Kapiti: Biznes kriminal me drejtësinë

  • 13 October 2017 - 14:23
Kapiti: Biznes kriminal me drejtësinë

Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se KPK- ja në Kosovë nuk i publikon emrat e prokurorëve që dështojnë në rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, pasi çdo dosje apo lëndë e tillë është e paravendosur që të mos gjykohet ose të mbyllet si hetim, pasi drejtësia e korruptuar vepron si sistem piramidal në të gjitha shkallët e saj. Pra, sipas tij, dosjet e krimit e autorëve, të cilët kanë mbështetje politike dhe pushteti, si dhe ato të cilat i urdhëron edhe korrupsioni dhe paraja, ato nuk gjykohen fare ose manipulohet dhe shpallet pafajësia. "Fatkeqësia më e madhe drejtësisë i vjen prej asaj se ajo është shndërruar në një institucion apriori i pahetueshëm, që ka të drejtën ta përdorë drejtësinë si biznes për favore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të asaj se ata e trajtojnë ligjin dhe drejtësinë si pronë private dhe palët ndërgjyqëse si klientë të tyre", u shpreh ai. "Gjyqtarët dhe prokurorët si meritokraci për të ushtruar profesionin e tyre shërben meritokracia e paaftësisë, joprofesionalizmi, servilizmi dhe shërbimi i verbër për politikën, e cila i cakton ata në postet e gjyqtarit dhe prokurorit. Kështu, e tillë është drejtësia në Kosovë, e cila ka marrë në perfeksion fatkeqësisht yrnekun dhe modelin e drejtësisë në Shqipëri. E tillë është drejtësia, sepse kështu dhe e tillë është edhe politika, edhe pushteti dhe qeverisja e të gjitha niveleve te pushtetit", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" analisti Skënder Kapiti.

(Kosova Sot)