Si u martua favoriti për president të Francës me ish-mësuesen e tij?

  • 25 April 2017 - 19:06
Si u martua favoriti për president të Francës me ish-mësuesen e tij?

Gjyshja e shtatëfishtë ka gjasa që të bëhet zonja e parë e Francës.
Brigitte Trogneux, tani 64-vjeçare, dikur ishte mësuese e dramës e kandidatit presidencial francez të qendrës së majtë, Emmanuel Macron, tani 39 vjet. Ata dy u martuan në vitin 1997,transmeton gazeta Kosova Sot
Kur kishte vetëm 15 vjet, Emmanuel Macron kishte puthur mësuesen e tij 40- vjeçare - dy vjet para se të deklaronte se dëshironte të martohej me të. Zonja Brigitte Trogneux, tani 64- vjeçare, dikur ishte mësuese e dramës e kandidatit presidencial francez të qendrës së majtë, Emmanuel Macron, tani 39 vjet. Ata dy u martuan në vitin 1997. Gjyshja e shtatëfishtë ka gjasa që të bëhet zonja e parë e Francës, pasi që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, burri i saj, Macron, fitoi shumicën e votave. Një reporter e kishte pyetur atë vitin e kaluar se a ishte Macron një politikan i mirë. Ajo ishte përgjigjur duke thënë se ende nuk kishte zbuluar asnjë fushë, në të cilin ai nuk është i zoti. Macron, i cili mori 23.75% të votave, krahasuar me 21.53% sa mori Le Peni, tha: "E kemi hapur një faqe të re në historinë politike të Francës". Rezultati i raundit të dytë, që do të mbahet më 7 maj, do të ketë implikime të mëdha për Britaninë dhe për largimin e saj nga BE-ja. Zonja Le Pen dëshiron një rinegocim të plotë të raporteve të Francës me BE-në, derisa Macron kërkon lidhje më të forta me të. Sipas të gjitha gjasave, Macron dhe Trogneux do të jenë banorët e ardhshëm në Pallatin "Elysee", me Macron-in si liderin më të ri të Francës në historinë moderne.

Një karrierë, e cila i solli miliona

Macron ka bërë me dije se, nëse zgjidhet president i Francës, atëherë gruaja e tij nuk do të jetë prapa tij, por e barabartë me të dhe do ta ketë një rol të qartë. Macron ka studiuar filozofinë në Universitetin "Paris Nanterre", si dhe ka kryer shkollën elitare franceze, "Ecole Nationale d'Administration". Pasi që për disa vite kishte punuar si shërbyes civil, ai bëhet bankier investues në "Rothschild", duke ndërtuar një karrierë, e cila i solli miliona. Kjo ndikoi që ai të bëhej këshilltar ekonomik i presidentit aktual francez, e më pas edhe ministër i Ekonomisë. Gjatë muajit shkurt u ballafaqua me akuzat se ishte homoseksual, të cilat ai i refuzoi me gjakftohtësi dhe me vendosmëri. Fakti që Macron ka shumë gjasa që ta mundë Le Penin në raundin e dytë të zgjedhjeve, ka bërë që partiakët e kësaj të fundit të fillojnë me sulme nga më të poshtrat kundër tij. 'Emmanuel nuk është patriot. Ai shiti kompanitë vendore dhe kritikoi kulturën franceze', deklaroi Florian Philippot, zëvendëskryesues i Frontit Nacional të Le Penit. Sipas të dhënave zyrtare, në raundin e parë të zgjedhjeve votuan 46 milionë njerëz, ku për herë të parë pas 60 vjetësh, dy partitë kryesore, e majtë dhe e djathtë, nuk do t'i kenë kandidatët e tyre në raundin e dytë.

Macron e konsideron veten autsajder politik

Macron është deklaruar se do t'i bashkojë patriotët prapa agjendës të tij për përtëritjen e politikës franceze dhe për modernizimin e vendit. Anketat tregojnë se ish-bankieri nuk do ta ketë fare të vështirë që ta mundë Le Penin në raundin e dytë, që do të mbahet më 7 maj. Por, Komisionari i BE-së për ekonomi, Pierre Moscovici, tërhoqi vërejtjen se, përkundër asaj që proevropiani Macron fitoi në raundin e parë, Le Pen vazhdon që të jetë e fortë. Ai shtoi se lajmi i keq i këtyre zgjedhjeve ka të bëjë me numrin tepër të madh të votave (rreth 7.6 milionë) që mori Le Pen. Moscovici thotë se nuk beson që Le Pen do t'i fitojë zgjedhjet, por se ajo, megjithatë, do të arrijë të marrë deri në 40% të votave në raundin e dytë, gjë që do të rezultojë me një vend të ndarë thuajse në dysh. Përkundër asaj se ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë socialiste në largim të Francois Hollande-së, Macron e konsideron veten autsajder politik, i cili vetëm tash vonë themeloi lëvizjen e tij 'En Marche!' ('Në lëvizje'). "Sfida ka të bëjë me ndarjen e plotë nga sistemi i cili nuk ka qenë në gjendje që të gjejë zgjidhje për problemet e vendit tonë për më shumë se 30 vjet", tha Macron, duke filluar që tani të mendojë për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen në qershor. Votimi i francezëve këtë të diel është përcjellë me interesim të madh, si tregues i ndjenjave populiste në mesin e votuesve evropianë, pas fitores së Donald Trump-it në SHBA dhe pas votimit pro Brexit në Britani. Macron ishte dikur anëtar i Partisë Socialiste, por në vitin 2009 u bë politikan i pavarur. Në prill të vitit të kaluar ai themeloi lëvizjen "En Marche!", duke thënë se donte ta bashkonte të majtën dhe të djathtën. Gjatë kampanjës, një pjesë e madhe e vëmendjes i është kushtuar raportit të tij me të shoqen, Brigitte Trogneux, e cila është për 25 vjet më e re sesa ai.  

(Kosova Sot)