Çahet VV-ja, klani i Jahtit RREZIKON ALBIN KURTIN

  • 09 December 2017 - 07:59
Çahet VV-ja, klani i Jahtit RREZIKON ALBIN KURTIN

MESAZHET FYESE TË DEPUTETES DËRGUTI ZBARDHIN KRIZËN NË LËVIZJE

Vëllezërit e inkriminuar Devolli, arsye për përplasjet e mëdha në "Vetëvendosje"

"Plani për rrëzimin e Kurtit daton që nga janari i vitit 2015. Dardan Sejdiu, Shpend Ahmeti, Puhie Demaku e shumë të tjerë, ishin ata që kishin filluar me një plan të tillë. Gjuha e tyre ndaj Albin Kurtit është shumë më primitive e shumë më brutale sesa kjo e Aida Dërgutit", thotë Arben Gecaj

Pak pas arrestimit të Albin Kurtit nga ana e Policisë së Kosovës, deputetja Aida Dërguti e kishte ofenduar ish-liderin e kësaj partie në një grup të përbashkët në 'Viber'. Deputeti Dardan Molliqaj kishte njoftuar për arrestimin e deputetes Donika Kadaj. Mediet kosovare raportuan se duke menduar që po ia kthen personalisht Molliqajt, Dërguti ka shkruar ofendimin e saj në grupin me të gjithë deputetët. Ka pyetur: "E atë mutin ?", duke iu referuar Albin Kurtit. Kjo ka shërbyer për përplasje të forta në "Vetëvendosje", raportojnë mediumet. Deputeti i "Vetëvendosjes", Ismail Kurteshi ka folur lidhur me përçarjet e fundit që kanë ndodhur në Lëvizje, pasi deputetja Aida Dërguti ka ofenduar themeluesin e VV-së, Albin Kurtin. Kurteshi, i cili është edhe njëri nga anëtarët e Kryesisë që ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme, pasi ka dëgjuar për ato ofendime, tha se ka kërkuar që të mbahet kjo mbledhje, sepse çështje të tilla duhet të diskutohen. Ndërsa, deputeti i Lëvizjes "Vetëvendosje", Dukagjin Gorani nuk ka dashur të japë komente rreth sms-ave të publikuara nga një grup i "Viberit" të subjektit të tyre. Deputeti Gorani nuk e ka mohuar këtë skandal, duke thënë se më mirë për këtë çështje është të flasë kryetari i partisë, Visar Ymeri. Vetë deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje", Aida Dërguti ka reaguar përmes një postimi në profilin e saj në 'Facebook', pas publikimit të komunikimit të zyrtarëve të VV-së në rrjetin 'Viber'. Përmes reagimit, Dërguti ka thënë se ndien nevojën që të kërkojë falje, e edhe ta sqarojë atë që është publikuar."Gjuha që kam përdorur në komunikimin e grupit të deputetëve është jashtë kornizave normale të diskutimit. Duke qenë kështu, ajo është e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Një reagim i tillë imi vjen pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative që i kam me njerëz të caktuar në Lëvizjen 'VETËVENDOSJE'. Ka një kohë që brenda organizatës sonë po synon të instalohet një mënyrë e caktuar e të menduarit dhe të vepruarit politik, që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysmë të vërtetave, është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar. Kjo e rrezikon Lëvizjen, sepse instalon një mendësi politike, në të cilën mbytet demokracia e diskutimi i sinqertë parimor e i hapur i qëndrimeve tona politike e vendimeve tona organizative", ka shkruar Dërguti.

Inkriminimi i Shpend Ahmetit

LVV-ja e kishte pësuar një goditje të madhe, kur kishte shpërthyer afera e Shpend Ahmetit në mars të këtij viti, duke u kapur në flagrancë në jahtin e mafio-oligarkut Blerim Devolli, ku kishte pirë sipas tij vetëm një "cocacola", siç tha më vonë. Por, Albin Kurti ia kishte përmendur Devollëve në Parlament, të gjitha bizneset e ndyta që i bëjnë në Kosovë. Më vonë, Dardan Molliqaj ishte shkarkuar nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të LVV-së, pas zgjedhjeve. Kjo goditje thuhej t'i kishte ardhur direkt nga Albin Kurti, i cili tash po e shihte se kundër tij po krijohej një grup shumë i fortë, i kryesuar nga Dardan Molliqaj, Shpend Ahmeti dhe Visar Ymeri. Mediet raportojnë se Kurti po dyshonte që Molliqaj është i përfshirë edhe në afera të tjera korruptive bashkë me Shpend Ahmetin. Mesazhi telefonik i Aida Dërgutit ka nxjerrë në sipërfaqe betejën mes grupeve rivale në VV, që në pranverën e ardhshme e ka Kongresin e radhës. Kurti ka pasur synime të qarta që të rikthehej edhe formalisht në krye të partisë gjatë kongresit, por duket se ambiciet janë shtuar nga grupi i Dardan Molliqajt e Shpend Ahmetit, që tani e rifitoi Prishtinën, me gjasë përmes milionave të Devollëve, dhe jo vetëm . Në këtë grup janë ish-FERistat Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Ylli Hoxha, por edhe figura të tjera të LVV-së, si Aida Dërguti. Në anën tjetër, Kurti ka afër vetes figurat më të vjetra, si: Liburn Aliu, Xhelal Sveqla, Hysen Durmishi, e sipas të gjitha gjasave edhe Glauk Konjufca. Ndërsa, Kurti është në paraburgim, mesazhet fyese të Dërgutit treguan se krimbi i pushtetit dhe korrupsionit po e gërryen dalëngadalë edhe Lëvizjen, që dikur shihej si shpresë për ndryshim dhe luftim të korrupsionit. Pakkush mund ta besojë më një përrallë të tillë! Gazeta "Kosova Sot" ka shkruar në vazhdimësi për lidhjet e Shpend Ahmetit, kreut të Prishtinës, Dardan Molliqajt, Liburn Aliut e të tjerëve me vëllezërit Devolli, dhe skandali më i madh ishte shkuarja e Shpend Ahmetit në jahtin e Devollit në Budvë të Malit të Zi, sikur edhe marrja e tre çelësave të tri shtëpive në Fshatin ndërkombëtar në Prishtine si dhuratë korruptive e vëllezërve Devolli për Liburn Aliu dhe krerët e Prishtinës në dhjetor të vitit 2013. Shpërfaqja e mesazheve tregon se në çfarë mënyrë ka ardhur Shpend Ahmeti sërish në krye të kryeqytetit, duke u bërë favore kriminale vëllezërve Devolli, duke u financuar nga vetë ata dhe duke u premtuar toka me vlerë qindra- milionëshe në zemër të Prishtinës.

Molliqaj në krah të Aidës

Njeriu i fortë i LVV-së, për të cilin po flitet shumë në opinion, i ka dalë në krah Aida Dërgutit, në një postim që kjo e fundit e ka bërë në FB, e në të cilin ajo flet për probleme të thella në LVV. Deri tash është spekuluar, tash gjërat janë shumë të qarta. Dardan Molliqaj është pozicionuar fuqishëm në krah të Aida Dërgutit, e cila në një mesazh në "Viber" e ka quajtur Kurtin "ai muti". Në sqarimin që e ka bërë Dërguti në FB, në të cilin kërkon falje për përdorimin e frazës së gabuar, ajo ka folur për probleme serioze dhe të thella në LVV. Në këtë postim të saj kanë vërshuar fyerjet e aktivistëve të LVV-së, mirëpo i njëjti është pëlqyer nga i forti i LVV-së, Dardan Molliqaj. Ai në këtë mënyrë ka vendosur që të pozicionohet qartë dhe pa asnjë dyshim në krah të Aidës. Në anën tjetër, edhe më tutje për këtë çështje nuk kanë shkruar asnjë fjalë zyrtarë të tjerë të partisë, duke e përfshirë Shpend Ahmetin, Visar Ymerin dhe të tjerët.

"Rrëzimi i Albin Kurtit nisi në Komunën e Prishtinës dhe udhëhiqej nga Dardan Sejdiu"

Arben Gecaj, ish-pjesë e Lëvizjes "Vetëvendosje", thotë se Aida Dërguti është asgjë më shume sesa një viktimë e radhës. "Plani për rrëzimin e Kurtit daton që nga janari i vitit 2015. Dardan Sejdiu, Shpend Ahmeti, Puhie Demaku e shumë të tjerë ishin ata që kishin filluar me një plan të tillë. Gjuha e tyre ndaj Albin Kurtit është shumë më primitive e shumë më brutale sesa kjo e Aida Dërgutit", thotë Gecaj. Sipas tij, dallimi është që tani, në vitin 2017, Molliqaj ka kaluar përfundimisht në krahun e tyre, ai dëshiron të lirohet nga qëllimet dhe planet e Kurtit, i cili është pengesë, nënkuptohet për shkak të lakmive e interesave ekonomike. "Edhe njëherë duhet përfundimisht të kuptohet, po, kishte plan, ai udhëhiqej nga Dardan Sejdiu. Të gjitha bisedat ishin bërë pikërisht në zyrat e Komunës së Prishtinës… Dëshmitarët janë këndej, Fatosi, Ajnishahi, Fatmiri, Agimi, Artoni, Leoni, Arbani, Burhani, Leonora, Rifati…", thekson ai. Në fund, ai shkruan për Fraksionin+, një fraksion që u shkëput nga Lëvizja "Vetëvendosje" pikërisht për shkak të këtyre pakënaqësive. "Ne ishim më parimorë se ju, ne nuk folëm kurrë, edhe pse formuam Fraksionin + , ne ishim sharë e linçuar, edhe kur u kthyem në partinë të cilës i takonim që nga fillimi, pra në PDK, as atëherë nuk folëm. Por, pasi ju po flisni, atëherë të sqarohemi deri në fund. Kjo shoqëri e meriton ta dijë se kush jeni ju", ka shkruar në fund Gecaj.

(Kosova Sot)