidhte mbi të masakruarit, në mesin e të cilëve gjendeshin edhe 3 djemtë dhe burri i saj. Edhe në fshatin Gruhali u vranë të gjithë meshkujt. 

Rekordi i zi

Historiani Fehmi Rexhepi ka shkruar se, në bazë të disa të dhënave në terren, gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, në territorin e Anamoravës u vranë dhe u masakruan afër 8 mijë shqiptarë, për ç'gjë kjo anë mban rekord të zi në krahasim me pjesët e tjera të Kosovës. Që nga 17 nëntori i vitit 1944, si rezultat i keqtrajtimeve, plaçkitjeve dhe vrasjeve krejtësisht të paarsyeshme e arbitrare të shovinistëve serbomëdhenj në territorin e Gjilanit dhe të rrethinës, nga ana e njësiteve të UNÇJ-së, Lëvizja Nacionaliste e rezistencës antikomuniste me forcat demokratike shqiptare dhe popullin e kësaj ane bënë përpjekje që të angazhoheshin për vetëmbrojtje.

Tentativa e forcave nacionaliste shqiptare për ta çliruar Ferizajn, më. 2.12.1944, u shfrytëzua si shkas për të vrarë e masakruar popullsinë shqiptare në mënyrë masive, pa kursyer as gra e fëmijë. Gjatë 2-3 ditëve u vranë dhe u burgosën rreth 1.500 shqiptarë. Ishte i madh edhe numri i viktimave të ditëve të më pastajme, të cilat kalojnë disa mijëra. Menjëherë pas depërtimit në Gjilan të njësiteve të UNÇJ-së dhe të forcave të ushtrisë bullgare, si dhe me konsolidimin e pushtetit komunist, filloi riaktivizimi i elementëve proçetnikë serbo-malazezë, të cilëve u erdhi momenti i volitshëm për të realizuar qëllimet e tyre për likuidim masiv të shqiptarëve. Kësisoj brenda një kohe të shkurtër u mbushën burgjet përplot shqiptarë dhe filloi likuidimi i tyre pa kurrfarë procedure. Për çdo mbrëmje pushkatoheshin 40-50 vetë. Në mesin e të tyre kishte edhe intelektualë të shquar të kësaj ane, siç ishin gazetari Sylejman Ashkiu dhe Esat Berisha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. 

Gjilani mbijetoi

Për shkak të plojës së paparë deri atëherë, edhe në Gjilan filloi vetorganizimi i popullit për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, si dhe për t'u mbrojtur nga shfarosja kolektive. Kështu, Lëvizja antikomuniste, demokratike e nacionaliste formoi Shtabin e rezistencës nën komandën e Idriz Hajrullahut. Ata në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944 sulmuan dhe shtinë në dorë përkohësisht Gjilanin, mirëpo, për shkak të forcave të mëdha të UNÇJ-së, që gjendeshin në qytet dhe përforcimeve që u erdhën nga Prishtina, e sidomos për ta kursyer popullin shqiptar, sulmuesit u tërhoqën po atë ditë nga qyteti. Megjithëkëtë, pas tërheqjes së tyre, njësitet e Brigadës XVII maqedonase, pjesëtarë të OZN-s famëkeqe dhe grupe shovinistësh serbë të qytetit filluan plojën dhe masakrat e papara deri më atëherë mbi shqiptarët, sidomos ndaj pjesës së pambrojtur, që ishin gra, fëmijë e pleq. Kjo plojë dhe këto masakra vërtetohen edhe nga Halil Fejzullahu, asokohe komisar i Komandës së vendit. Fejzullahu për këto akte gjenocidi, ndër të tjera, kishte thënë se te xhamia kryesore ka takuar një grup prej më se 100 shqiptarësh dhe 120 ushtarësh maqedonas. "Kur vërejta se çdo ushtar rrihte me kondak të pushkës nga një shqiptar, urdhërova ushtarët t'i gjuajnë armët.

Pasi kuptova se po i dërgonin në pushkatim, të gjithë i dërgova në Komandë dhe pas hetimeve që bëra,konstatova se vetëm 5-6 prej tyre kishin qenë të komprometuar". Asnjëri prej tyre, sipas dëshmive të Fejzullahut, nuk kishte qenë bashkëpunëtor i okupatorit, e as që kishin kryer ndonjë krim, por dënoheshin vetëm pse ishin shqiptarë. Është e qartë se pushtetet e kohës u munduan të zhbëjnë identitetin shqiptar të këtij qyteti, që njihet si "kërthizë" e Anamoravës, Luginës së Preshevës dhe Kumanovës, duke rrënuar edhe monumentet dhe simbolet kulturohistorike, por nuk ia dolën asnjëherë ta bëjnë këtë. Gjilani rilindi sërish nga hiri i tij, sikur feniksi. Thuhet se edhe në vitin 1999, loja e fundit ishte planifikuar të luhej në Gjilan, por kësaj here serbëve u dështoi "nata e thikave të gjata", sepse nuk kishin pritur që Milosheviqi do të kapitullonte në qershor.

(Ksoova Sot)