Kosova në mjegull

  • 16 February 2017 - 07:36
Kosova në mjegull

Pritjet po përmbysen, sundimtarët po forcohen, populli po varfërohet,shkruan  gazeta Kosova Sot.

Republika e Kosovës, edhe pse në përvjetorin e nëntë të funksionimit si shtet i pavarur dhe në prag të 18-vjetorit të çlirimit nga okupatori serb, ende është me shtetësi të pakonsoliduar, të izoluar dhe me një qeverisje dhe opozitë, që akoma mendon dhe punon vetëm për klientelën e saj. Kosova jo vetëm që ngeci në zhvillim, por për më keq, u shndërrua nga vendi më optimist, që ishte në rajon dhe botë, në vendin më pesimist, ku shpresa e vetme për shumicën e qytetareve është emigrimi në vendet e BE-së dhe ato tej-oqeanike. Analisti politik dhe prof. universitar, Nexhmedin Spahiu, thotë se për këtë zhgënjim të madh qytetar barrën e përgjegjësisë e bart klasa politike në pushtet, e cila edhe e mori këto vitet e fundit një ndëshkim de fakto nga ikja masive e qytetarëve jashtë vendit. "Goditja më e madhe që mundesh me ia ba një personi apo një kombi është me ia humbë shpresën. Fatkeqësisht kjo Qeveri e ka bërë një gjë të tillë, që në momentin e krijimit. Prandaj, ishin mbi 100.000 qytetarë që braktisën Kosovën që nga momenti i krijimit të kësaj Qeverie", tha për "Kosova Sot" analisti Spahiu.

Dëshpërim dhe zhgënjim

Analisti Florim Zeqa pohon se para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, shpresat dhe optimizmi i qytetarëve ishin maksimale, por zhgënjimi ishte po aq i madh sa ishte shpresa për ndryshime pozitive. "Të gjithë e prisnin, që pas shpalljes së pavarësisë, gjegjësisht me marrjen e kompetencave nga ndërkombëtarët, shteti ynë do të marrë të mbaren e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare. Arsyet pse edhe ky përvjetor po e gjen Kosovën me shtetësi akoma të pakonsoliduar sa duhet, të izoluar dhe me një qeverisje të keqe dhe opozitë të çakorduar janë të shumta. Për fatin e keq të vendit dhe qytetarëve, pikërisht në prag të shpalljes së pavarësisë, në pushtet erdhi klasa më e papërgjegjshme e politikanëve injorantë, të korruptuar dhe kriminalizuar deri në fyt. Si pasojë e kësaj, pas 17 shkurtit 2008, nga viti në vit shpresat e qytetarëve filluan të zbehen në shtetin, për të cilin u prit gjatë dhe u sakrifikua shumë", theksoi Zeqa. Sipas tij, në veçanti, pas zgjedhjeve të vitit 2014, pushtetarët nga drejtues shtetërorë u shndërruan në përbindësha të gjithçkaje në Kosovë, duke menduar vetëm për vetën dhe klientelën e saj. "Duke vrapuar pas parasë dhe pasurimit të paligjshëm, përveçse e lanë në harresë të plotë popullatën e varfër, ia humbën edhe shpresat për jetë në vendlindjen e tyre, ku shpresa e vetme për shumicën e qytetarëve është emigrimi drejt vendeve të BE-së, Amerikës dhe Australisë së largët. Pra, 9-vjetori i pavarësisë, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, përveç varfërisë dhe humbjes së shpresave për jetë në Kosovë, karakterizohet me 9 vite dëshpërim dhe zhgënjim në keqqeverisjen e vendit" potencoi më tutje Zeqa.

Instalimi i qeverisjes antipopullore

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, Kosova dhe populli shqiptar shkuan fillimisht në luftë me një optimizëm të lartë për fitore dhe shtetndërtim të ri, u bë mobilizim i përgjithshëm dhe me luftën e drejtë të UÇK-së, të përkrahur nga SHBA-ja dhe NATOja, në vitin 1999, arriti Kosova të çlirohet, por pas përfundimit të kësaj lufte të drejtë, sa edhe të përgjakshme, në institucionet e shtetit u instalua mafia, e cila po e ngulfat dhe pamundëson perspektivën zhvillimore për shumicën qytetare. "Pas luftës u vazhdua me një vullnet të çeliktë. U bënë investime të mëdha dhe u rikthyen shumë qytetarë të emigruar në botën e jashtme, në Kosovë. Ata filluan punën dhe investuan shumë. I ndërtuan shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara nga bombardimet e Serbisë. U hap një perspektivë. Dhe, me shpalljen e pavarësisë, tash që po e festojmë, menduam se kemi arritur dhe do të realizohet një shtet ligjor, i lirë dhe demokratik, por ndodhi e kundërta", u shpreh Kelmendi. Sipas tij, vendi u kap nga njerëzit e ndryshëm dhe gradualisht u shndërrua në një vend pa perspektivë, ku sundon korrupsioni dhe krimi politik e ekonomik. "Tërësisht u instalua në skenën politike një qeverisje antipopullore dhe e njëjta e zhvilloi punën, duke u mbështetur në përfitime grupore, partiake dhe individuale. Shteti u shndërrua në një mjet për përfitime. U shkua deri atje që të diskutohen dhe nënshkruhen në Bruksel edhe një pako e tërë e marrëveshjeve të dëmshme për vendin tonë. Tani të gjendur para këtyre kërcënimeve dhe shantazheve për krim dhe korrupsion u fut pushteti në një veprimtari të dëmshme. Tërë vendi po lëngon nga punët e dëmshme", theksoi prof. Kelmendi.

Sovraniteti i cenuar

Sipas analistit politik, Blerim Burjani, shteti i Kosovës ka mbetur në një transicion të thellë me probleme të funksionimit të rendit dhe ligjit, dhe përderisa 75 % kontrollohet edhe është nën sovranitet territori i shtetit, 25 % e territorit kontrollohet nga serbët lokalë përmes Serbisë. "Megjithatë, shteti i Kosovës është shtet me qëndrueshmëri financiare dhe me qeverisje financiare deri më tash pozitive, që ka shumë edhe anët pozitive të funksionimit të bazamentit të shtetit, por ka ngecje në shumë reforma, që do të duhej realizuar për zhvillim të qëndrueshëm dhe perspektivë qytetare. Kosova duhet reformuar gjyqësinë sa më parë, dhe duhet forcuar ndjenjën e shtetësisë, që më shumë të mendojnë qytetarët për perspektivën në vendin e tyre. Kjo mund të bëhet vetëm nëse të gjithë vetëdijesohen dhe të gjithë të punojnë për shtetin", theksoi ai. "Qeveria kohëve të fundit ka bërë përpjekje të argumentojë rritjen e punësimit, e cila është tani për tani një ngecje katastrofale, por as këtu nuk po duket ndonjë sukses, efekt i prekshëm. Pra, ka gënjeshtra dhe përpjekje për t'i shtrembëruar të dhënat për punësimin në vend, i cili është mjaft problematik. Pikërisht kjo ngecje po i shtyn njerëzit që për çdo ditë të ikin në shtetet e tjera për të gjetur punë dhe mirëqenie. Kjo ikje nga shteti vjen, pikërisht për shkak të humbjes së shpresës nga dominimi i punësimit partiak nëpër ndërmarrjet publike, për shkak të pranimit nëpër universitete publike etj, etj...", tha Burjani. Edhe prof. Jeton Kelmendi është shumë skeptik në pritjen që përvjetorët vijues të shënojnë ndryshime më pozitive me këtë klasë politike që tani e kemi në institucione. "Kosovën do ta gjejnë edhe shumë përvjetorë të pabërë shtet normal, përderisa të sundohet nga kjo kastë politike e komandantëve, derisa të sundohet prej të korruptuarve dhe pseudopatriotëve", u shpreh Kelmendi. Sipas tij, janë pikërisht treshja e shefave të shtetit, që e kanë lënë vendin pa perspektivë zhvillimore, pa sovranitet të plotë shtetëror dhe pa ushtri deri më tani.
 

(Kosova Sot)