Komuna nuk i ka as 150 mijë euro

  • 26 July 2016 - 17:43
Komuna nuk i ka as 150 mijë euro

Për mbulimin e shpenzimeve të qytetarëve të Gjakovës me rastin e ceremonive të varrimit

Merren mjete nga “subvencionet”, kategoritë e tjera lihen me gishta në gojë

Mesatarisht në komunën e Gjakovës brenda një viti vdesin 550 deri në 600 veta, për mbulimin e shpenzimit të varrimit të së cilëve, në vlerë prej 250 euro, nevojiten rreth 150 mijë euro në vit, të cilat aktualisht po mungojnë në buxhetin komunal

Të gjitha hulumtimet dhe analizat e deritashme jo vetëm të enteve e institucioneve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, kanë gjetur se në Kosovë vazhdon të mbretërojë një varfëri e theksuar, shpesh e skajshme, e cila nuk po zbutet, por sa vjen e ashpërsohet. Në një situatë të tillë, qytetarët e Kosovës, jo rrallë, vuajnë edhe për gjërat më të domosdoshme, të cilat u mungojnë. Ballafaqohen edhe me problemet ndër më banalet, të cilat bota ka kohë që i ka tejkaluar, por që ja tek ne vazhdojnë të jenë aktuale. Duke u nisur nga thënia popullore “Zgjati këmbët sa e ke jorganin” edhe kosovarët janë mjaft të kujdesshëm në shpenzimet që bëjnë, duke evituar çdo shpenzim jo të domosdoshëm. Mirëpo, disa gjëra nuk mund të evitohen, e një ndër ato janë shpenzimet për ceremoninë e varrimit të personave të vdekur. Shih për këtë, e duke e pasur parasysh situatën e vështirë sociale të qytetarëve të vet, disa komuna të Kosovës ka kohë që i mbulojnë këto shpenzime, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Shpenzimet e varrimit, gati sa dy paga mujore!

Mirëpo, kështu nuk është në komunën e Gjakovës, pavarësisht se sipas të gjitha vlerësimeve aktualisht ajo është ndër komunat më të varfra të Kosovës! “Në këtë skamje që na ka kapluar, vërtet nuk është lehtë të sigurohen mjetet më të domosdoshme që nevojiten për varrimin e një personi. Unë punoj tek një privat dhe marrë 150 euro pagë në muaj. Kur para disa javësh më vdiq nëna, u desh të shpenzoj gati dy paga mujore për të kryer ceremoninë e varrimit. U detyrova të marr paratë hua dhe nuk di se si do t’i kthej? Kam pyetur në komunë se a parashihet ndonjë mbështetje në këso situatash, më thanë që këtë mund ta realizojnë vetëm ata që janë në skemat sociale”, na tha këto ditë Ademi, i cili dukej qartë se, krahas mërzisë për vdekjen e nënës, kishte edhe hallin se si ta kthejë borxhin. Se është kështu na konfirmoi edhe drejtori komunal për buxhet e financa, Teki Shala. “Ka një kohë që Komuna i mbulon shpenzimet e ceremonisë së varrimit vetëm për anëtarët e familjeve që gëzojnë ndihma sociale. Është në procedurë e sipër marrja e vendimit që kjo të bëhet për të gjithë qytetarët”, ka thënë Shala. Në fakt, kryetari i degës së PD-së, që është edhe këshilltar komunal, Bahri Bokshi, e kishte bërë një kërkesë për Asamblenë Komunale e ku kishte kërkuar që ky kompensim të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim. “Të gjithë ata janë taksapagues dhe nuk është në rregull që dikujt t’i bëhet kompensimi e dikujt jo”, ka thënë Bokshi për gazetën.

A bën t’u jepet ndihmë edhe atyre që i kanë nga 2-3 vetura?!  

Sipas të dhënave nga shërbimi komunal i ofiqarisë, brenda vitit në komunën e Gjakovës vdesin mesatarisht 550-600 veta (vjet kanë vdekur 559 veta). Meqenëse është përmendur se vlera që do të duhej të kompensohej për raste të tilla do të sillet rreth 250 euro, del se brenda vitit komunës për këtë qëllim do t’i duheshin rreth 150 mijë euro, para këto që aktualisht i mungojë buxhetit komunal. Mu për këtë arsye ka mendime të ndryshme lidhur me këtë. “Për këtë buxhet shumë të kufizuar që e ka komuna jonë me duket ngarkesë e tepruar që tash për këtë pozicion të shpenzojmë rreth 150 mijë euro, kur jam i bindur se më shumë se gjysma e qytetarëve të Gjakovës këtë ndihmë nuk e kanë të domosdoshme. Nëse dikush shpreson se këtë ndihmë nuk do ta kërkojnë ata që vërtet nuk kanë nevojë, është iluzion. Kujtoi se nuk është në rregull që nga paratë e taksapaguesve të ndihmohen edhe ata që kanë nga 2-3 vetura. Tjetër gjë është me familjet që marrin ndihma sociale. Atyre do të duhej t’u kompensohen të gjitha shpenzimet e ceremonisë së varrimit”, ka thënë Rrok Luli, këshilltar komunal. Situatën aktuale të kësaj çështjeje e shpjegon Luan Gola, kryesues i Asamblesë komunale. “Në mbledhjen e fundit të Asamblesë, këshilltarët kanë marrë vendim që të përkrahet propozimi i këshilltarit Bokshi dhe ky vendim do të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Për mënyrën e gjetjes së fondeve për këtë qëllim dhe modalitetet e tjera do të bisedohet gjatë hartimit të buxhetit komunal për vitin 2017”, ka thënë Gola. Si do që të jetë, bëhet e ditur se këto mjete do të kërkohen nga pozicioni “subvencione”, ku ndonjë veprimtari tjetër do të ngelë “me gishta në gojë”!

(Kosova Sot)