Zhvatja i bashkon partitë klanore të Kosovës

  • 18 August 2017 - 08:13
Zhvatja i bashkon partitë klanore të Kosovës

Të gjithë e duan pushtetin, për xhepin e tyre 

Analistët dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë vlerësuar se vendi po rrezikon të hyjë sërish në një situatë të rëndë krize, për shkak të kapjes së shtetit nga politika kriminale. Sipas tyre, nuk ka vend që nuk vidhet dhe nuk ka institucion ku nuk janë njerëzit e partive në pushtet dhe që nuk vjedhin, derisa keqpërdorimet e pushtetit kanë marrë përmasa të gjera dhe të shtrira në të gjitha poret dhe se nga ajo po vuajnë qytetarët, po vuajnë fëmijët, të moshuarit, studentët dhe rinia; po vuajnë arsimi dhe shëndetësia, sidomos të varfrit dhe qytetarët e papunë. Ndaj është shtuar edhe çështja se a janë lodhur qytetarët me talljet e krejt kësaj klase politike dhe a janë bindur qytetarët se e vetmja arsye pse këta liderë dhe politikanë po dalin në fushatë është për t`u thënë qytetarëve votoni për ne, se jemi të uritur për pushtet e pasuri. Pra, kushdo që e merr pushtetin do të punojë për të zhvatur qytetarët, e këtë e kanë treguar dhe dëshmuar të gjitha partitë politike pa dallim, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë komunal (rasti më i rëndë i kapur në vepër në nivelin komunal ishte Shpend Ahmeti me jaht dhe me dyshimet për shitje të lejeve të ndërtimit!). 

Po harrohet agjenda zhvillimore

Analisti Ilir Fetahu, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se situata e krijuar në Kosovë ka adresë, ka emër dhe mbiemër, derisa adresë e krimit dhe të këqijave në Kosovë quhet PDK-ja dhe satelitët e saj, 'Vetëvendosje', AAK-ja dhe NISMA. "Pra, këta e krijuan situatën e tillë, e shkarkuan qeverinë dhe të njëjtit janë përgjegjës që t'i krijojnë institucionet dhe këtu është fatkeqësia më e madhe. Faji dhe krimi janë tek partitë e lartcekura si fajtore të situatës së krijuar dhe si përgjegjëse për krijimin e institucioneve, pra tash janë të obliguara që t'i krijojnë institucionet dhe të mos krijojnë alibi dhe aleanca në distancë për qëllime të tjera dhe për agjenda të tjera, ndërsa të harrohet Kosova dhe interesi i qytetarit që është zhvillimi ekonomik, forcimi i institucioneve dhe integrimi në BE", është shprehur ai. "Unë mendoj se këtu duhet të gjendet fokusi, duhet të qartësohen gjërat, d.m.th. jo gjithmonë të gjendet fajtori aty ku nuk është, por direkt duhet të thuhet fajtori", u shpreh analisti Ilir Fetahu. 

 

Vjedhja masive e shtetit

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, thotë se çështja e kapjes së kolizionit të ashpër të politikës së Kosovës, duke e përdorur atë për interesa vetanake, mbi bazën kriminale është bërë dukuri e rëndë dhe shumë domethënëse. Sipas tij, nuk ka vend në politik që nuk vidhet dhe nuk ka institucion që nuk janë njerëzit e partive në pushtet dhe që nuk vjedhin, derisa keqpërdorimet e pushtetit kanë marrë përmasa të gjera dhe të shtrira në të gjitha poret dhe se nga ajo po vuajnë qytetarët po vuajnë fëmijët, të vjetrit, studentët dhe rinia; po vuajnë arsimi dhe shëndetësia, sidomos të varfrit dhe qytetarët e papunë. "Kudo po vidhet dhe këtë e provuan edhe zgjedhjet e këtij viti. Nga 1 milion e 800 mijë votues kanë dalë në zgjedhje vetëm 1/3 e votuesve, gjë që flet për humbje të besimit ndaj subjekteve politike dhe politikanëve, pavarë- sisht spektrit që kanë. Të dalin vetëm 500- 600 mijë votues nga 1 milion e 800 mijë votues flet qartë se populli i Kosovës nuk u beson subjekteve politike dhe politikanëve. Është e rrugës ripërtrirja e subjekteve politike me forca të reja dhe të pakapura nga politika. Aso forca ka vendi i ynë, por e kanë vështirë të depërtojnë nëpër parti, pa u shndërruar në vegla të grupeve mafioze në parti", theksoi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Muhamet Kelmendi.

Image

 

Anarkistët po i shkatërrojnë institucionet

Asamblisti i komunës së Prishtinës nga opozita, Lirak Qelaj, (PDK) ka nënvizuar se siç ka deklaruar shumë herë se në komunën e Prishtinës nuk ka punë që bëhet, përveç në marketing dhe PR që ka skena, inskenime të gjërave dhe gënjeshtrave të paturpshme para qytetarit dhe aty s'ka asnjë punë pasi janë gjëra të cilat shihen. "Pra, në qeverisjen e kryetarit të komunës nuk është bërë asgjë e mirë dhe ka ngecje të mëdha të zhvillimit", spikati për gazetën "Kosova Sot" asamblisti i komunës së Prishtinës nga opozita Lirak Qelaj (PDK). Kryesuesi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës nga opozita, Agim Gashi, thotë se po të ishte lodhur populli nga këta qeveritarë do të votonte ndryshe dhe rezultatet e zgjedhjeve do të ishin në favor të një stabilizimi esencial, por ndodhi e kundërta. Sipas tij, u votuan ata të cilët pak më parë u bashkuan dhe bashkë me Listën Srpska e rrëzuan qeverinë, e cila veç, përkundër pengesave makabre, korri rezultate të konsiderueshme duke e rritur buxhetin, duke eliminuar borxhet, duke eliminuar aferat dhe duke rritur pensionet dhe duke marrë hapa të guximshëm në shpërndarjen e buxhetit në mënyrë harmonike dhe në përputhje me kërkesat qytetare. "Përkundër të gjitha këtyre rezultateve, këta njerëz arritën ta përmbysin vendin duke e çuar në zgjedhje të parakohshme dhe duke e futur vendin në një gjendje pa rrugëdalje. Tani këta anarkistë e kanë shansin prapë të vazhdojnë së bashku dhe ta formojnë qeverinë dhe të zgjedhin organet e tjera të shtetit. Këta janë PAN-istët dhe VV-istët dhe bashkë me Listën Srpska, që komandohet nga Beogradi. Rrugët qeverisëse që këto parti po i kultivojnë do të dërgojnë vendin edhe në kriza të reja, sepse anarkistët krijojnë mjegulli për të vepruar më lehtë. Kështu po vepron VV-ja edhe në Prishtinë. Arma kryesore e saj është propaganda dhe linçimi, gënjeshtra dhe mashtrimi. Ata për katër vite gënjyen dhe mashtruan, punësuan militantët dhe i partizuan institucionet e Komunës si asnjëherë më parë, ata vazhdimisht planifikuan keq dhe nuk arritën ta rrisin buxhetin e Komunës për asnjë cent, ata nuk ndërtuan asnjë shkollë dhe i dështuan me dhjetëra projekte të rëndë- sishme. Ka rrezik që prapë mund të votohen!!!!", potencoi për gazetën "Kosova Sot" kryesuesi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës nga opozita, Agim Gashi. 

Vetëm pazaret politike u interesojnë partive

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, ka konsideruar se qytetarët kanë faj që i zgjedhin ata që i zgjedhin, prandaj siç tha problemi është që kur duhet të reagojnë nuk po reagojnë, por qytetarët po reagojnë vetëm atëherë kur bëhet vonë. "Mendoj se institucionet e Kosovës nuk po themelohen për shkakun e pazareve politike, ku secili po dëshiron të përfitojë më shumë dhe nuk po mund të merren vesh. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka sjell një vendim absurd në vitin 2014, i cili faktikisht ka bërë atentat ndaj Kushtetutës dhe e ka zhvlerësuar Kushtetutën dhe tash duke e pas parasysh këtë fakt nuk po nguten derisa të arrihen pazaret politike", u shpreh ai. "Përndryshe është më se e dukshme se kushdo që merr pushtetin po punon vetëm për të zhvat qytetarët dhe se është e qartë që ka zbrazëtira, ka mungesë të vullnetit të mirë politik për të realizuar interesat e qytetarëve dhe ka zbrazëtira juridike, të cilat po ashtu ka mungesë të vullnetit politik për ti plotësuar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Nexhmedin Spahiu. 

(Kosova Sot)