Kelmendi: Kosova duhet ta padisë Serbinë

  • 30 April 2017 - 14:27
Kelmendi: Kosova  duhet ta padisë Serbinë

Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi konsideron se raportet midis Kosovës dhe Serbisë ka kohë, pothuajse mbi shtatë vite, që po ndërtohen pa principe dhe këndej në kundërshtim me interesin e shtetit të Kosovës, andaj tani është një mundësi e mirë që ai gabim të përmirësohet, sepse zyrtarët e lartë të shtetit serb deri tani janë sjellë me Kosovën sikur Kosova të kishte qenë shkaktare e vuajtjeve të popullit serb dhe shkaktare e krimeve, e jo e kundërta . "Në fakt shteti serb dhe kriminelët si Nikoliq, Vuçiq dhe Daçiq janë sjellë sikurse ata të ishin viktimë e dhunës dhe e territorit. Ndërsa, faktet flasin se mbi popullin shqiptar është bërë gjenocid. Ky raport i bërë nga Prishtina kundruall Serbisë ishte nënshtrues dhe tipik anti-shtetit të Kosovës, duke e bërë vendin tonë jo funksional dhe në fund edhe me rrezik për shkatërrimin e tij. Konsideroj se është përgjegjësi tipike e PDK-së dhe e LDK-së pse janë këto çështje kaq të dëmshme për Kosovën. Mendoj se është vetë Hashim Thaci, Isa Mustafa etj., që në tërësi e kanë dëmtuar Kosovën me marrëveshjet e bëra me Serbinë në Bruksel. Nuk kemi as edhe një çështje të zgjidhur. Kudo kemi ndikim dhe futje të interesave të shtetit serb brenda Kosovës", tha Muhamet Kelmendi për gazetën Kosova Sot

Ai si shembull ka përmendur edhe shembullin skandaloz, ku me marrëveshje janë sistemuar edhe forcat paramilitare serbe, rojet e urës në Gjyqësorin dhe Policinë e Kosovës dhe në organizimin e administrimin e institucioneve komunale me shumicë serbe. Sipas Kelmendit, krejt kjo situatë është produkt i dialogut të filluar pa agjendë nacionale. "Diskutimet pa parime kanë bërë shkatërrimin e vendit. Nuk duhet fare të bisedohet me Serbinë pa reciprocitet dhe parime. Tërësisht duhet të rishikohen raportet dhe marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Vetëm le të shikojmë deputetët serbë dhe sjelljet e tyre antishtetërore karshi Kosovës dhe do të bindemi se ku dhe sa punë të mirë ka bërë Qeveria e Kosovës në njërën anë, dhe në anën tjetër, veprimet serbomëdha mbi luftëtarët e UÇK-së. Edhe te lirimi i Ramush Haradinajt, ku Serbia ka vepruar kundër më me ashpërsi e drejta doli në anën e Kosovës. Tani në këtë rrafsh kemi një realitet të ri dhe shumë më progresiv që është ndërtuar, prandaj edhe Qeveria në Prishtinë duhet ta shfrytë- zon këtë dhe fare nuk duhet të hamendet. Tani është moment kur kjo situatë të mund të avancohet dhe të mundë të realizohet me padi për gjenocid të bërë ndaj shqiptarëve dhe me padi në Kosovë kundër të gjithë kriminelëve serbë", tha ai. Sipas tij, kërkohet të paditet shteti serb për dëmet materiale dhe morale, e të cilat janë shumë të larta, kundruall popullit shqiptar. 

(Kosova Sot)