Balta dhe uji çudibërës i Karapotokut

  • 25 September 2017 - 18:07
Balta dhe uji çudibërës i Karapotokut

BURIMI QË ËSHTË SHFRYTËZUAR EDHE PARA 500 VJETËSH

Uji i këtij burimi shëronte shumë sëmundje, kurse balta përdorej për izolimin e shtëpive

"Dihet se traditë e banorëve të Prizrenit ishte lyerja shtëpisë së paku një herë në vit, prandaj themelet e secilës shtëpi përafërsisht luheshin me ngjyrë të zezë, e pjesa tjetër e bardhë me gëlqere, ose e kaltër, që bëhej nga përpunimi i bojërave. Prandaj, Karapotoku ka shërbyer si një lloj "miniere", ku të gjithë prizrenasit kanë marrë atje dheun e këtij burimi për t'i izoluar shtëpitë e tyre nga lagështia", thotë Zenel Çeko për "Kosova Sot''

Prizreni, si edhe shumë qytete të tjera të lashta, kanë edhe shumë besëtytni, por kanë edhe të vërteta, të cilat tani mund të jenë temë studimi. Njëra ndër temat që ka pasur Prizreni është edhe fakti i Karapotokut, që në përkthim të kotë në gjuhën shqipe mund të quhet "Burimi i Zi". Edhe për Lumëbardhin e Prizrenit ka shumë legjenda, kurse vendasit shpesh e kanë quajtur "Lumi i bekuar". Ky lumë rrjedh pashtershëm përmes një kanioni spektakolar shkëmbor, të fshehur mes pyjeve dhe maleve të Sharrit dhe që "urtësohet" vetëm një kilometër para pikëtakimit me burimin e Karapotokut, një burim që vazhdon të rrjedhë pikërisht tek këmbët e dy kalave, asaj të Prizrenit dhe Kalasë së Çikës.

Një burim i ujit të pijshëm 

Karapotoku për prizrenasit ka pasur disa tipare ndryshe. Prof Dr. Simir Krasniqi tregon për gazetën se Karapotoku ka pasur disa karakteristika dhe supozohet se ka qenë një burim i ujit të pijshëm. Para ardhjes së osmanëve, mendohet të jetë quajtur "Burimi i bekuar", por me ardhjen e osmanëve ai e ka marrë emrin Karapotok, për shkak të ngjyrës së zezë të baltës, që e ka dhe shërimit që aty e kanë gjetur njerëzit. Por, ajo që e dallon Karapotokun dhe e bën një nga pjesët e çuditshme është fakti se ajo baltë, edhe pse është nxjerrë nga uji, ka shërbyer si një izolator për shumë shekuj. Sipas Zenel Çekos, jurist, Karapotoku për prizrenasit ishte i njohur dhe i vlefshëm për shumë shekuj. "Dihet se traditë e banorëve të Prizrenit ishte lyerja shtëpisë së paku një herë në vit, prandaj themelet e secilës shtëpi përafërsisht luheshin me ngjyrë të zezë, e pjesa tjetër e bardhë me gëlqere ose e kaltër, që bëhej nga përpunimi i bojërave. Prandaj, Karapotoku ka shërbyer si një lloj "miniere", ku të gjithë prizrenasit kanë marrë atje dheun e këtij burimi për t'i izoluar shtëpitë e tyre nga lagështia", tregon Çeko për "Kosova Sot". Ai pastaj shton se ende ka familje që e kujtojnë se sa izolator i mirë ishte ajo baltë. Por, ka edhe mendime se tani përpunuesit e ngjyrave ende shkojnë në këtë vend dhe marrin për ngjyrë baltën e këtij burimi. 

Të huajt vijnë për shërim 

Prof. dr. Simir Krasniqi thotë për gazetën "Kosova Sot" se "Dikur qytetarët e kësaj ane kanë besuar se ujë i burimit ndihmon për shërim, për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmit. Thuhet se uji bën derman edhe për shumë sëmundje të tjera. Një lloj llumi që ngjan me një lloj kremi të zi konsiderohet si "krem i përsosur" për ta pasur lëkurën gjithmonë të freskët, të butë dhe pa puçrra për vajzat e moshës së re. Kam dëgjuar shpesh se këtu janë kuruar dhe kanë gjetur shërim pacientë që nuk kanë gjetur zgjidhje nga përdorimi i ilaçeve, prandaj vijnë turistët e huaj dhe këto nuk janë sajesa", tregon Krasniqi për "Kosova Sot". Sipas gojëdhënave të vendasve, këto burime janë shfrytëzuar qysh para 400-500 vjetësh, nga pacientë të ardhur nga shumë vende të ndryshme. Legjenda për ujin mrekullibërës të Karapotokut, në Prizren, ka jetuar me shekuj. Por, nga pas lufta sikur u vu në harresë. Burimi ka baltë dhe gurë me ngjyrën e zezë. Sipas legjendës, supozohet se atë e ka hapur një bishë e madhe dhe e zezë që ishte një buall. "Prandaj, nga atëherë e ka marrë emrin Karapotok, që në shqip do të thotë burim i zi", shprehet Krasniqi, Ai nuk ka ditur edhe faktin e treguar nga z, Zenel Çeko, por tha se kjo tani është një indikativ i fuqishëm për të kuptuar se Prizreni ka qenë i njohur për faktin se ka pasur pikërisht karakteristikë këtë ngjyrë dhe është për një studim më të thellë se atëbotë shtëpitë kryesisht kanë qene nga qerpiçë dhe kanë arritur të jenë mirë të izoluara. Karapotolu në Prizren ka një mori legjendash të ndryshme, por këto janë krijuar për faktin se uji i kësaj përroske të zezë pihet, pastaj balta e saj përdorej për izolim dhe për shërim, kjo ka bërë që ky vend të njihet ndër dhjetëra gjenerata të Prizrenit. Munir Tada tregon për gazetën se "ai shehër që s'ka Karapotok, ai nuk është shehër, sepse shehri pa Karaptok është si shehri pa ditë e pa rrugë".

(Kosova Sot)