Mafio-politika e rrënoi Republikën

  • 23 July 2017 - 08:10
Mafio-politika e rrënoi Republikën

Ndonëse ka një histori të re, Kosova e qeverisur nga një klasë e papërgjegjshme politike që në hapat e parë u shndërrua në shtetin pa pikë perspektive, në një shtet të "nëntokës dhe krimit të organizuar", prej nga qytetarët e rëndomtë duan të ikin urgjentisht, një orë e më parë. Kjo humbje e madhe e shpresës së qytetarëve, sipas analistëve politikë, vjen pikërisht për shkak se partitë në Kosovë, të gjitha pa dallim, si ato që qeverisin në nivelin komunal apo ato në nivelin qendror, nuk i respektojnë qytetarët fare, por janë të lidhura me mafiooligarkët e bizneseve dhe klaneve kriminale që i rrethojnë dhe ushqehen me "infuzione" milionëshe nga këto mafio-biznese, të cilat pastaj i shpërblejnë në forma të ndryshme me tenderë e leje ndërtimi... etj...etj. Qytetari atyre u duhet vetëm për votë dhe e mashtrojnë dhe e blejnë atë në kohën e fushatave dhe sapo marrin pushtetin e nëpërkëmbin qytetarin e mashtruar dhe të varfër. Kjo lidhje e politikës skajshmërisht me krimin bën që të jenë të kompromentuara të gjitha këto parti politike, sepse që të gjitha njësoj po veprojnë, duke qenë të lidhura vetëm me mafio-biznese kriminale që kërkojnë mënyra të ndryshme për të përfituar dhe blejnë politikanët me stilin e "lagies së fytit",gjë që u dëshmua edhe në përgjimet ku flasin Shkëlqim Devolli dhe Adem Grabovci, apo me shëtitjet e Shpend Ahmetit në Jahtin e vëllezërve Devolli, por që vazhdojnë të mbrohen nga politikanët nëpër të gjitha institucionet e larta të shtetit, nga Prokuroria e Hetuesia, nga Gjyqësori i degraduar deri në majë.

Image

 

Partitë, të lidhura me mafinë

Njohësi me përvojë i zhvillimeve politikë në vend, analisti Gani Qarri pohon se mjerisht qeverisjet e inkriminuara shumëvjeçare, sidomos ato të udhëhequrat nga klani "Pronto",për shumë vjet lanë pasoja të pariparueshme, për popullin dhe vendin tonë të vogël. "Madje, pothuajse të gjitha partitë politike pa dallim, si ato që qeverisin në nivelin komunal, edhe ato në nivelin qendror, fatkeqësisht, janë të lidhura këmbë e krye me mafio-oligarkët e bizneseve dhe klaneve kriminale, të cilat keqpërdorin votuesit në kohë fushatash zgjedhore për marrjen e votës, dhe sapo vijnë në pushtet, për interesat dhe përfitimet e veta grupore e partiake, ato e nëpërkëmbin pa asnjë mëshirë qytetarin e mashtruar e të varfër dhe nuk i respektojnë as mendojnë më fare për ta. Ndaj, e pafuqishme që t'i kundërvihet vetë sa e si duhet politikës së inkriminuar, korrupsionit dhe krimit të organizuar, kleptomanive grupore e partiake, nepotizmit dhe klientelizmit të shfrenuar politik, Kosova pësoi aq dëme të mëdha e të pariparueshme, saqë këtu stagnoi pothuajse çdo gjë dhe u larguan të gjithë investitorët seriozë nga vendi", tha Qarri për "Kosova Sot". Ai konsideron se partitë politike janë kompromentuar pothuajse që të gjitha njësoj, duke qenë të lidhura ngushtë me mafiobiznese kriminale, prej të cilave vazhdojnë të ushqehen me "infuzione" milionëshe në forma dhe mënyra të ndryshme, si tenderë, troje, vendbanime dhe leje ndërtimi, për të heshtur dhe mosngritur asnjëherë zërin kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar në vend, si metodat më fitimprurëse. "Kjo shkaktoi edhe skamje të pashembullt dhe varfëri të skajshme të popullsisë, një pjesë e së cilës, para humbjes së çdo perspektive nga politika e inkriminuar, nuk pati rrugëdalje tjetër mbijetese, as pa ardhmëri të sigurt për vete, fëmijë e familje, përpos ikjes sa më larg atdheut me kokën në duar dhe vetëm me pak plaçka mbi shpinë", theksoi ai. "Ka rreth 18 vjet që në Kosovë vazhdon politika e tillë kleptomane dhe tmerrësisht e kriminalizuar, ndërsa fakti më bindës dhe domethënës që dëshmon këto mbrapshti të mëdha, janë si kontaktet dhe shëtitjet e të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, me jahtet e kompanisë së kriminalizuar të Devollëve, aq më tepër bisedat "pa dorëza" të Adem Grabovcit me Shkëlqim Devollin dhe bosët e vet, argumente tronditëse këto që ofrohen edhe në përgjimet e shfaqura në mënyrë publike, të cilat vërtetojnë katërçipërisht veprimet mafioze të klanit "Pronto"", u shpreh Qarri.

Image

 

Oligarkët nuk dinë të ngopen

Analisti politik Skënder Mulliqi thotë se në këtë situatë të gjithë qytetarët janë të zhgënjyer e të mashtruar, sepse të gjithë e kemi menduar një Kosovë shumë më ndryshe pas largimit të forcave okupuese serbe. "Në vend të përjetimeve të mira, se pas 90 vitesh e kemi shtetin e dytë të shqiptarëve në Ballkan, filloi zhgënjimi ynë i madh. Kosova u fut në spiralen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto fenomene negative e gërryen gjithnjë e më shumë Kosovën nga brenda. Vendi më shumë u shndërrua në plaçkë, më shumë sesa në shtet të prosperuar dhe demokratik. Agonia e shtetit, të cilin nuk po e ndërtojmë mirë, po zgjat tepër shumë. Njerëzit gjithnjë e më shumë po ndihen të deprimuar nga paperspektiva e krijuar për të jetuar nga kjo kastë politike. Secili që erdhi në pushtet, duke filluar nga nivelet më të ulëta deri në ato qendrore, punuan për të përfituar personalisht, duke lënë anash interesin e përgjithshëm", theksoi Mulliqi për "Kosova Sot". Sipas tij, forcimi i lidhjeve kriminale të politikës me mafinë ka bërë që të formohen grupe të interesit nga partitë kryesore politike, bartëse të pushtetit. "Këto grupe mafioze u ngritën me gjithçka mbi ligjin dhe mbi shtetin e Kosovës. Qytetarët mbeten të dorës së dyte apo bira e fundit e kavallit. Ata mbeten vetëm shërbyes dhe hyzmeqarë të atyre që erdhën në pushtet me votën e tyre .U shfrytëzuan qytetarët vetëm në kohë fushatave për t'i arritur majat e pushtetit, për t'u pasuruar në kurriz të tyre. Këto qarqe kriminale të krijuara pas luftës e kanë komprometuar dhe po vazhdojnë ta komprometojnë shtetin dhe popullin e Kosovës para syve të botës demokratike. Oligarkët politiko-financiar që shumë kohë e kanë kapur fortë shtetin për gryke. Nuk po ngopen me pasurinë e deritashme të plaçkitur", tha Skënder Mulliqi.

Image

 

...... Vazhdon 

Më gjerësisht lexoni numrin më të ri të gazetës Kosova Sot