Mendonte se ishte alergjike në ushqime, u trondit kur zbuloi tumorin 18 centimetra

  • 29 September 2016 - 19:01
Mendonte se ishte alergjike në ushqime, u trondit kur zbuloi tumorin 18 centimetra

Flokët e saj të gjatë kishin filluar të binin ngadalë

Një vajzë që mendonte se kishte alergji ndaj ushqimit ka dalë që ka pasur një tumor të rrallë, të përbërë nga dhëmbët, qimet dhe madje edhe masë trunore në vezoren e saj. Kezia Denne, 16-vjeçare, ka vuajtur nga shtrëngimet e stomakut gjatë gjithë fëmijërisë së saj, mirëpo për këtë gjë vazhdimisht e kishte fajësuar mungesën e tolerancës ndaj glutenit. Kur ka qenë dymbëdhjetëvjeçare, dhimbjet ishin bërë aq të tmerrshme saqë ajo kishte shkuar në spital ku kishte qëndruar për disa ditë, për t'i realizuar testet e nevojshme. Doktorët kishin zbuluar që ajo kishte një tumor, të cilin e kishte pasur në trup që prej kur ishte lindur. Pasi i ishte nënshtruar katër raundeve të pasuksesshme të kimioterapisë, ajo ishte futur në operacion për largimin e pjesës më të madhe të tumorit kanceroz. Mirëpo, doktorët tashmë kanë thënë që ajo duhet të shkojë në spital për kontrolle të vazhdueshme gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës së saj, për t'u siguruar që pjesa e mbetur e tumorit nuk rritet përsëri.

Kezia kishte vendosur të mos dilte nga shtëpia pa paruke

Kezia, nga Elstidi i Anglisë, ka thënë: "Gjithçka ka filluar me një dhimbje të papritur në stomak, gjë që më ka befasuar shumë, sepse nuk kisha vrapuar. Isha në shkollë dhe i kisha edhe disa orë, andaj nuk dëshiroja të shkoja në shtëpi më herët, mirëpo dhimbja pati filluar të keqësohej. Nëse kollitesha ose qeshja, përjetoja dhimbje të tmerrshme. E kam ditur që ishte diçka serioze". Ajo ishte ankuar për një dhimbje therëse në stomakun e saj në momentin e parë që kishte mbërritur në shtëpi. Babai i saj, Chris-i, 58- vjeçar dhe nëna, Linda, 60-vjeçare, e kishin dërguar menjëherë në spital të shqetësuar që vajza mund të kishte nevojë për operimin e zorrës qorre. Ajo ishte dërguar në njësitin e pediatrisë dhe kishte kaluar disa ditë, derisa doktorët kishin zbuluar shkaktarin e saktë të dhimbjes së tmerrshme që ajo po e përjetonte. Skanimet kishin treguar për një tumor 18 centimetra të madh dhe ajo i ishte nënshtruar operacionit për largimin e vezores së majtë - ku edhe qëndronte masa. Më vonë ishte zbuluar që ajo kishte një tjetër tumor në mëlçi dhe ciste të vogla të shpërndara gjithandej nëpër trup. Ajo ishte tmerruar kur e kishte kuptuar që duhej t'iu nënshtrohej raundeve të kimioterapisë për ta parandaluar përhapjen e tumoreve në trupin e saj. Flokët e saj të gjatë kishin filluar të binin ngadalë dhe Kezia kishte vendosur të mos dilte nga shtëpia pa paruke, pasi që frikë- sohej se të gjithë do ta shikonin me habi.

Kimioterapia nuk po funksiononte

Kezia ka thënë: "Kam qenë e re dhe nuk e kuptoja se çka është kimioterapia, mirëpo e dija që nënkuptonte rënien e flokëve. Ka qenë e tmerrshme. Nuk dëshiroja që njerëzit të mendonin që isha e shëmtuar, andaj edhe kam pasur një ndjenjë të parehatshme. Tani jam penduar që kam menduar kësisoj. Do të dëshiroja që të mund të përballesha me një situatë të tillë me më shumë vetëbesim pasi do të kishte qenë më e lehtë për mua". Ajo i është nënshtruar trajtimit tri ditë në javë, mirëpo pas katër raundeve, doktorët i kishin thënë që kimioterapia nuk po funksiononte. Mënyra e vetme për ta ndalur rritjen e kancerit ishte largimi i tij dhe Kezia kishte nevojë për një tjetër operacion në mëlçi. Ajo i ishte nënshtruar edhe tri procedurave tjera dhe i ishte thënë që nuk mund ta hiqnin gjithë kancerin. Doktorët i kanë thënë që duhet të shkojë për kontrolle të vazhdueshme, për t'u siguruar që tumori dhe kanceri nuk rriten. Familja e saj ka kaluar muaj të tërë e ulur pranë shtratit të saj teksa ajo ka qenë duke u trajtuar në spital. Kezia ka thënë: "Ka qenë më të vërtetë e vështirë kur e shihja familjen time të mërzitur. Një herë, kur isha në spital, ma patën futur një tub nga hunda teposhtë trupit dhe vëllai dhe motra po më shikonin. Ata qanin vazhdimisht dhe shqetë- sohesha kur i shihja të mërzitur". Përfundimisht, në vitin 2014, Kezias i ishte thënë që ishte çliruar nga kanceri dhe ajo ishte gëzuar që më në fund ishte në gjendje të shkonte në shkollë. Përkundër sëmundjes, ajo ka marrë nota të shkëlqyeshme në shkollë dhe planifikon të regjistrohet në universitet. "Po shikoj nga e ardhmja", ka thënë ajo. "Shpresoj të shkoj në universitet". Kezia po e mbështetë "Stand Up To Cancer", një kampanjë e organizuar me qëllim të mbledhjes së fondeve për t'i përshpejtuar trajtimet e reja të kancerit për pacientët dhe për të shpëtuar më shumë jetë. 

(Kosova Sot) 

Image