Politikanët hisedarë të privatizimit kriminal nuk duan hetim parlamentar

  • 23 October 2017 - 07:43
Politikanët hisedarë të privatizimit kriminal nuk duan hetim parlamentar

Ndonëse procesi i privatizimit në Kosovë është kritikuar vazhdimisht nga politika kosovare, jo vetëm nga pozita por edhe nga opozita, si një proces që nuk ka prodhuar zhvillim ekonomik dhe përtej kësaj është bërë tej mase mbi baza të lidhjeve kriminale të oligarkëve dhe krimit të organizuar të bashkëlidhur me politikën, deri më tani nuk është bërë asnjë nismë parlamentare, për të hetuar çdo ndërmarrje të privatizuar dhe çdo pëllëmbë toke, për të zbardhur se kush janë politikanët që blenë pasuritë e Kosovës, qoftë në emër të tyre apo edhe familjarëve. Madje nuk është aspak e pritshme që të ketë hetim parlamentar për këtë çështje as gjatë këtij mandati, ngase analistët e kësaj fushe konsiderojnë se pothuajse asnjë parti nuk ndenji jashtë këtij privatizimi kriminal dhe me çmime qesharake, pothuajse privatizim falas. Profesor i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë për gazetën "Kosova Sot" se kjo temë është shumë e pamundur të hapet, ngase bosët e kij privatizimi kanë depërtuar thellë në politikë dhe nuk lejojnë tani që të hapen tema të tilla."Çështja e privatizimit në Kosovë është një ndër krimet më të rënda dhe pa precedent në historinë e vendeve ish-socialiste, që u transformuan dhe riorganizuan në shtete kapitaliste të demokracive parlamentare. Veprat penale në këtë fushë janë të mëdha. Nuk ka rast pothuajse të privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që nuk është i dyshimtë dhe që nuk duhet të hetohet. Parimisht mund të thuhet se përmes procesit të privatizimit është vjedhur dhe plaçkitur pasuria e tundshme dhe e patundshme e Kosovës. Shteti ka mbetur pa pasuri të vete dhe tanimë është në gjendje tepër të rëndë. Kriminelët e kalibrit të 'Devollit', të ETC-së, të HIB-it, të 'Albi Mallit', të 'Lesnës' etj., janë de-fakto pronarë kriminalë të Kosovës", theksoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Nga mjetet financiare të këtij privatizimi asgjë nuk është realizuar

Sipas Kelmendit, veç këtyre, pronarë me nga 100 apo 200 e 300 hektarë tokë janë bërë edhe shumë politikanë, prandaj, ndonëse Kuvendi do të mundë ta bënte një hetim të këtij procesi dhe rishqyrtim të plotë, është pak e pritshme se do të merret me të."E tëra është e lidhur midis pushtetit politik dhe atij ekonomik. Natyrisht se Kuvendit i takon të kërkojë rishqyrtim të tërë procesit të privatizimit dhe të marrë masa. Kuvendi ka mundësi të rikthejë pronën e privatizuar mbi baza kriminale. Ka mundësi të kërkojë përgjegjësi dhe të ndalojë privatizimin e mëtejshëm që e dëmton vendin. Dhe, e keqja është se nga mjetet financiare të këtij privatizimi asgjë nuk është realizuar. Ato nuk iu kthyen ekonomisë së Kosovës. Po mbeten nëpër banka në BE edhe më tej, ku përfitime kanë përsëri kriminelët", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Njohësi i politikave ekonomike, Mustafë Kdrijaj, thotë se është fakt i pamohueshëm që me procesin e privatizimit në Kosovë ka ndodhur shkatërrimi i djersës së një gjenerate të tërë dhe të artë, investimit të madh në dekada dhe tani punëtorët e "pensionuar" dhunshëm janë njerëzit më të nënçmuar e më të anashkaluar, kurse pasuria e vendit u shkatërrua dhe po vazhdon të shkatërrohet nga njerëzit e fortë, siç quhen ata që duke e shitur pasurinë e vendit në mënyrë nënçmuese e varrosën një industri të tërë, ndërmarrjet dhe kombinatet, që në një kohë kanë qenë krenaria dhe mbijetesa e shoqërisë kosovare", është shprehur ai. Edhe Kadrijaj dyshon shumë që kjo politikë e tëra ka hise në shkatërrimin e pasurisë së shtetit përmes privatizimit kriminal, do të ketë vullnet që ta bëjë atë temë hetimi apo të rishqyrtimit të plotë, apo qoftë edhe të pjesshëm, ku ka dyshime më të argumentuara."Së pari është shitja nënçmuese me çmime për tokë që një shitje reale ka çmim krejt tjetër dhe pa mëdyshje që këtu ka plot dyshime për abuzim, por dyshimet shkojnë shumica e tyre në drejtim të njerëzve të kupolës së pushtetit, sepse në shumicën e rasteve janë njerëz të pushtetit ata që kanë përfituar, janë parlamentar dhe njerëz të afërm me të lartcekurit. Së pari, konsideroj se është e dyshimtë edhe prejardhja e mjeteve nga të cilat u paguan privatizuesit, sepse ka plot raste të dyshimta që nuk kanë prejardhje të dëshmuar. Pra, kjo nënkupton që në procesin e privatizimit të deritanishëm kemi edhe shpëlarje të parasë ku brenda nate njerëzit bëhen milionerë", është shprehur Kadrijaj. Një hezitim për një iniciativë, sipas tij, buron këtu, ndonëse konsideron që është më se e nevojshme që këtë nismë ta ndërmarrin vetë parlamentarët, por nuk e bëjnë këtë, sepse edhe vetë janë të zhytur në këto ujëra të zeza."Kjo më bën me plot të drejtë dhe arsye që të mos pres nga ky nivel i parlamentarëve të marr hapa në këtë drejtim, sepse ose janë të përfshirë shumë prej tyre drejtpërdrejt ose janë njerëzit e afërme të tyre", theksoi Kadrijaj për "Kosova Sot".

Image

 

Rastet e manipuluara

Edhe analisti politik Ali Hertica mosgatishmërinë e nisjes së një procesi hetimor për këtë fushë kaq të rëndësishme, që do të duhej të ishte shtylla e parë e zhvillimit ekonomik, e sheh tek infiltrimi i drejtpërdrejtë i përfitimit për interesa të ngushta të politikës në pushtet, që ka qeverisur vendin për gati dy dekada. "Duke shikuar me syrin e vëzhguesit, qoftë si qytetar apo edhe si analistë i politikës, mund të konstatojmë se nga procesi i deritanishëm i privatizimit ka plot dyshime për shkelje ligji dhe procese të manipuluara ku ka përfituar edhe nga rrjet i gjerë i njerëzve të fortë të politikë. Kjo është arsyeja pse nuk iniciohet akoma një hetim dhe një zbardhje bardhezi e manipulimeve të mundshme në këtë proces. Sidoqoftë, konsideroj se me kalimin e kohës, me ardhjen në pushtet të një lidershipi politik të transformuar dhe me duar të pastra nuk do të mbetet anash as rishqyrtimi dhe hetimi rresht për rresht i këtij procesi, qoftë edhe për çmimin e rikthimit në pikën zero të rasteve të rënda të manipuluara në dëm të interesit të zhvillimit të vendit", theksoi Ali Hertica.

Image

 

Mehmeti: Kosova ka falur fabrikat

Bindjen se kjo legjislaturë e Kuvendit do ta mbajë të mbyllur këtë temë edhe në këtë mandat e ka edhe analisti Faton Mehmeti. "Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk do të hetojë për procesin e privatizimit, sepse edhe vetë krerët e partive politike në Parlament janë të përfshirë në këtë proces të dëmshëm për vendin. Privatizimi më tepër ka dalë të jetë një lloj afere korruptive sesa proces që liberalizon dhe zhvillon ekonominë, duke e futur atë në rrugën e tregut të lirë. Pothuajse të gjitha ndërmarrjet e privatizuara kanë dështuar dhe me këtë rast edhe Kosova ka pësuar dëme të mëdha, të cilat do të ndihen për një kohë të gjatë. Kosova ka falur fabrikat, të cilat u shndërruan në qendra tregtare për të bërë shpëlarje të parave. Derisa kjo klasë politike është në pushtet, asnjëherë s'do të ketë hetim për skandalin më të madh dhe më të dëmshëm që i është bërë ndonjëherë Kosovës në aspektin ekonomik", theksoi Faton Mehmeti.

(Kosova Sot)