Komuna e Pejës u thotë jo HEC-eve në Grykë të Rugovës

  • 20 October 2016 - 19:10
Komuna e Pejës u thotë jo HEC-eve në Grykë të Rugovës

Opozita thotë se qeveria lokale po humb investimin dhjetëra-milionësh.

Kryetari Gazmend Muhaxheri ka thënë se projekti është në kundërshtim me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës për periudhën 2006-2025 dhe se i njëjti është kundërshtuar nga qytetarët e Pejës dhe shoqëria civile,raporton Gazeta Kosova Sot

Komuna e Pejës vit më parë kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kompaninë "KELAG"nga Austria për ndërtimin e pesë hidrocentraleve përgjatë Lumëbardhit, në Grykën e Rugovës. Por, kjo iniciativë është kundërshtuar fort nga shoqëria civile dhe përfaqësues të shoqatave për mbrojtje të mjedisit. Ndërsa kryetari Gazmend Muhaxheri është zënë ngushtë, pasi ka presione nga qeveria në njërën anë dhe vullnetit të banorëve në anën tjetër.

Nuk duan shterjen e lumit si në Bistricë të Deçanit Në kërkim të burimeve alternative të energjisë elektrike, kompanitë e huaja janë të interesuara që të shfrytëzojnë resurset e shumta ujore në Kosovë, e të cilat sigurojnë një burim të pashtershëm të energjisë elektrike. Njëra ndër këto Kompani, e cila operon në Dukagjin është edhe "Kelag" nga Austria, e cila ka në menaxhim 65 hidrocentrale në Austri dhe në Ballkanin Perëndimor e që në Kosovë është prezente përmes degës së saj "Kelkos Energy SH.p.k" e që ka në pronësi Hidrocentralin më të madh privat në kanjonin e Deçanit prej tetë megavatësh. Kjo kompani ka marrë dritën e gjelbër, nga institucionet e pushtetit lokal në Pejë për një investim të ri në Kanjonin e Rugovës në vlerë të gjithmbarshme prej 110 milionë eurosh për ndërtimin e pesë hidrocentraleve në rrjedhën e Lumëbardhit. Për këtë ishte nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me pëlqimin e dhënë nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike. Projekti parasheh ndërtimin e pesë hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit në Grykën e Rugovës, gjegjë- sisht nga një në Kuqishtë, Shtupeq e Rugovë dhe dy në Drelaj. Prodhim total vjetor do të ishte 150.000 MWh energji elektrike, e që do të siguronin mjaft energji për komunën e Pejës me rrethinë. Mirëpo, ky memorandum i nënshkruar në kohën e ish-kryetarit Ali Berisha, tani po kundërshtohet edhe nga vetë kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai ka thënë se projekti është në kundërshtim me Planin Zhvillimor të Komunës së Pejës për periudhën 2006-2025 dhe se i njëjti është kundërshtuar nga qytetarët e Pejës dhe shoqëria civile. Kryetari Muhaxheri ka thënë se ky projekt degradon komplet Lumëbardhin dhe se Gryka e Rugovës si atraksion për turizmin pejan nuk do të ishte më ajo që është. "Kush do të bindet në këtë që unë them, le të shkojë e të shohë se çfarë degradimi i është bërë Bistricës së Deçanit nga kjo kompani ku ka realizuar një projekt të ngjashëm", ka deklaruar kryetari Muhaxheri. Edhe zyrtarë të tjerë komunalë shprehen mospajtues me projektin. Engelbert Zefaj, zëdhënës i Komunës së Pejës ka thënë se Lidhur me këtë projekt dhe insistimin e kompanisë nga Austria, javën e kaluar është mbajtur edhe një takim te Kryeministri i Kosovës ku merrnin pjesë ambasadori austriak, Gernot Pfandler, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe përfaqësues të kompanisë austriake "KelKos Energy", më ç'rast palët i kanë mbrojtur qëndrimet e veta. "Kryetari ka mbrojtur qëndrimin e vet se nuk bën të realizohet projekt i tillë në Grykën e Rugovës, sepse e dëmton rëndë ekosistemin. Dëmton lumin, natyrën, dëmton florën dhe faunën", ka thënë Zefaj. Sipas tij, kryetari ka mbrojtur qëndrimin se kjo është një pasuri që nuk mund të shitet. 

Banorët, dyshues për projektin Ndërsa, Naim Sahiti, kryetar i degës së AAK-së në Pejë, ka thënë se si subjekt politik janë për realizimin e projekteve që janë shumëmilionëshe dhe në interes për qytetarët e Pejës. "Ky projekt në vlerë prej 120 milionëve do të gjeneronte vende pune dhe do të siguronte energji pothuaj për tërë komunën tonë dhe një gjë të tillë ne e përkrahim, por absolutisht nuk do të ishim për të nëse ky projekt degradon Kanjonin e Grykës së Rugovës dhe Lumëbardhin i cili është krenaria e këtyre Alpeve Shqiptare", ka thënë Sahiti për "Kosova Sot". Islam Husaj, kryesues i Kuvendit Komunal të Pejës, i cili vjen nga rajoni i Rugovës, thotë se projekti në fjalë do ta bënte të vdekur vlerën më të madhe të këtyre bjeshkëve, shtratin e Lumëbardhit. "A mund të paramendoni Grykën e Rugovës me një degradim aq katastrofal të shtratit të Lumëbardhit që mund t'i ndodhë me realizimin e këtij projekti", ka thënë Husaj. Një rugovas tjetër, Marin Kelmendi thotë se Kosova ka nevojë për energji alternative dhe për këtë e obligon edhe BE-ja. Ai thotë se nuk ka njohuri të mjaftueshme për këtë projekt për të cilin kompania dhe Komuna mund të organizonin një debat publik ku do të prezantohej projekti që parashihet të realizohet, se a do të ketë liqene akumuluese apo diç tjetër. "Unë jam për projekte zhvillimore, por assesi për degradime të ambientit që mund t'i ndodhnin. Fundja, fituesi real i këtij projekti do të jetë kompania e cila do të prodhojë dhe do të shesë energji elektrike. Andaj, duhet analizuar mirë projekti, të debatohet për të dhe të jepen garanci që ai nuk do të bëjë asnjë degradim të Grykës së Rugovës dhe Lumëbardhit, i cili ka një vlerë që nuk mund të matet me asnjë pasuri", thotë Kelmendi.

(Kosova Sot)