Dyvjeçarja vuan nga artriti i tmerrshëm, mund të përfundojë në karrocë

  • 20 October 2017 - 17:38
Dyvjeçarja vuan nga artriti i tmerrshëm, mund të përfundojë në karrocë

Një nënë ka ndarë fotot prekëse të vajzës së saj dy vjeçe, duke qarë për shkak të dhembjeve të nyjave. Vajza dy vjeçe, Sophie Lucas, e ka të vështirë që të ecë, për shkak se nyjat e këmbëve të saj janë të prekura nga një formë e rëndë e artritit. Kjo sëmundje ia ka prekur edhe duart, kështu që ajo nuk është në gjendje që të ushqehet vet. Më herët, këtë vit, vajza është diagnostikuar me artrit idiopatik juvenil (JIA), sëmundje e cila përpos që ia ka dëmtuar nyjat, mund të ndikojë që ajo të verbërohet tërësisht. Në fillim mjekët nuk kishin arritur që ta diagnostikonin vajzën, por tani Sophie, dy vjeçe, është duke marrë trajtimin adekuat.

Nyjat e ënjtura, simptomat më të shpeshta

E ëma e saj, Rebecca, ka ndarë videot dhe fotot e vajzës, me qëllim që t'iu ndihmojë prindërve të tjerë që të njohin shenjat e parë të kësaj sëmundjeje, e cila më shumë haset te të rriturit. Rebecca, e cila edhe vet vuan nga artriti reumatoid, thotë se problemet e Sophie-s filluan në shkurt të këtij viti, pas një infektimi të saj. Artriti idiopatik juvenil është një formë kronike e artritit, e cila prekë fëmijët më të rinj se 16 vjet. Idiopatik dmth se nuk dihet shkaktari i sëmundjes. Në Britani, nga kjo sëmundje janë prekur rreth 15,000 fëmijë (haset te 1 në çdo 1000 fëmijë). Simptomat më të shpeshta të kësaj sëmundjeje janë nyjat e ënjtura dhe të dhembshme, ku dhembja është më e theksuar në mëngjes.

Nuk dihet shkaktari i kësaj sëmundjeje

Nyjat po ashtu janë të kuqe dhe të ngrohta në prekje. Edhe pse nuk dihet shkaktari i kësaj sëmundjeje, mendohet se kemi të bëjmë me një çrregullim autoimun, dmth sistemi imun i organizmit e sulmon atë, në vend se ta mbrojë nga infeksionet e ndryshme. Tani, pas 12 javëve të trajtimit me steroide, dhembjet e Sophie's janë nën kontroll dhe ajo duhet që, një herë në javë, ta marrë një injeksion Methotrexate - ilaç që përdoret edhe për mjekimin e kancerit. Kjo sëmundje mund të shkaktojë edhe verbëri, prandaj vajza duhet të bëjë kontrolle të rregullta te mjeku i syve.

(Kosova Sot)