ZEQA: Drejtësia, strehë e sigurt e veprave kriminale dhe aferave të mëdha korruptive

  • 22 May 2017 - 15:50
ZEQA:  Drejtësia, strehë e sigurt e veprave kriminale dhe aferave të mëdha korruptive

Analisti Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se korrupsioni, përveçse dukuri e zakonshme në Kosovë, dyshohet se është shndërruar në instrument të pasurimit të oligarkëve politikë, dhe një pjese të njerëzve të sistemit të drejtësisë (gjyqtarëve e prokurorëve), por edhe qeveritarëve të inkriminuar, derisa sipas tij ndërhyrjet e politikës dhe korrupsioni i lartë në sistemin e drejtësisë, drejtësinë vendore e kanë kthyer në padrejtësi për qytetarët, me trafikimin e drejtësisë përmes rrugëve antiligjore. Tutje Zeqa shton se një drejtësi e brishtë, e ndërtuar në rrugë të mbrapshta përmes ndërhyrjeve të politikës dhe e kontrolluar në tërësi nga politika, është bërë strehë e sigurt e veprave kriminale dhe aferave të mëdha korruptive. "Po ndodh pikërisht kështu, sepse pas kaq viteve të pavarësimit të vendit, ky sistem i inkriminuar i drejtësisë nuk i jep më llogari askujt për asgjë! Prandaj, një drejtësi e tillë, e brishtë dhe kapur nga politika, krijon mundësinë e trafikimit dhe kontrabandimit të drejtësisë, bashkë me këtë edhe të lulëzimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si instrument i pasurimit të shpejtë të politikanëve me grumbullimin e milionave përmes rrugëve korruptive dhe kriminale. Pra, një situatë e tillë, viteve të fundit e ka ashpërsuar tej mase luftën për pushtet mes grupeve rivale (pozitë- opozitë), si dhe ka joshur një pjesë të shoqërisë civile, përfshirë: analistë e gazetarë, drejtues të "OJQ"-ve, të cilët në prag të zgjedhjeve të 11 qershorit iu bashkëngjiten partive të inkriminuara politike, me shpresën e pasurimit të shpejtë të tyre nga politika, duke u zhveshur krejtësisht nga çdo lloj etike profesionale dhe morali njerëzor. Andaj, kjo njëherësh paraqet edhe pikën më të ulët të degradimit të vlerave të shoqërisë kosovare në këto 18 vjetët e fundit", u shpreh analisti Florim Zeqa. 
 

(Kosova Sot)