Zeqa: Kreu i MPJ-së, pa asnjë cilësi të vlefshme

  • 21 September 2017 - 20:55
Zeqa: Kreu i MPJ-së, pa asnjë cilësi të vlefshme

Sipas analistit Florim Zeqa, edhe pse presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka një përvojë të gjatë në fushën e politikëbërjes dhe diplomacisë kosovare, jo rrallë ia huq në qëndrimet dhe veprimet e tij paushalle, të cilat më shumë i ngjajnë një adoleshenti politik sesa një presidenti të shtetit. Ai thotë se veprimet e pamatura të Thaçit, përveç zhgënjimeve në opinionin e brendshëm, po i shkaktojnë dëm të madh vendit dhe po i vënë në lajthitje edhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Mirëpo tani, sipas tij, për dallim prej presidentit Thaçi, kryediplomatit të ri të shtetit të Kosovës, biznesmenit dhe multimilionerit Behgjet Pacolli, i mungojnë të gjitha ele mentet për të qenë ministër i suksesshëm në Qeverinë 'Haradinaj'. "Në radhë të parë i mungon sinqeriteti dhe besnikëria, eksperienca dhe përvoja diplomatike, humaniteti dhe dashuria ndaj atdheut. Po t'i kishte dy elementet e fundit që ceka më sipër, partia e tij (AKR) nuk do të kishte rënë në kuotat më të ulëta, duke mbetur njëra nga partitë më minore në vend. Emërimi i Behgjet Pacollit ministër të Punëve të Jashtme, i një personi të dështuar në politikëbërjen kosovare, paraqet imazhin më të keq të një vendi të varfër e të prapambetur. Një person, i cili me milionat e tij nuk ka arritur të pushtojë zemrat e popullit, me milionat e qeverisë do të thyejë edhe shpirtrat e qindra mijëra varfanjakëve kosovarë", u shpreh ai. "Kështu, përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare nga dy figurat më kontroverse paraqet binomin më fatkeq të diplomacisë kosovare në këtë dhjetëvjetëshin e fundit dhe degradimin e skajshëm të politikës së jashtme të shtetit të Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)