SMAKA: Shpendi i zhgënjeu edhe optimistët më të mëdhenj

  • 24 May 2017 - 11:08
SMAKA: Shpendi i zhgënjeu edhe optimistët më të mëdhenj

Prof. Riza Smaka është një nga ish-optimistët më të mëdhenj që kishte pritur para katër vjetësh se Shpend Ahmeti në krye të Prishtinës do të bënte shumë ndryshime pozitive, por realiteti ka dëshmuar të kundërtën dhe tani nuk dëshiron që të njëjtën shkollë të qeverisjes nga 'Vetëvendosje' ta shohë edhe në qeverinë qendrore. "Natyrisht që tash krejt varet nga vota e qytetarëve, që besoj se duhet të jenë mjaftueshëm të vetëdijesuar dhe ajo votë do të duhej ta determinonte edhe strukturën e re qeveritare. Unë jam i bindur që qytetarët tani janë ngopur me premtime të kota dhe bile tani unë do t'i kisha këshilluar të gjithë këta liderë që fare të mos bëjnë premtime dhe kurrfarë fushate, sepse nuk po iu dalin zot premtimeve të tyre, të gjitha zotimet dhe premtimet e deritanishme rezultojnë të dështuara, qoftë nga Qeveria qendrore, e cila tani ra, qoftë edhe nga niveli lokal, ajo e komunës së Prishtinës, e cila nuk realizoi pothuajse asgjë nga ato që kishte premtuar", ka deklaruar ai.

"Tani qytetarët duhet të përcaktohen sipas gjykimeve dhe vlerësimeve të drejta dhe jo apriori të deklarohen e pozicionohen se kush për 'Vetëvendosjen', kush për LDK-në e AAK-në e tutje, por duhet të gjykojnë e votojnë vlerat e mirëfillta. Në këtë rast unë konsideroj se nuk mund të mos jetë pikënisje themelore e votuesve vlerësimi real i qeverisjes së deritanishme pothuajse të dështuar të komunës së Prishtinës, sepse Kosova identifikohet me Prishtinën që është kryeqytet dhe këtu është i përqendruar numër i madh i qytetarëve, ku 'Vetëvendosje' e ka në qeverisje këtë komunë, prandaj pres që vota për këtë subjekt politik të jetë determinuese dhe përcaktuese nga mënyra se si këta kanë qeverisur me Prishtinën", tha Smaka për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)