Bandat komandojnë shtetin

  • 14 November 2017 - 08:02
Bandat komandojnë shtetin

REPUBLIKA E KOSOVËS, NË UDHËKRYQ

Sovrani ende mbetet i nënshtruar

"Të fortët e politikës, gjegjësisht mafio-politika e ka kapur çdo burim pasuror dhe bizneset më profitabile në vend, siç janë kontrabanda dhe evazioni fiskal me derivatet e naftës, tenderët e kriminalizuar dhe gjithçka të paligjshme të përligjur në shtetin ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë, ku shkelet Kushtetuta dhe dhunohen ligjet që burojnë prej saj", potencoi Florim Zeqa

Lidhja e politikës që po qeveris vendin për gjithë këto 18 vjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin, sipas analistëve politikë, ka bërë që Kosova të mbetet një shtet me brishtësi të madhe të funksionimit të rendit e ligjit, pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, sepse gjithandej në sistemin politik të shtetit të Kosovës janë grupet dhe bandat e krimit, familjet e klanet mafioze dhe askush nuk çan kokën për mirëqenien e qytetarëve, por vetëm për interesat e veta e të klanit kriminal që e rrethon e bashkëjeton. Kjo është edhe arsyeja kryesore, sipas analistëve, që edhe 18 vjet në liri po vazhdojmë të kemi një sistem katrahurë, për shkak të mafio-politikës, e cila ka kapur çdo burim pasuror, madje edhe bizneset më përfituese, siç janë kontrabanda dhe evazioni fiskal me derivatet e naftës, tenderët e kriminalizuar, investimet kinse strategjike dhe gjithçka të ligjshme dhe të paligjshme, por ata përfitojnë pa ligj. Kjo gjendje, sipas analistëve, do të vazhdojë kështu derisa nuk kemi një pavarësim të plotë të sistemit të drejtësisë nga politika dhe derisa nuk vetëdijesohet qytetari që me votë të ndëshkojë të inkriminuarit, kurse Kuvendi i Kosovës të nxjerrë ligjin e lustracionit dhe të Vetting-ut. Analisti politik, Jeton Kelmendi konsideron se kjo gjendje është krijuar nga ditët e para të institucioneve. "Mendoj që jo nga pas lufta, siç po thuhet, por që nga momentet e viteve të para të fillimit të ndërtimit të demokracisë, pra të viteve të 90-ta, por me theks të veçantë në kohën e luftës dhe të pasluftës u krijuan grupe të ndryshme, të cilat nuk zgjodhën dhe nuk zgjedhin mjete për t'i arritur caqet e tyre. Fillimisht u krijuan kauzat, që mendoj se në esencë krijuan kauza të rreme për çështje të ndryshme, duke u propaganduar si kategori të patriotizmit, si pronar të lirisë, çlirimit e të kauzave të tjera të mëdha, kurse ato arritën të kapin pushtet dhe më pastaj kjo kapje u materializua dhe kjo ishte mënyra e vetme për ta kapur fuqishëm pushtetin dhe për ta mbajtur lidhur me botën e krimit, duke pasur sejmenët në ekonominë e zezë, sepse duke pasur ekonominë pastaj kontrollon çdo gjë", u shpreh ai.  

Kapja e shtetit

Analisti Florim Zeqa vlerëson se përderisa "peshqit e vegjël" (politikanët) janë drekë e mirë për "peshqit e mëdhenj" (liderët partiakë), "peshqit e mëdhenj" janë darkë e shijshme për "peshkaqenët ndërkombëtarë". Sipas tij, në një vend ku flitet vetëm për korrupsion dhe krim të organizuar, gjithnjë ka mungesë të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies qytetare. "Kjo është situata paradoksale në të cilën ndodhet Kosova tani e 18 vjet më parë. Në sistemin politik të Kosovës, përveçse janë të instaluara të gjitha format e korrupsionit dhe krimit të organizuar, shteti i Kosovës është i kapur nga bandat dhe grupet kriminale, nga familjet dhe klanet mafioze, të cilat nuk çajnë kokën për interesin dhe mirëqenien qytetare, por vetëm për interesat e veta dhe klaneve kriminale me të cilat bashkëjetojnë në sistemin qeverisës të vendit tonë", u shpreh ai. "Të fortët e politikës, gjegjësisht mafiopolitika e ka kapur çdo burim pasuror dhe bizneset më profitabile në vend, siç janë kontrabanda dhe evazioni fiskal me derivatet e naftës, tenderët e kriminalizuar dhe gjithç- ka të paligjshme të përligjur në shtetin ku nuk funksionon sistemi i drejtësisë, ku shkelet Kushtetuta dhe dhunohen ligjet që burojnë prej saj", potencoi Zeqa. Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti tha se instalimi i kësaj fryme nuk ka ndodhur brenda një nate, por në kontinuitet, i orkestruar e strukturor brenda kornizës së krimit e korrupsionit. "Me instalimin kësaj fryme të mbrapshtë nga pushtetet e pasluftës ka derivuar kjo piramidë e korrupsionit galopant, e cila është e ndërtuar, e strukturuar në mënyrë të sofistikuar. Shembjen e kësaj perandorie të korrupsionit e krimit të ndërtuar për dekada, është utopike të mendohet se do të ndodhë me politika të njëjta degraduese e më frymën e njëjtë, duke instaluar anarki institucionale, krim e korrupsion", theksoi ai. "Nuk duhet lejuar që treni të vazhdojë në këta binarë, por duhet ndryshuar kahe apo thanë më mirë, treni i nisur mbrapsht duhet të vazhdojë rrugën me këtë piramidën e krimit e korrupsionit ku destinacionin përfundimtar e kanë burgun, kurse tash duhet të ndërtohet një linjë me binarë të drejtë, që do të jetë në shërbim të qytetarëve të vijës lineare drejt strukturave euroatlantike", u shpreh Ahmeti. 

Ndryshimi në dorën e qytetarëve

Politologu Arsim Haziri thotë se për këtë gjendje nën krim dhe korrupsion, faturën kryesore e mban politika dhe pandërgjegjshmëria e saj, duke mos e tejkaluar as edhe heshtjen e qytetarëve karshi këtyre fenomeneve negative, të cilat fatkeqë- sisht çdo ditë e më shumë janë duke u shndërruar në norma për masën kolektive. "Qytetarët e Kosovës janë ata të vetmit, të cilët kanë të drejtën dhe mundësinë për të prodhuar një kualitet tjetër të qeverisjes, janë ata të cilën mbartin kompetencën për orientimin e saj drejt proceseve pozitive dhe në favore të saj. Dhe, duke mos u ndëshkuar një gjendje, e cila është prodhim i politikës aktuale, ajo vetëm sa është shndërruar në sisteme të legjitimuar jete. Çka konsideroj si të shëndetshme dhe urgjente është ndryshimi i vullnetit qytetar karshi politikës sonë, politika e cila ka shndërruar çdo gjë publike vetëm për interesa klanore", theksoi ai për "Kosova Sot". Ndërkohë, njohësi i fushës së politikave ekonomike, Mustafë Kadriaj thotë se kjo gjendje, që po kalon Kosova dhe shoqëria kosovare në këto vite të pasluftës, do të jetë e pashpresë, derisa nuk ndërhyn më fuqishëm edhe bashkësia ndërkombëtare, madje duke vendosur vija të kuqe shumë të trasha të mosbashkëpunimit dhe moskomunikimit me këtë elitë të korruptuar. " E them këtë pasi konsideroj se ne nuk po mundemi si shoqëri dhe si qytetarë të bëjmë ndryshime, sepse qytetari i Kosovës është i pafuqishëm, sepse vazhdimisht është varfëruar si rezultat i po kësaj elite të korruptuar që tanimë edhe besimi i qytetarit po blihet shumë lirë, duke e blerë votën e tyre, sepse tani kjo elitë e inkriminuar qytetarin e varfër po e përdor vetëm sa për t'ia marrë votën, që ta legjitimojnë veten si fitues dhe përfaqësues të popullit edhe para faktorit ndërkombëtar", ka thënë Kadriaj. 

Skena politike, e inkriminuar

Për njohësin e fushës së sundimit të ligjit, Prof. Blerim Burjani, qëndron vlerësimi sipas të cilit është e saktë se këto që quhen parti politike, faktikisht janë grupe njerëzish të cilëve u prin një njeri, që i thonë lider, e që të gjitha gjërat që i bëjnë, i bëjnë gjoja si veprime politike, kinse për të mirën e qytetarëve, e faktikisht i bëjnë për veten e tyre. "Janë grupe të njerëzve të organizuar në subjekte politike dhe forcimi i grupit shkon vazhdimisht për të bërë para në kurriz të taksapaguesve. Këta njerëz vazhdojnë sot të qeverisin shtetin, kanë filluar të qeverisin që një kohe të gjatë, ata të cilët edhe janë pasuruar pa ndalur nga asnjë institucion dhe pa veprim të rendit dhe ligjit. Tash e një kohë të gjatë thuhet se këto grupe njerëzish kanë ndikuar thellë në politikë edhe në përzgjedhjen e pozitave kyçe në organet e rendit", ka thënë ai. "Ka shumë gjëra këtu që duhet bërë ndryshe në të ardhmen, dhe nuk besoj këto ndryshime mund të bëhen në këtë kohë dhe përderisa është e fuqishme një skenë politike e lidhur me rrjetet e inkriminuara, në këtë gjendje kaotike dhe anarkike në Kosovë, me këto parti që gati të gjitha kanë probleme me rendin dhe ligjin, e ku shumë njerëz të tyre mund dhe duhet të sillen sa më shpejt para organeve të drejtësisë", u shpreh Blerim Burjani.

(Kosova Sot)