"Kosova Sot", pishtare e lirisë dhe e shprehjes së lirë

  • 25 March 2017 - 07:49

NË 18-VJETORIN E DJEGIES SË REDAKSISË DHE SHTYPSHKRONJËS SË "KOSOVA SOT"(4)

Xhevdet Neziraj: Gazeta lidere është duke e luftuar korrupsionin, kkrimin e organizuar dhe mafinë politike 

Përfaqësues të qytetarëve, ekspertë të fushave të ndryshme, shprehen se gazeta "Kosova Sot" që nga themelimi ka qenë një dritare e informimit korrekt, e cila ka arritur dhe po vazhdon ta përmbushë misionin e një gazetarie profesionale, të pavarur dhe të paanshme. Ata shprehen se "Kosova Sot" vazhdon të mbetet gazeta numër një në përkushtimin e luftimit të dukurive negative në Kosovë. Sipas tyre, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shumë të fuqishme në Kosovë për shumë vite rresht, kurse "Kosova Sot" ka qëndruar përballë, duke i luftuar këto dukuri, që po e degradojnë shtetin e Kosovës

Prof. Dr. Hakif Bajrami

"Kosova Sot" për mua është një abetare, të cilën e lexoj që nga lindja e saj. Them të vërtetën jo për shkak të ndonjë sentimintalizimi, por kur është djegur shtypshkronja e "Kosova Sot" mua më kanë rrjedhur lotët, sepse ne jemi rritur me shtypshkronja me gazeta, me libra, me studime e hulumtime e me konkluza herë të drejta e herë jo të drejta. Por, gjithmonë nga një hap apo gjysmë, e nga një herë edhe me dy hapa përpara. Mendoj se "Kosova Sot" po e kryen misionin e vetë kombëtar që nga fillimi e deri më sot, duke kritikuar çdo të keqe që ka ndodhur në shoqërinë tonë, duke lavdëruar çdo element që është në interes të njeriut, të popullit, kulturës dhe të civilizimit. "Kosova Sot" për mua është një gazetë e meritueshme, për arsye se këtu unë, edhe pse e mbaj një gradë të lartë shkencore, kam kontribuar edhe mbaj rekordin në gazetarinë shqiptare me 239 vazhdime në një fejton, përkundër shumë fejtoneve të tjera, që janë diku mbi 50. Në atë fejton kam arritur t'i prezantoj të gjitha dokumentet sekrete për demonstratat e viti 1981, që ishin kthesë vendimtare, që shqiptarët të rreshtoheshin drejt shkatërrimit definitiv të Jugosllavisë. Drejtë rreshtimit në rrugën e mësuesit të madh të kombit Adem Demaçit, drejt lindjes në skenën historike shqiptare, ballkanike, evropian dhe botërore të komandantit Adem Jashari. Është nder të punosh në "Kosova Sot", është privilegj për çdo lexues sepse në "Kosova Sot", mësohet kritika dhe të jemi tolerant ndaj njëri- tjetrit. "Kosovës Sot" i uroj sukses në lëvrimin ardhmërisë, në kujtesën për të kaluarën e për të sotmen dhe për të marshuar drejt ardhmërisë.

Shukri Buja, deputet nga PDK-ja

Gazeta "Kosova Sot" kryente misionin e saj fisnik të informimit të drejtë të lexuesit dhe krijoi opinionin liridashës jo vetëm shqiptar dhe kjo bëri të ndalohej, dënohej, e edhe të digjej e shkatërrohej por ajo u rishfaq më e konsoliduar, edhe më e përgatitur, duke nisur rrugë- timin bashkë me lirinë, pastaj në përgatitjen e opinionit për shpalljen e pavarësisë dhe po rrugëton në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ata që e dënuan dhe i shkaktuan dëme gazetës si Vuçiq nuk duhet të takohen institucionet tona me të se është kriminel, atë duhet ndjekur gjykatat e Kosovës, Prokuroria Speciale e Kosovës! Ju duhet ta përsërisni padinë derisa institucionet tona të drejtësisë të kthjellen dhe të marrin veprimin që e kanë për detyrë ndjekjen dhe dënimin e kriminelëve, derisa të arrihet kompensimi material i dëmit të shkaktuar. Veproni ju lutem ju dhe ne kundër të keqes të mos na bëhet vonë. Suksese në punën tuaj fisnike.

Xhevdet Neziraj (ish-deputet i Kuvendit të Kosovës)

Është shumë e vërtetë se gazeta "Kosova Sot", është pishtare e lirisë dhe e shprehjes së lirë, dhe kontributi në informim i kësaj gazete ka qenë në të gjitha periudhat dhe është edhe sot. Përveç kontributit që ka dhënë në librat shkollor dhe informimin në kohë më të vështira, ajo edhe sot është duke informuar opinionin në mënyrë të drejtë dhe të pavarur edhe për situatën e tanishme në Kosovë. Pra, gazeta "Kosova Sot" është duke e luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe mafinë politike.

Nikë Shala, avokat

Gazeta "Kosova Sot" që nga themelimi ka qenë një dritare e informimit korrekt në Republikën e Kosovës e cila ka arritur dhe po vazhdon ta përmbushë misionin e një gazetarie profesionale, të pavarur dhe të paanshme, duke i informuar qytetarët drejtë dhe në mënyrë objektive për ngjarjet në vend dhe në botë. Si avokat me përvojë shumëvjeçare shpreh konsideratën time për punën dhe vlerësoj lart rolin dhe kontributin e gazetës "Kosova Sot" në shoqërinë tonë. Unë kafen e mëngjesit e filloj me gazetën numër një në tregun e shtypit ditor ngase jeni të parët që i informoni lexuesit saktë në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e sistemit të drejtë- sisë, edhe pse si gazetë jeni ballafaquar me sfida para, gjatë dhe pas luftës, ju çdoherë në mënyre të suksesshme keni tejkaluar çdo pengesë, andaj stafit të kësaj gazete, themeluesit zotëri Ruzhdi Kadriu dhe ekipit ju uroj punë të mbarë, dhe jam thellë i bindur se do të vazhdoni me këtë ritëm duke dëshmuar guxim profesional dhe informim të drejtë. Përgëzim për kontributin tuaj në kohën para, gjatë dhe pas luftës në luftimin e fenomeneve negative dhe informimi i opinionit në lidhje me ngjarjet në të gjitha periudhat.

Xhevat Meha, ekspert financash

Ka shumë vite që Kosova është duke përjetuar zhvillime negative siç janë niveli shumë i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gazeta "Kosova Sot" për shumë vite rresht sa unë kam qenë aktiv në përcjelljen e qëndrimeve mediatike ka qenë dhe vazhdon të mbetet gazeta numër një në përkushtimin e luftimit të këtyre të këqijave të Kosovës. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shumë të fuqishme në Kosovë për shumë vite rresht, kjo e vërtetuar me raportet e institucioneve të jashtme që konsiderohen si të pavarura nga zhvillimet në Kosovë. Kur krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të fuqishme për shumë shumë vite rresht nënkupton se strukturat kriminale janë shumë organizuara mirë, janë shumë të konsoliduara. Dalja përballë strukturave kaq të fuqishme që e kanë shumë të konsoliduar funksionimin e tyre është në të vërtetë dhënia gjithçkaje nga vetja për të mirën e Kosovës. Gazeta "Kosova Sot" për shumë vite është duke u dalë përballë në vazhdimësi këtyre strukturave kaq të fuqishme. Përgëzime dhe i lumtë gazetës "Kosova Sot".Ka shumë vite që Kosova është duke përjetuar zhvillime negative siç janë niveli shumë i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gazeta "Kosova Sot" për shumë vite rresht sa unë kam qenë aktiv në përcjelljen e qëndrimeve mediatike ka qenë dhe vazhdon të mbetet gazeta numër një në përkushtimin e luftimit të këtyre të këqijave të Kosovës. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shumë të fuqishme në Kosovë për shumë vite rresht, kjo e vërtetuar me raportet e institucioneve të jashtme që konsiderohen si të pavarura nga zhvillimet në Kosovë. Kur krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të fuqishme për shumë shumë vite rresht nënkupton se strukturat kriminale janë shumë organizuara mirë, janë shumë të konsoliduara. Dalja përballë strukturave kaq të fuqishme që e kanë shumë të konsoliduar funksionimin e tyre është në të vërtetë dhënia gjithçkaje nga vetja për të mirën e Kosovës. Gazeta "Kosova Sot" për shumë vite është duke u dalë përballë në vazhdimësi këtyre strukturave kaq të fuqishme. Përgëzime dhe i lumtë gazetës "Kosova Sot".

LEXUESIT NGA GJAKOVA: NJË LINDJE E RE E NJË SHPRESE PËR INFORMIM TË PAVARUR

Jahja Koka, shkencëtar-astronom, profesor universitar

Kjo gazetë e pësoi para 18 vitesh, sepse ia pati dalë të bëhet lajmëtar i së vërtetës, lajmëtar i një të ardhme të mirë për shqiptarët e Kosovës. Kjo ishte e paimagjinueshme për pushtetin e atëhershëm serb dhe "Kosova Sot" e pësoi, por nuk u dorëzua. Edhe pas luftës, konsideroj se kjo gazeta me politikën dhe strategjinë e saj botuese ka arritur të balancojë publikimin e artikujve sensacionalë, të cilët mund të mos shprehin realitetin, por që sjellin lexueshmëri më të lartë dhe publikimin e artikujve realë, të cilët me konvencionalizmin e tyre nuk garantojnë lexueshmëri të lartë. Kur këtij faktori i shtohet imazhi dhe struktura përmbajtësore e kësaj gazete, e bëjnë atë me një perspektivë të ndritshme afatgjatë.

Artan Nimani, ligjërues fakulteti, këshilltar komunal

Dalja në dritë e gazetës "Kosova Sot" ka qenë një lindje e re e një shprese për informim të pavarur dhe kombëtarisht të qëndrueshëm... Momenti i botimit të numrit të parë për mua është momenti i një pluralizmi politik e medial në Kosovë. Në ditën kur u dogj redaksia dhe shtypshkronja e "Kosova Sot" isha në frontin e luftës ku lajmet arrinin me mjaft vështirësi, por, megjithatë u informuam për fatin e kësaj gazete. Sinqerisht na u dhimb shumë, por ishim të bindur se këto janë shenjat më të mira për fillimin e fundit të sundimit serb në Kosovë, gjë që edhe ndodhi. Sot "Kosova Sot" vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të informimit të drejtë. Për mendimin tim, ka arritur që të tejkalojë edhe veten në ruajtjen e paanësisë dhe profesionalizmit. 
U DOGJ, POR NUK U GJUNJËZUA

Saranda Hyseni, këshilltare komunale

Ka diçka të përbashkët në mes të qytetit tim, Gjakovës dhe gazetës "Kosova Sot". Në qytetin tim, më 24 mars 1999 u dogj deri në themel pjesa më emblematike e tij, Çarshia e Madhe, e të njëjtën ditë u dogj edhe kjo gazetë dhe shtypshkronja e saj. Të dyja këto paraqitshin një vlerë të pakontestueshme, e para të një trashëgimie kombëtare ndërsa e dyta të një informimi të ri, të drejt dhe real. "Kosova Sot" këto vlera i ruajti dhe i begatoi edhe më shumë në periudhën e pasluftës e deri në ditët e sotshme. Edhe pse, neve si parti (AAK) shpesh na keni kritikuar, nuk ju kemi hidhëruar, pasi ato kritika i kemi konsideruar si qëllimmira. Jeni shquar për një informim korrekt nga aktivitetet tona si atëherë kur kemi qenë në pushtetin lokal ashtu edhe tash ku jemi opozitë në këtë pushtet. Uroj që të vazhdoni këtë qasje profesionale.

Migena Arllati, profesoreshë, studiuese

Në tregun tonë medial, "Kosova Sot" nuk erdhi rastësisht, e po ashtu nuk vazhdon të qëndrojë rastë- sisht. Ajo u takon atyre medieve të konsoliduara, me një fizionomi të veten, e përditësuar me profesionalizmin dhe e pajisur me standardet e fjalës së lirë. Mu këtu qëndronte shkaku i veprimit vandal të forcave serbe ndaj kësaj gazete të ndërmarra para 18 vitesh. "Kosova Sot" me atë rast u dogj por nuk u gjunjëzua, që dëshmoi gjatë tërë periudhës së pasluftës, për gati dy dekada, duke krijuar një vizion të qartë dhe serioz, me besueshmëri të lartë tek lexuesit. Unë, si ish-gazetare e tash studiuese dhe aktiviste e shoqërisë civile, konsideroj se "Kosova Sot" tashmë nuk është thjesht një gazetë, por një dritare informative dhe sensibilizuese për çështje me rëndësi të posaçme në arealin tonë. Me ide të qarta në vetvete, i gjithë stafi i saj, kanë bërë që kjo gazetë të ketë bazamentin e një institucioni të vërtetë, që i shoqëroi shqiptarët në Kosovë për më shumë se 18 vjet me radhë, dhe vazhdon t'i shoqërojë ende duke u bazuar në etikën morale dhe profesionalizmin e lartë. Kjo gazetë nuk e harroi dhe nuk e devijoi "pushtetin" e saj mbi të vërtetën, ndaj për këtë arsye mori konfirmimin e lexuesve me një besueshmëri të lartë

Besim Mehmeti, profesor

Okupatori serb asokohe ishte i pamëshirshëm ndaj çdo subjekti apo individi, për të cilët vlerësonte se paraqesin rrezik për pushtetin e tyre të dhunshëm. Gazetën "Kosova Sot" ata e kishin vlerësuar si një ndër këto rreziqe, prandaj edhe ishin aq të pamëshirshëm ndaj saj, duke e djegur, por duke mos ia dalë ta gjunjëzojnë. Kjo gazetë gjatë gjithë periudhës së pasluftës po e kryen misionin e vet, si gazetë e pavarur, dhe po jep shembull për mediet e tjera. Nga "Kosova Sot" pres që të vazhdojë profesionalizimin dhe punën me përkushtim duke informuar me kohë dhe sa më objektivisht. Dëshirë e imja personale do ishte që "Kosova Sot" të mos mbetet vetëm gazetë kosovare, por t'i kaloj kufijtë administrativë. 

Skënder Gola, drejtor i Radio Gjakovës

Dalja e gazetës "Kosova Sot" para 18 vjetësh ishte një sihariq, pasi asokohe mbretëronte një nevojë, por edhe etje e madhe për informim sa më të plotë dhe sa më real, pasi gazetat ishin fare të pakta, ndërsa radio dhe televizion nuk kishte fare në Kosovë. Shumë shpejt u vërejt se "Kosova Sot" nuk paraqet vetëm risi në tregun medial të Kosovës, por paraqet edhe një begati të pakontestueshme. Kjo gazetë i ka të veçantat e veta, që janë shumë karakteristike dhe që shkojnë në favor të lexuesit, prandaj edhe është kaq e lexuar.

Edi Kastrati - aktor, drejtor i teatrit të Gjakovës

Dua ta pranoj se në natën e 24 marsit, ne në Gjakovë ishim vërtet në prag të një ferri të vërtetë. Në momente të tilla nuk të bie ndërmend asgjë, lufton vetëm për të shpëtuar kokën. Mirëpo, kur të nesërmen dhe të pasnesërmen mësova për "fatin" e gazetës "Kosova Sot" domosdoshmërish e tërhoqa një paralele në mes të asaj që kishte ndodh atë natë në Gjakovë dhe asaj që i kishte ndodh kësaj gazete. As njëra e as tjetra nuk kanë qenë të rastit. Çarshia e Madhe e Gjakovës është djegur, sepse ka paraqitur identitetin dhe traditën e këtij populli, gjëra që e kanë penguar pushtetin serb. Nga ana tjetër "Kosova Sot" e ka paraqitur modelin e informimit me interesa kombëtar, e, edhe kjo, kuptohet e ka penguar pushtetin serb. Prandaj u pagua ai çmim aq i lartë. Edhe në periudhën e pasluftës ngjashmëria në mes të këtyre dy ngjarjeve vazhdon. Çarshia e Madhe u ringjall u rindërtua dhe vazhdon të jetë pjesa më emblematike e Gjakovës, ndërsa "Kosova Sot" u ringrit në këmbët e veta, dhe e vazhdon me shumë sukses misionin e vet të informimit të shpejtë, real dhe të drejtë, atribute këto që vlerësohen lart nga opinioni publik.

Anton Shala, kryetar i BD të PSHDK në Gjakovë

Mbështetur në shkrimet që në "Kosova Sot" botoheshin kah fundi i vitit 1998 dhe fillimi i vitit 1999, nuk ka qenë e vështirë të parashikohet se pushteti serb, në rastin e parë që do t'i jepet, do t'i hakmerret kësaj gazete, gjë që edhe ndodhi duke filluar me dënimin drakonik prej 300 mijë markash, pastaj ndalimin e botimit e deri te djegia e objekteve të redaksisë dhe të shtypshkronjës. Historikisht është dëshmuar se orientimet e tilla kombëtare, çfarë ka pasur dhe vazhdon të ketë kjo gazetë, mund të paguhen shtrenjtë nëse "vjen dita" e hasmit. Ata e dogjën këtë gazetë, por nuk e zhdukën nga faqja e dheut çka synonin, pasi "Kosova Sot" u ringjall si feniksi dhe u bë për ditë e më e fortë dhe më dinjitoze.

Mahir Musliu, regjisor

Po "Kosova Sot" atëbotë ka qenë mediumi i vetëm, i cili raportonte nga vendi i ngjarjes dhe situatën e pasqyronte jo siç i konvenonte regjimit. Andaj, makineria vrastare e Milosheviqit iu sul gazetës me qellim hakmarrjen si përgjigje e aktivitetit informativ në terren. Pra, roli i gazetës ka qenë shumë i rëndësishëm, ndonëse në një situatë të tillë, njerëzit frikoheshin të bisedojnë ose të shkëmbejnë me njeri-tjetrin informata të ndryshme e lëre më që ato të bëhen publike nga një medium siç ka qenë "Kosova Sot". Të bëhesh zëri i drejtësisë në kohë lufte ka gjasa që kjo të të përpijë brenda vetes. Pastaj shtypshkronja ka qenë një fanar, ku shtypej memoria kolektive prej abetares deri tek librat shkencorë. Të gjitha këto atëbotë Vuçiqit nuk i kanë shkuar për shtati, pra nga një zëdhënës i gjenocidit në kryeministër liberal, nga një ministër i informatave të krimit - në një lider i ledhatuar nga bota demokratike.

Selatin Ademi, aktor

Gazeta "Kosova Sot" është një medium që në hapësirën për kulturën ka tema shumë të mira dhe merret me tema konkrete! Është gazetë ku kulturën, sidomos teatrin dhe filmin e ka në editorin e çdoditshëm!

Luan Kryeziu, regjisor

Gazeta "Kosova Sot", ndër ne, është identifikim për vërtetësinë e informacionit. Serioziteti dhe profesionalizmi i gazetës "Kosova Sot" ka dhënë mjaft dëshmi që është mediumi i rrallë, nga i cili buron informacioni i parë dhe i vërtetuar. Ne jemi rritur me informacionet e kësaj gazete, kemi kaluar sfida të vështira, kemi vuajtur bashkë dhe jemi gëzuar së bashku. Për mua, gazeta "Kosova Sot" është medium, i cili u përmbahet kritereve edukative, arsimore në mënyrën më moderne dhe të kulturuar. Kjo gazetë, jorastësisht ka besimin e opinionit për vërtetësinë e lajmit, E them këtë bazuar në sakrificën e saj maksimale për të ardhur deri te informacioni i saktë dhe plasimi i tij, që nga koha e luftës e deri më sot. Prandaj, kontributi i kësaj gazete është mjaft poliedrik dhe vështirë të sqarohet në pak rreshta shkrimi.

SPORTISTËT: TENDENCË PËR TA NDALUR TË VËRTETËN

Arsim Plepolli (analist)

Sigurisht që mbas gjithë atyre torturave që i kemi pasur, ajo ditë e 24 marsit na ka dhënë shpresë të gjithë shqiptarëve kudo që kanë qenë. E vetmja mënyrë që t'i ikim agresorit ka qenë ajo mënyrë me bombardime. Serbët duke e parë punën që po bëni, donin të zhduknin gjithçka. Respekt për ju dhe gazetarët se e di që është një punë shumë e mundimshme po ju përgëzoj për mundin dhe angazhimin që e bëni me lajmet e juaja. Unë mund vetëm t'ju dëshiroj punë të mbarë dhe dashtë Zoti që gjerat të tilla mos të përsëritëm më. Shpresoj se mundi i kësaj gazete të shpaguhet.

Fitim Kasapi (futbollist)

24 marsi është një ngjarje, që nuk do të harrohet kurrë. Unë personalisht kam vetëm fjalë të mira për gazetën tuaj. Sa u përket dëmeve që u janë shkaktuar gjatë luftës kjo tregon punën e madhe që ka bërë gazeta atë kohë dhe okupatori nuk ka mundur të përballojë. E di që edhe sot përballeni me shumë probleme dhe tendenca për ta ndalur të vërtetën, por deri tash kjo nuk ka pasur ndikim te ju dhe besoj të vazhdoni kështu.

Taulant Dajaku (futbollist)

24 marsi është nga ato ditët kur në kohë vdekjesh e frike e maltretimi ka një shpresë të madhe edhe ashtu doli. Ishte moment triumfi, sado që serbët tentonin të zhduknin çdo gjë shqiptare si në rastin e gazetës suaj, e cila paraqiste realitetin e dhunës së tyre, nuk ia dolën dot. Ata dogjën gjithçka, e dogjën edhe gazetën tuaj, por e vërteta nuk u zhbë. Mendoj se do jetë në kujtimet e çdo qytetari të Kosovës si data kur nga frika për jetën bombardimet e NATO-s sollën entuziazëm për triumf ndaj të keqes që po jetonim nga dhuna dhe persekutimi serb.

Alban Veseli, basketbollist

Normalisht se e drejta dhe drejtësia i ka penguar regjimit serb, andaj nuk jam i befasuar që shtypshkronja e kësaj gazete është bombarduar nga Serbia. Këtij regjimi i ka penguar vetëm e vërtetë dhe për këtë arsye ka dashur që kjo gazetë të zhduket, megjithatë nuk ia ka arritur qëllimin, sepse edhe sot e kësaj dite funksionon me shumë sukses. Shpresoj se do të ketë edhe shumë vite së funksionuar dhe do të vazhdoj në informimin e drejtë siç ka vazhduar deri më tani. 

Samir Zekiqi, basketbollist

Sportistët gjithmonë kanë pasur hapësirën e tyre të veçantë në këtë gazetë dhe natyrisht se ne jemi shumë të lumtur. Kjo na motivon edhe më shumë për të pasur suksese e një meritë shkon edhe për gazetën e juaj. Shpresoj se edhe me tej do të vazhdojë të punojë në këtë ritëm, pasi nuk është aspak e lehtë. Sporti në Kosovë ballafaqohet me shumë probleme e shumë peripeci. Këto probleme i ka pasqyruar më së miri gazeta juaj, që sigurisht se ka shumë sfida, por i ka tejkaluar me sukses.

Valentin Spaqi, analist

Bombardimet e Serbisë nuk mund t'i harrojë askush dhe kontributi i gazetës tuaj ka qenë i madh, si në raportimin e luftës ashtu edhe në atë të paqes. Gjithashtu edhe rubrikës së sportit deri më tani i ka kushtuar shumë rëndësi dhe kjo shpresoj se do të vazhdojë në të ardhmen. Jam i sigurt se nuk është lehtë të mbash një gazetë, sidomos në ditët e sotme, megjithatë, deri më tani ia ka dalë me plotë sukses dhe jam i bindur se nuk do të dorëzohen para çdo sfidë që do të kenë. 

Taib Kabashi, trajner

Sikur të mos ishte gazeta juaj, atëherë edhe motivi te lojtarët do të ishte më i dobët. Që nga viti 1999 e deri më tani kemi kaluar në shumë vështirësi e sfida, dhe të gjitha këto i kemi kaluar së bashku, andaj, shpresoj se do të vazhdojmë kështu me suksese. Serbia ka shkatërruar shumë objekte me rëndësi, dhe ato objekte që iu kanë zënë rrugën, e sigurisht se kjo ka qenë arseja pse është sulmuar gazeta juaj. Megjithatë, jam i lumtur që keni kaluar të gjitha vështirësitë dhe po mbijetoni. 

Bardhyl Hajdaraj, volejbollist

Ne si volejbollistë çdo ditë ballafaqohemi me shumë probleme, dhe më së miri i kuptojmë problemet që i keni pasur deri më tani. Regjimi serb nuk e ka dashur lirinë e fjalës. (Vijon) 

(Kosova Sot)