ZRrE-ja prezanton propozimin për strukturën tarifore

  • 24 March 2017 - 10:46
ZRrE-ja prezanton propozimin për strukturën tarifore

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka ftuar për sot të gjitha palët e interesuara të marrin pjesë në Seancën Publike Dëgjimore, për propozimin e Strukturës së re Tarifore.

Debati ka për qëllim që të prezantohet Propozimi i ZRrE-së për Strukturën Tarifore dhe të gjitha palët të kenë mundësi të shtrojnë pyetje dhe të japin komentet e tyre në lidhje me propozimin e ZRrE-së për strukturën e propozuar, raporton Kosova Sot Online.

ZRrE ka vendosur që të rishqyrtoj strukturën aktuale tarifore duke pasur si synim që tarifat e ardhshme të jenë sa më të thjeshta për ti kuptuar për të gjithë konsumatorët dhe të bëhen përshtatjet e nevojshme me rrethanat e reja të krijuara në sektor pas kërkesave ligjore për liberalizim të tregut.

Parimet kryesore lidhur me dizajnimin e strukturës tarifore me pakicë në sektorin e energjisë elektrike janë se tarifat duhet të jenë të arsyeshme, transparente, të kuptueshme, të pasqyrojnë kostot dhe të nxisin konsum efiçient.

ZRrE-ja pas rishikimit të strukturës ekzistuese tarifore, paraqet edhe propozimet për një strukturë të re tarifore për konsumatorët fundorë. Kështu propozimi i ri paraqet ndryshime të rëndësishme për konsumatorët fundorë, e në veçanti për ata familjarë, të cilët edhe ashtu kanë një strukturë më komplekse se kategoritë tjera të konsumatorëve fundorë.

Një nga ndryshimet esenciale të propozuara është largimi i tarifave sezonale, ku në këtë rast, tarifat do të jenë të njëjta pavarësisht sezonës së konsumit (verë apo dimër) dhe do të përfshijnë të gjithë konsumatorët fundor. Ky propozim vie si rezultat i ndryshimeve minimale të kostove të furnizimit në mes të sezonit dimëror dhe veror.

Përveç kësaj, gjithashtu do të thjeshtëson të kuptuarit dhe lehtëson mënyrën e kalkulimit nga ana e konsumatorëve dhe furnizuesit. Si rezultat i këtij ndryshimi, konsumatorët fundorë do të kenë një çmim të pandryshuar në aspektin sezonal, për çdo kWh të shpenzuar.

Ndryshimi tjetër i propozuar përfshinë vetëm konsumatorët familjarë dhe ka të bëjë më heqjen e blloqeve tarifore në bazë të nivelit të konsumit. Një parim tjetër i cili duhet të respektohet është konsumi efikas i energjisë, përmes vendosjes së mekanizmave që nxisin kursimin. Për të pasqyruar një shfrytëzim efikas të energjisë gjatë kohës së ngarkesës maksimale (pikut), propozohet që të mbesin në fuqi tarifat ditë/natë. Në këtë mënyrë do të ketë një nxitje për konsumatorët që të zhvendosin një pjesë të konsumit nga koha e pikut (ditën) 4 në kohën kur ngarkesa në sistem është më e ulët (natën). Tarifa gjatë ditës do të jetë më e lartë (tarifë e lartë) dhe do të jetë në mes të orës 07:00 – 22:00, ndërsa tarifa gjatë natës do të jetë më e ulët (tarifë e ulët) dhe do të jetë në mes të orës 22:00 – 07:00.

Ndryshimi i fundit në propozimin për strukturën e re tarifore ka të bëjë me tarifën fikse e cila do të ulet për konsumatorët familjarë nga 2.5 € në 1.8 €.

(Kosova Sot)