“Plas” sherri mes aleatëve të Ramës. Milo - Koçit: Ke marrë rolin e mercenarit

  • 24 May 2017 - 11:28
“Plas” sherri mes aleatëve të Ramës. Milo - Koçit: Ke marrë rolin e mercenarit

Në një kohë kur i erdhi ftesa për t’u tërhequr nga gara elektorale dhe për t’ju bashkuar PS-së, vjen dhe përgjigja e aleatit të Ramës, kreut të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.

Gjatë kohës që Milo ishte i ftuar në ‘Këndin e Ekselencës’ në ‘News24’ i ka kthyer përgjigje negative kreut të PSV91, Petro Koçit, të cilin e quajti mercenar dhe se po bënte rolin e zëdhënësit të PS-së.

“Deklaratat e zotit Koçit, në mënyrën se si është bërë, është për të ardhur keq. Ne nuk na ka ftuar njeri. Këtë takim nuk e realizojnë partitë e vogla. Ne s’jemi ftuar. Petro Koçi nuk është regjistruar si parti, s’ka si të tërhiqet si parti.

Faleminderit Petro për thirrjen që bën, por më duket se ke marrë pozitat e mercenarit, nuk është e nevojshme që të tërhiqesh ti. Rama nuk duhet të më bënte thirrje të tërhiqem përmes të tretëve. Ne kemi identitetin tonë, politikat tona. Nuk mund të kthehemi në shërbëtor të dikujt që kërkon pushtet, dhe nuk ndajnë qeverisje në një kohë që s’kanë bërë asgjë.

Do i bëj thirrje mbështetëseve të mi do i mbledh sot dhe do mundohemi të fitojmë në këto zgjedhje 1 mandat deputeti. Zoti Koçi si parti nuk është regjistruar për zgjedhje që muajin e kaluar. Se kuptoj se pse Zoti Koçi bëhet zëdhënës i PS. Kur ka dashur PS dhe Zoti Rama, të më ftojnë, më kanë ftuar. I dinë adresat dhe telefonin. Unë për kulturën që kam, nuk refuzoj ftesat”, pohoi Milo.

(Kosova Sot)