Vetëm 'Brezovica' humbet 50 milionë euro

  • 24 January 2017 - 07:40
Vetëm 'Brezovica' humbet 50 milionë euro

Investitorët u trembën nga qeveritarët mitëmarrës

Që nga paslufta e deri më sot, ekonomia në përgjithësi dhe buxheti i Kosovës kanë humbur miliona euro vetëm nga dështimi i të gjitha garniturave të pushtetarëve për të zhvilluar resorët e pasur turistikë të vendit. Ekspertë të fushës së turizmit, janë të mendimit se vetëm moszhvillimi i Qendrës rekreative dhe sportive të Brezovicës po i kushton buxhetit të vendit mbi 50 milionë euro gjatë një viti kalendarik. Për këtë ekspertët po ankohen se miliona euro po humbasin edhe nga asetet e tjera të vlefshme, por që janë të paaktivizuara në tërë Kosovën. Eksperti i fushës së turizmit, Zekë Çeku, tha për "Kosova Sot" se sikur të ishte privatizuar Qendra e Skitarisë (kapacitete ekzistuese), në Brezovicë, do të kishin efekt të vlerë- suar."Sepse vetëm të hyra nga fjetja do të ishin rreth 324.000 euro në muaj, ose rreth 4 milionë në vit. Sepse ajo do të punonte tërë vitin dhe do të kishte rreth 380 punëtorë të përhershëm dhe gjithashtu do të angazhonte rreth 180 shtretër alternativë ose në pronë të komunitetit lokal", tha ai. 

Investitorët u kthyen të zhgënjyer

Çeku është i mendimit se sikur të ndërtohej resori i pretenduar, në kapacitet prej rreth 4.500 shtretërve, vetëm nga akomodimi ose fjetja do të kishin këtë efekt të vlerësuar dhe të hollat e inkasuara do të ishin rreth 50 milionë në një vit. Kurse do të punonte tërë vitin dhe do të kishte rreth 4.100 punëtorë. Ai tha se, gjithashtu, do të angazhonte rreth 500 shtretër në pronësi të komunitetit lokal, kurse nga shërbimet e ushqimit këtyre parametrave duhet shtuar rreth 40 për qind të hyra të tjera, gjersa të hyra nga aktivitetet përkrahëse, plus 20- 25 për qind. Eksperti Çeku tregoi se ka pasur të interesuar nga investitorët e jashtëm për investime në ndonjë zonë të caktuar për turizëm dimëror. "Personalisht kam pasur kontakte me investitorë që kanë ardhur nga SHBA-ja dhe Kanadaja, kanë qenë disa biznesmenë shqiptarë me një kompani kanadeze. Ata kanë qëndruar rreth dy javë në rajonin e Deçanit, më pas janë kthyer tepër të zhgënjyer mbrapa. Ata kanë hulumtuar disa zona në Deçan dhe në rajonin e Bjeshkëve të Dragashit, por janë kthyer prapë të zhgënjyer", potencoi ai.

Dikur kishte mijëra vizitorë

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se mungesa e investimeve në fushën e turizmit nga të gjitha qeveritë e deritanishme është e pafalshme, sepse vetëm në 'Brezovicë' po të investohej do të kishte miliona euro nga ky sektorë. "Historikisht, në të kaluarën qendra më e zhvilluar ka qenë 'Brezovica', e cila në vitet e 70-ta ka qenë ndër qendrat më të njohura në ish-Jugosllavi. Ka pasur vizitorë të shumtë edhe nga Greqia e Turqia. Tash ajo është degraduar në masë të madhe". Grapci tha se zonat e tjera janë edhe Bjeshkët e Brodit e të Dragashit."Në atë zonë një operator ekonomik e ka krijuar infrastrukturën elementare, ku është ndërtuar një teleferik me kapacitete modeste, por funksional prej hotelit "Argjenda" deri në një pikë 1500 metra. Tash i kanë bërë edhe dy ski-lifte të vegjël. Faktikisht, tash për tash ata janë më të përgatiturit në Kosovë, por kanë kapacitete të vogla. Pra, ata nuk e kanë vetëm skijimin, mjaft e preferuar në atë zonë është edhe ecja në borë dhe hiking", ka thënë ai. Grapci sqaroi se pika e tretë që mund të vizitohet është edhe Boga, megjithëse me kapacitete mjaft modeste."Aty nuk ka teleferik, por skilift me gjatësi jo të madhe", tha ai.

Politika e dobët qeveritare

Analisti i ekonomisë në fushën e integrimeve evropiane, Ardian Nokaj, tha se politika jonë karshi tërheqjes së investitorëve në këtë sektorë më shumë është deklarative sesa e formësuar pozitivisht. "Deri më tash e kemi pasur një politikë burokrate. Ndoshta, për ta regjistruar një kompani më të vërtetë është lehtë, por nuk është problemi aty. Problemi është te burokracia. Për të ardhur një investitor i jashtëm duhet të humbë disa javë duke u rropatur dyerve dhe kudo që shkon nuk ka gatishmëri për ndihmë ", tha Nokaj. Ai thotë se pyetjet e para që ua shtrojnë investitorëve janë: "E unë ku jam në këtë hise?". "E ne... a ka diçka edhe për ne?". Sipas analistit Nokaj, gjërat po shikohen përmes interesave private. "Maqedoninë e marr shpesh si shembull, atje shteti ka bërë shumë për tërheqjen e investitorëve edhe në turizëm. Pranë zyrës maqedonase ekziston një zyrë e investimeve, investitorët e interesuar, pa marrë parasysh së cilës lëmi, në atë zyrë e marrin një listë me të gjitha informatat detale", tha ai. Analisti Nokaj sqaron se në momentin që investitori tregon interesim më të madh i ofrohen të gjitha mundësitë që ta kompletojë dokumentacionin dhe kur të dorëzohet ai troket vetëm në një derë, ata vetëm pastaj i zgjedhin gjërat në raporte institucionale. 

Potenciale të mëdha natyrore

Deputeti i opozitës, Bali Muharremaj (AAK), tha se është për keqardhje ajo që po na ndodh me fushën e turizmit, sepse Kosova ka potenciale shumë të mëdha për zhvillimin e turizmit dimëror dhe verorë, mirëpo shteti i Kosovës e veçanërisht kjo garniturë që ka qeverisur në dekadën e fundit, por edhe Qeveria aktuale nuk e kanë idenë se çka është turizmi."Kosova i ka potencialet më të mira në Evropën Juglindore për turizmin verorë dhe dimëror, mirëpo potencialet e tilla nuk janë valorizuar pasi që ky sektor nuk mund të zhvillohet, ngase zyrtarët shtetërorë as që e kanë idenë se çka është përfitimi nga turizmi", tha ai."Për nga aspekti i turizmit, Republika e Kosovës ndahet në 5 rajone turistike dhe secili nga këto rajone ka veçoritë e veta atraktive. Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si rajonet kryesore turistike në Kosovë", tha Muharremaj. Zyrtari i MTI-së, Hysen Sogojeva, shef i Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në një prononcim të mëhershëm për gazetën, ka mohuar akuzat ndaj institucioneve dhe konsideron se përpjekjet në këtë drejtim nuk mungojnë."Është e drejtë e çdokujt të thotë, por nuk ka injorime. Me gjithë kapacitetin tonë po mundohemi në këtë drejtim", ishte shprehur ai. Sipas tij, në Kosovë kanë qëndruar disa turistë nga Çekia dhe Sllovenia, të cilët kanë ndihmuar gjatë përgatitjes së planit të veprimit 2015-2020, plan ky që konsiderohet avancues për zhvillimin e turizmit në Kosovë. 

(Kosova Sot)