Pas takimit me Bashën, aleatët e PD do të priten nesër nga Vlahutin

  • 11 January 2017 - 21:54
Pas takimit me Bashën, aleatët e PD do të priten nesër nga Vlahutin

Lulzim Basha, kryetari i opozitës, përtej deklaratave publike që dha pas takimit me krerët e partive parlamentare dhe joparlamentare aleate në opozitë, duket se qëllim të vërtetë ka shtyrjen pafund të zgjedhjeve deri në mospjesmarrje.

Në takimin me dyer të mbyllura me krerët aleatë, ishin të pranishëm dhe dy nënkryetarët e PD Edi Paloka e Edmon Spaho, Sekretari i Përgjithshëm i PD Arben Ristani dhe bashkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi.

Në këtë takim kreu i PD Basha ka këmbëngulur fort se me Ramën kryeministër nuk ka asnjë shans për të fituar zgjedhjet.

Njëherësh kreu i opozitës nuk ka munguar të rendisë një për një të gjitha vështirësitë e opozitës për t’ia dalë të fitojë zgjedhjet e 18 qershorit, ndërsa ka menduar të vendosë dhe kushtin e penegociushëm të votimit elektronik. 

Ndonëse nga aleatët është cilësuar si një kusht maksimalist dhe që nuk ka bazë reale që të realizohet, vetëm nëse shtyhen zgjedhjet për një vit apo më tepër. Dhe pas kësaj, duhet provuar procesi pilot. Duke nënvizuar faktin se opozita rrezikohet të heqë dorë nga ky kusht për shkak të presionit ndërkombëtar dhe pamundësisë së realizimit.

Burime të brendshme brenda takimit bëjnë me dije se Basha ka qënë i vendosur në qëndrimin e tij, duke paralajmëruar madje dhe bojkot të Kuvendit.

Eshtë mbështetur fort jo vetëm nga Paloka, Ristani dhe Spaho por dhe nga kreu i PR Fatmir Mediu dhe aleatë të tjerë parlamentarë.

Vlen të theksohet se Basha takimin me partitë joparlamentare e ka bërë ndaras partive parlamentare.

Mësohet se qëndrimi i përgjithshëm i krerëve të partive parlamentare dhe Bashës në takimin e sotëm ka qënë çështja e mbështetje së listave të hapura, duke nënvizuar se është e rëndësishme mbështetja e kauzës së LSI.

Nga ana tjetër, mësohet se kreu i opozitës Basha ka thënë se qëndrimin e partive parlamentare dhe joparlamentare të opozitës do ia bëjnë me dije dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Nuk është përmendur takimi me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, por mësohet se Basha ka konfirmuar një takim me ambasadoren e BE në Tiranë Romana Vlahutin. Takim i cili pritet të zhvillohet në një ditë sa më të afërt. Pavarësisht se nuk ka një konfirmim të qartë, ajo që vlen të evidentohet, citon burimi brenda takimit, për t’u nënvizuar është fakti se Basha ka qënë i detyruar të “rikhehet” te Vlahutin.

Ndërkohë që nesër në orën 11. 30 krerët e partite aleate parlamentare të PD pritet të kenë një takim me ambasadoren e BE Vlahutin, me kërkesën e kësaj të fundit. Me sa duket deklaratat e PD për braktisje të zgjedhjeve nga ana e ndërkombëtarëve është marrë seriozisht.

Por ka pasur zëra brenda takimit, ku është nënvizuar se “takimi me kokëkuqen nuk do të arrijë asgjë”.

(Kosova Sot)