T’i mbyllet dera krimit në ekonomi për t'u kthyer investitorët

  • 22 May 2017 - 08:32
T’i mbyllet dera krimit në ekonomi për t'u kthyer investitorët

"Nëse qeveria e ardhshme nuk është e përkushtuar që të luftojnë fuqishëm korrupsionin, monopolet dhe krimin e organizuar, përmes ndërtimit të mekanizmave ligjorë për sundimin e ligjit, atëherë qytetari i vendit nuk do të ketë liberalizim të vizave dhe zhvillim ekonomik dhe ajo më kryesorja nuk do të ketë investime të huaja, por as edhe investime vendore", është shprehur ish-deputeti Xhevdet Neziraj, shkruan gazeta Kosova Sot
Që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës po vazhdon që të vuajë nga mungesa e investimeve të huaja, për çka ekspertët për çështje ekonomike vlerësojnë se me të madhe kjo situatë po ndikon edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, rrjedhimisht në pamundësi të uljes së shkallës së papunësisë dhe varfërisë. Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte në vendin tonë në vitin e kaluar kanë qenë rreth 237.8 milionë euro. Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se ekziston frika se edhe me institucionet e reja, që do të krijohen pas 11 qershorit, do të vazhdojë agonia për të mos krijuar një mjedis më të favorshëm për investitorët e huaj. Kjo situatë, sipas tyre, bazohet në koalicionet e krijuara, ngase partitë aktuale politike kanë interesat e tyre në biznese të mëdha monopoliste e kriminale, të cilat i kontrollojnë ato me mënyrat e "nëntokës kriminale". Së këndejmi, po sipas këtyre ekspertëve, për fatin e keq, as zgjedhjet e reja nuk do të prodhojnë asgjë në drejtim të shkapjes së shtetit në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit dhe as të punësimit. Sipas tyre, në rënien e investimeve të huaja ka pasur ndikim mjaft të madh situata politike jostabile në vend, niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, energjia jostabile, si dhe evazioni fiskal.
Demhasaj: Pa sundim të ligjit nuk ka investime të huaja dhe vendore
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj, nga ('Çohu'), ka një porosi për qeverinë e re që do të krijohet pas 11 qershorit se pa sundim të ligjit nuk ka investime të huaja dhe vendore dhe as zhvillim ekonomik të vendit tone, prandaj edhe duhen ndryshime radikale në këtë drejtim. Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Muhamet Sadiku, vlerëson se zhvillimet e Kosovës me botën e jashtme kanë mbetur në një situatë të vështirë. "Kemi bilanc tregtar skajshmërisht negativ dhe të pagesave në rritje negative. Investimet e huaja assesi të sforcohen me qëllim të ndërkombëtarizimit të zhvillimit të Kosovës. Burimi më i sigurt i mjedisit biznesor ishte qeveria dhe politikat ekonomike jashtë parimeve të OECD (përgjegjësia, transparenca, llogaridhënia, e të tjerë)", është shprehur ai, duke shtuar se ka pasur vendnumërim në zbatimin e reformave strukturore, ku investimet e huaja kanë pësuar rënie dhe mjedis biznesor aspak atraktiv për investitorët e huaj. "Dështimet në reforma strukturore, kanë mbetur pa adresim të duhur qeverisës. Gjithnjë promovohej si fitore ligji mbi 'Trepçën', por në terrenin praktik asgjë nuk ka ndodhur. Këto dështime të reformave strukturore janë rezultat i mjedisit biznesor dhe informatave negative për reforma në botën e jashtme", është shprehur ai. Sipas Sadikut, Qeveria e re në fokus të saj duhet që të ketë: reformat strukturore, investimet e jashtme duke e përmirësuar mjedisin e politikave ekonomike, siç janë qeverisja e mirë, luftimi i korrupsionit dhe i informalitetit në zhvillim, barazia legale, llogaridhënia e të tjerë.  
 

(Më gjeresisht mund të lexonii në gazetën Kosova Sot)

(Kosova sot)