Ilaçi qindvjeçar jep rezultate dramatike për djalin me autizëm

  • 28 May 2017 - 20:31
Ilaçi qindvjeçar jep rezultate dramatike për djalin me autizëm

Efekti i vetëm anësor, që është vërejtur pas përdorimit të këtij ilaçi, ishte një skuqje e lëkurës

 

Besoni, apo mos besoni, duket se autizmi, sëmundje e cila po diagnostikohet gjithnjë e më shumë te fëmijët në mbarë botën, mund të trajtohet me një ilaç, i cili ekziston tash e 100 vjet. Ilaçi i njohur me emrin suramin, i cili në fillim ishte destinuar që të përdoren për trajtimin e sëmundjes së gjumit (të shkaktuar pas pickimit të mizës ce-ce), ka shkaktuar një përmirësim dramatik te fëmijët që vuajnë nga autizmi edhe atë edhe pas një doze të vetme. Përmirësimi në fjalë konsiston në përmirësim të të folurit dhe sjelljes sociale, si dhe të aftësive bashkëpunuese. Autori i studimit, profesori Robert Naviaux, nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego, deklaron: "Në studim kemi pasur katër fëmijë autistë, që nuk flisnin, dy gjashtëvjeçarë dhe dy katërmbëdhjetëvjeçarë. Nga të dy grupet njëri fëmijë (një 6 dhe një 14-vjeçar) u trajtuan me suramin, gjë që ndikoi që ata ta thoshin fjalinë e tyre të parë në jetë, rreth një javë pas një infuzioni të vetëm të ilaçit suramin, trasmeton gazeta Kosova Sot

Suramini ishte shpikur nga shkencëtarët gjermanë

Rreth një në 68 fëmijë në SHBA dhe një në 100 në Britani vuajnë nga çrregullimet e spektrit të autizmit. Kërkuesit shkencorë nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego, më pas ua kanë dhënë një dozë të ilaçit suramin pesë fëmijëve meshkuj autistë, derisa pesë të tjerëve iu kishin dhënë substancë pa efekt (placebo). Suramini ishte shpikur nga shkencëtarët gjermanë në vitin 1916 për ta trajtuar sëmundjen e gjumit dhe 'verbërinë e lumit', ku që të dy këto sëmundje shkaktohen nga parazitët. Rezultatet e studimit të tashëm, të botuara në revistën "Annals of Clinical and Translational Neurology", bëjnë me dije se që të gjithë pacientët që kishin marrë këtë ilaç, kishin manifestuar shenja të përmirësimit në të folur dhe në sjellje sociale, kishin pasur zvogëlim të sjelljeve përsëritëse dhe rritje të aftësive bashkëpunuese. 

Entuziazmi i prindërve

Efekti i vetëm anësor, që është vërejtur pas përdorimit të këtij ilaçi, ishte një ekzantemë (skuqje e lëkurës) kalimtare e lëkurës. Edhe prindërit e fëmijëve autistë, të trajtuar me suramin, flasin me entuziazëm për përmirësimin që kanë pasur fëmijët e tyre. "Nuk kaloi as edhe një orë pas infuzionit dhe djali filloi t'i shikonte në sy mjekët dhe infermieret", thotë një prind i ekzaltuar. Një tjetër prind tregon sesi fëmija i tij me autizëm, pasi që ishte trajtuar me ilaçin e vjetër, të ri, kishte filluar që të luante me motrën e tij, gjë që më parë kurrë nuk e kishte bërë. Automatikisht lind pyetja, a mund të jetë autizmi sëmundje e shkaktuar nga parazitët?! 

(Kosova Sot)