I preferuari i Serbisë rikthehet në dialogun e Brukselit

  • 24 January 2017 - 07:50
I preferuari i Serbisë rikthehet në dialogun e Brukselit

Kapitulli i kompromiseve ende nuk është mbyllur

Pavarësisht faktit që në vazhdimin e ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, niveli i përfaqësimit në takimin e radhës është ngritur me ballafaqimin e drejtpërdrejtë të krerëve të shteteve, kryeministra dhe presidentë, përfaqësues të partive politike dhe njohës të deritanishëm të këtij procesi të filluar mbrapshtë, nuk presin se do të ketë ndryshime dhe përfitim në interes të Kosovës, veçmas me përfshirjen e presidentit në dialog. Ky skepticizëm vjen nga fakti se presidenti i tanishëm, Thaçi, është pikërisht ai që e udhëhoqi procesin jotransparent për tërë këto vite, për çka e bëri edhe të dështuar. Sipas njohësve të rrethanave, do të duhej rishikuar gjithë përbërja e këtij ekipi, duke pasur një ekip të zgjeruar uniteti në këtë proces me shumë rreziqe për Kosovën. Po ashtu, kërkohet që pala kosovare të marrë guximin dhe në këtë agjendë të re t`ia përmendë palës agresore edhe dëmet e luftës, sepse pa u zgjidhur problemi i kompensimit të dëmeve të luftës dhe të zhdukurve nuk duhet vazhduar të bëhen marrëveshje vetëm në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës. "Thaçi po përfshihet në bisedime me kërkesë të Serbisë, sepse është njeriu i preferuar i saj, është ai që ka nënshkruar çdo marrëveshje që i është vënë në tavolinë, është ai që, përmes këtyre marrëveshjeve, e ka rikthyer Serbinë në Kosovë. Nuk ka asnjë dilemë se rikthimi i Thaçit në tavolinën e bisedimeve është plan i Serbisë. Jo moti vetë Beogradi pati deklaruar se Thaçi është njeriu i preferuar i Serbisë për bisedime me Kosovën. Tashmë këto bisedime, pas një pauze, po rikthehen në një proces shumë të rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës", theksoi deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Kamuflimi i dështimit

Analisti politik, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku thotë se edhe përkundër këtij ndryshimi të madh të përfaqësimit të tanishëm në këtë dialog, rekomandimet për ndërprerjen e formatit aktual të dialogut Kosovë - Serbi kanë qenë e vazhdojnë të jenë më të fuqishme, sesa kyçja edhe e presidentit Hashim Thaçi në të. "Presidenti i vendit i ka disa kompetenca kushtetuese sa i përket përfaqësimit të shtetit jashtë, mirëpo përfshirjen e tij në formatin aktual të dialogut Kosovë - Serbi nuk arrij ta gjej në asnjërën nga ato kompetenca si duhet e sa duhet. Shkuarja e presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel kamuflon dështimin dhe denormalizimin e marrëdhënieve mes palëve", ka thënë ai. "Vazhdimi i këtij dialogu, e me këtë format nuk është i dëmshëm vetëm për lehtësuesin, e që është BE-ja, dhe për Serbinë, e cila e nxori maksimumin nga ky dialog, kurse për Kosovën e ka humbur kuptimin. Pas ndërprerjes dhe një pauze, e cila do të ishte periudhë matëse të asaj se çka është realizuar e çka jo, mund të mendohet për formatin dhe mënyrën e re të bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë", tha analisti Albinot Maloku.

Procesi për së mbrapshti

Profesori i së Drejtës, Riza Smaka konsideron se gjithë procesi i deritanishëm ishte dizajnuar dhe zhvilluar për së mbrapshti. "Dialogu i deritanishëm, nga fillimi ishte dështak, përderisa drejtohej nga z. Edita Tahiri, e cila pothuajse të gjitha marrëveshjet kosovare - serbe qartazi në disfavorin e vendit tonë, i proklamonte të suksesshme! Madje, edhe fusnotën e shëmtuar antikushtetutare. Rrjedhimisht, në dialogun kosovar - serb, strukturat e delegacioneve, së pakut në këtë fillim, pritet të jenë të niveleve shtetërore më të larta", theksoi ai. "Megjithatë, apriori nuk mund të priten kthesa kualitative në favorin e vendit tonë, së paku deri në trajtimin e temave konform me reciprocitetin e palëve në dialog, ngase vetëm ndërrimi i personave të niveleve funksionale më të larta nuk e afekton përmirësimin në atë drejtim. Nëse z. Thaçi e z. Mustafa nuk insistojnë fuqishëm, ultimativisht dhe nuk arrijnë që së pakut në vijim dialogu kosovar - serb të zhvillohet konform me reciprocitetin e palëve në dialog, defektet e të njëjtit pashmangshëm do të ishin të njëjta me pjesën e deritashme të atyre bisedimeve politike", ka pohuar Riza Smaka. Ai tani fillimin e këtij procesi të ri e sheh me peshë vetëm nëse do të kishte marrë bekimin dhe obligimin e ri për më shumë përgjegjësi dhe transparencë përballë qytetarëve dhe Kuvendit të Kosovës. "Vijimi i dialogut kosovar - serb është për t'u mbështetur, por me kushtin ultimativ, që do të bazohej në reciprocitetin e palëve në bisedime", theksoi Smaka. 

Dialogu me agresorin

Sipas analistit politik Blerim Burjani, pavarësisht se kush do të ishte tani në këtë proces te ringjallja e dialogut me Serbinë pas një pauze të gjatë, temat e bisedimeve do të duhej ndryshuar, duke i imponuar ato vetë pala kosovare si palë e dëmtuar nga lufta përballë agresorit serb. "Së pari, bashkësia ndërkombëtare në rend të parë është dashur që ta shpallë Serbinë agresore dhe përgjegjëse për viktimat civile dhe shkatërrim të pasurive publike dhe private, por nuk e ka bërë këtë , dhe tani për këtë arsye Serbia është palë e barabartë me Kosovën në dialog, e që realisht nuk do të duhej të ishte kështu. Pra, edhe dialogu është ndërtuar nga ndërmjetësuesi në suaza të një barazie në mes të agresorit dhe viktimës, dhe pikërisht prej kësaj mënyre të trajtimit del kjo gjendje që ka mbretëruar deri më sot në këtë dialog", u shpreh ai. "Pala kosovare është sjellë në mënyrë të çuditshme në trajtimin e dialogut, s'ka pasur seriozitet fare se si të ndërtohet një ekip kredibil i ekspertëve dhe një ekip i përbërë politik me përfaqësim të gjerë pozitë -opozitë. Pra, ekip kosovar do të duhej të ishte i ndarë në pjesën politike, ku marrin pjesë liderët, dhe pjesën e ekspertëve profesionistë dhe ekspertë akademikë, dhe kjo kështu do të mundë të funksiononte në mënyrë kredibile", vijoi më tutje ai. "Në agjendën e deritanishme të dialogut mund të thuhet lirisht që Thaçi ka bankrotuar politikisht me fusnotën që është pranuar, përderisa Edita ishte vetëm një asistent teknik, në këtë dialog të deritanishëm të drejtuar kryesisht nga Thaçi për palën kosovare, ngase të gjitha gjërat janë orientuar nga Thaçi", tha Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)