Na bashkon....KRIMI

  • 25 November 2017 - 07:30
Na bashkon....KRIMI

PARTNERITETI I "SUKSESSHËM" MES KOSOVËS DHE SHQIPËRISË

Rrjetet kriminale i kanë kapur të dy shtetet e shqiptarëve

Mungesa e institucioneve të fuqishme të shtetit ligjor, edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë, madje edhe përtej këtyre dy shteteve ku ka veprim të rrjeteve kriminale shqiptare, sipas analistëve politikë, ka bërë që të ndërtohet një lloj shtrirjeje e gjerë e partneritetit kriminal të mafio-oligarkëve të tejinkriminuar, ndërsa fatkeqësisht në të dyja shtetet ka metastazuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, kanabizimi dhe kontrabanda, dhe ku për interesa shumëmilionëshe po shkelin mbi imazhin e shteteve dhe mbi interesin nacional për shumë çështje. Lidhjet e nëntokës kriminale mes dy vendeve, përmes pushtetarëve të lidhur me mafinë politike dhe mafinë ekonomike në të dy vendet tona shqiptare, janë duke funksionuar papengueshëm dhe në mënyrë shumë perfekte, thonë analistët politikë. Analisti Jeton Kelmendi thotë se në mes të shqiptarëve, bashkimi gjithëkombëtar po funksionon vetëm tek koalicionet e forta të krimit të organizuar. "Mendoj që shqiptarët, për fat të keq, nuk janë aty ku e meritojnë të bashkuar, janë të ndarë, tanimë kanë dy shtete dhe çuditërisht edhe ata që angazhoheshin në emër të bashkimit kombëtar, disa të ashtuquajtur patriotë e kuazidemokratë, të cilët sot i pengon bashkimi kombëtar, tani edhe po punojnë për ta penguar bashkimin kombëtar", u shpreh ai. "Për fat të keq, i vetmi segment, i cili ka nuanca të bashkimit kombëtar apo gjithëkombëtar, është korrupsioni dhe modelet korruptive, ku ka një bashkëpunim në mënyrën më perfekte të mundshme. Modelet e korrupsionit e të krimit të organizuar, të cilat u përdorën në Shqipëri në vitet 90-ta, ato modele u bartën edhe në Kosovën e pasluftës, dhe me kalimin e kohës u perfeksionuan që të dyja grupet, sidomos grupet e involvuara që kontrollonin politikën. Pra, qëllimisht ishte klani majtist në Tiranë dhe klani majtist në Prishtinë dhe, për fat të keq, edhe në Shkup dhe Tetovë, pra klanet e majta u involvuan në krime dhe në tenderë, në prostitucion dhe deri te droga", potencoi Kelmendi.

Propaganda mashtruese

Analisti politik Hidajet Ahmeti vlerë- son se tani ku perspektiva evropiane po troket në dyert e të gjitha shteteve të rajonit, është imperativ i kohës që dy shtetet shqiptare të bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke treguar seriozitet drejt përkushtimit për sundimin e rendit dhe ligjit, rrjedhimisht për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe të njëjtën kohë duke drejtuar Shqipërinë në binarë të duhur për rrugën evropiane. "Nuk ka dyshim se edhe Kosova, e në veçanti institucionet përgjegjëse, e me këtë klasa politike udhëheqëse kanë nevojë për një presion më të theksuar nga bashkësia ndërkombëtare për ta vendosur Kosovën në binarë të duhur, e jo ëndrra evropiane të mbetet vetëm në letër", theksoi ai. Ahmeti ka rikujtuar se Kosova ka firmosur një marrëveshje me BEnë, MSA-në, për të cilën ka marrë obligime për ta instaluar në plotëni këtë marrëveshje brenda sistemin politik e juridik të Kosovës. "Brenda kornizës së MSA-së, institucionet përgjegjëse kosovare kanë marrë obligime të shumta, e në theks të veçantë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Kosovë", tha Hidajet Ahmeti. Sipas tij, e gjithë logjika qeverisëse ballkanase vepron dhe funksionon nën presionin ndërkombëtar, pasi klasa politike udhëheqëse është e shantazhuar nga ndërkombëtarët. "Çdo shtet pretendent për BE dhe organizata ndërkombëtare e ka të domosdoshme të bëjë ndryshime radikale brenda sistemit politik e juridik, e ato shtete të cilat vonohen në këtë drejtim, pasojat i vuajnë qytetarët e tyre. Rasti më eklatant është Kosova, e cila në këtë drejtim po çalon, duke vonuar proceset, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Klasa politike në Kosovë vepron brenda agjendave ditore, duke mos pasur asnjë strategji afatgjate, si në aspektin e politikave të brendshme ashtu edhe karshi politikave ndërkombëtare", potencoi ai.

Kriminalizimi i politikës

Sipas analistit Blerim Burjani, për kriminalizimin e skajshëm të segmenteve të caktuara të politikës kosovare, një përgjegjësi të madhe bart edhe faktori ndërkombëtar, që nuk ishte në nivel të detyrës gjatë viteve të bashkëqeverisjes me kosovarët. "Kosova, edhe pse me të gjitha këto angazhime ndërkombëtare, ka probleme të theksuara në rend dhe ligj, aktivitetet kriminale të partive aktuale dhe problemet që kanë deputetët, liderët politikë me shtetin janë të mëdha, problemet janë se keqpërdorim i detyrës zyrtare quhet edhe zgjerimi i ministrive, zëvendësministra koti sa për të punë- suar njerëz, kriminalitet i lidhur parti-biznes, krijimi i rrjeteve të shumta kriminale biznesore duke kooperuar në dëm të qytetarëve dhe shtetit, varfëria më e theksuar për çdo ditë e më shumë në rritje, shëndetësia kriminale dhe edukimi i dobët dhe ai politik, mbrojtje joadekuate sociale deri tash përmes skemave të shumta sociale, që është bërë një zhvatje e buxhetit të shtetit", u shpreh Burjani. Ndërsa, sipas politologut Arsim Haziri, ky zhvillim i fortë i rrjeteve kriminale mes dy shteteve shqiptare vjen si pasojë e ngushtimit të kupolave partiake andej e këndej kufirit ndërshqiptar vetëm në baza klanore, pa shikuar interesin nacional e atë gjithëkombëtar. "Problemi qenësor, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, është klasa politike, e cila në masë të konsiderueshme funksionon për interesa klanore", theksoi Haziri.

(Kosova Sot)