Qeveria "Haradinaj" i bishtnon lustracionit

  • 10 December 2017 - 07:43
Qeveria

Në programin legjislativ të Qeverisë "Haradinaj" nuk është paraparë për këtë vit një projektligj për hapjen e dosjevelustracionit, prandaj njohësit e kësaj fushe nuk presin fare që së pakut në vitin në vijim apo qoftë edhe gjatë këtij mandati, sado që të zgjasë, kjo legjislaturë do të bëjë një ligj të tillë. Se përse duhet që edhe më tutje të mos dihen se kush kanë qenë ata që kanë raportuar për shërbimin sekret serb dhe në favor të kujt shkon fshehja e emrave dhe veprave kriminale të tyre, është një enigmë, të cilën nuk duan akoma ta zgjidhin këto parti politike. Sipas njohësve të këtyre zhvillimeve, kjo ndodh pasi në strukturat e partive akoma ka mbeturina të atij regjimi, dhe të cilat janë të infiltruara thellë edhe nëpër të gjitha nivelet e institucioneve të shtetit, kudo, në Qeveri e administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij, dhe në drejtësinë kosovare - në gjyqësor e prokurori dhe në polici, të vendosur nëpër medie, në televizione, në gazeta, në portale etj. Analisti politik Florim Zeqa i tha gazetës se mosinteresimi i deputetëve për ta aktualizuar një çështje të tillë më së miri u pa në seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës. "Seancat e fundit të Kuvendit të Republikës së Kosovës e vërtetuan faktin se kjo legjislaturë e Kuvendit nuk është gatshme të përballet me hapjen e dosjeve të UDB-së jugosllave, gjegjësisht zbardhjen e emrave të spiunëve dhe bashkëpunë- torëve të regjimit serbo-jugosllav në Kosovë", u shpreh ai.

Image

Agjentët në secilën sferë, përfshirë mediet

Sipas Zeqës, spiunë të UDB-së dhe familjarë të tyre me (pa) qëllim janë instaluar në të tria shtyllat e pushtetit dhe në të dy nivelet e pushtetit, në të gjitha fushat dhe segmentet më vitale të shtetit kudo dhe ngado, në Qeveri e administratë publike, në legjislativ dhe rreth tij, në drejtësinë kosovare - përkatësisht në gjyqë- sor e prokurori dhe në polici. "Spiunë të UDBsë janë vendosur nëpër medie, në televizione, në gazeta, në portale, të cilët pareshtur trazojnë skenën politike kosovare me dosje të sajuara dhe propagandë nga kuzhinat e Beogradit. Duke qenë se çdo i treti deputet i kësaj legjislature të Kuvendit mund të ketë ndërlidhje direkt ose indirekte (përmes familjarëve) me UDB-në nuk mund ta ketë as guximin të shkojë tutje me zbardhjen e dosjeve të kësaj organizate famëkeqe për shqiptarët", u shpreh më tutje Zeqa. "Ngritja sporadike e akuzave të deputetëve ndaj njëritjetrit si 'spiunë' dhe 'bashkëpunëtorë' të UDB-së, për qëllim ka më tepër krijimin e mjegullës politike në Kuvend sesa arritjen e qëllimit! Meqenëse është kështu, në rrethanat aktuale politike, në të cilat ndodhet Kosova, kjo nismë është e parakohshme dhe e dëmshme për dy arsye; -e para, pa njohjen e Kosovës nga Serbia dhe normalizimin e njëmend të marrëdhënieve me këtë të fundit, në dorën e së cilës janë të gjitha dosjet, - e dyta, pa ardhjen në Kuvend të një legjislature të re, të pastër dhe padjallëzuar, nuk mund t'i shkohet deri në fund hapjes së dosjeve të UDB-së dhe mbylljes së kapitullit të zi për shqiptarët në përgjithësi", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Mungon vullneti politik

 Analisti Jeton Kelmendi thotë se për këto vite të përpjekjes për ndërtimin e një shteti të qëndrueshëm të Kosovës, nga legjislatura në legjislaturën e radhës, njerëzit e ish-regjimit, ish-spiunët, pak a shumë janë eliminuar në masë të vogël nga ndëshkimi me votë i vetë qytetarëve, porse kjo do të duhej bërë me ligj. "Në Kosovë një ligj i tillë akoma nuk është bërë, një ligj për hapjen e dosjeve- lustracionin që është bërë gjithandej nëpër vende të tjera që e kanë kaluar tranzicionin, por mendoj që edhe kjo legjislaturë nuk është absolutisht e gatshme për ta krijuar ligjin e hapjes së dosjeve për faktin se ish-agjentët e Serbisë, unë besoj që mund të jenë akoma nëpër institucione, janë edhe në Kuvendin e Kosovës, madje janë figura shumë të fuqishme, ka njerëz të cilët janë në Qeveri gjithsesi, ka njerëz që janë edhe në strukturat e Akademisë së Shkencave, në strukturat universitare, ka këso strukturash dhe kësi individësh që vazhdojnë të jenë të fuqishëm e shumë të pushtetshëm edhe në medie", ka theksuar ai. "Mendoj që në të gjitha segmentet e jetës publike në Kosovë mund të ketë figura, të cilat kanë punuar për Shërbimin Sekret Jugosllav dhe kanë qenë njerëz të sistemit jugosllav, prandaj nuk do ta kemi atë ligj përderisa nuk bie gradualisht kjo perandori e njerëzve të tillë", vijoi më tutje Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Në dosje, emra të njohur

 Edhe analisti politik Hidajet Ahmeti thotë se është fakt që hapja e dosjeve të UDB-së është shumë e ndjeshme si proces, pasi brenda këtyre dosjeve potencialisht mund të gjenden emra që akoma udhëheqin me institucione të rëndësishme publike, dhe kjo është arsyeja pse nuk po bëhet. "Prandaj, brenda kësaj heshtjeje të pashembullt fshihen njerëzit, të cilat akoma frymojnë lirshëm në institucionet publike të Republikë së Kosovës. Prishja e kësaj rahatie për njerëzit e pushtetshëm do të nxirrte në shesh fytyrën e tyre të vërtetë, e cila do të kishte një kosto të papërballueshme për karrierën e tyre,familjen, farefisin, institucionet që udhëheqin dhe mbi të gjitha do t'ia shihnin sherrin njerëzit që punojnë, veprojnë brenda institucioneve ku ata frymojnë akoma", theksoi ai. Sipas tij, vazhdimi i kësaj heshtjeje nga të gjitha partitë politike përkthehet në vazhdim të fshehjes të së vërtetës dhe mbulimit të kostos së dëmit që ia kanë shkaktuar spiunët e UDB-së dhe BIA-s serbe në Kosovë. "Gjykoj se është imperativ i kohës që qytetarët e Kosovës ta kuptojnë të vërtetën për një periudhë historike shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha historia e re e Kosovës duhet të jetë udhërrëfyese për gjeneratat e ardhshme dhe t'i gjykojë njerëzit të cilët kanë punuar, vepruan, kundër interesave kombëtare", potencoi Ahmeti për "Kosova Sot".

Qeveria, e pafuqishme për iniciativa të guximshme

Të pashpresë e sheh inicimin e një ligji të tillë, edhe për shumë vjet në vijim, eksperti i jurisprudencës Blerim Burjani. "Nuk e besoj se kjo Qeveri do ta iniciojë hapjen e dosjeve. Deri tash nuk ka pasur asnjë iniciativë, pra as gjatë këtyre tre muajve të kësaj Qeverie, por as të deputetëve të Kuvendit. Pra, s'ka ndonjë guxim në këtë çështje, nuk ka vullnet për veprim konkret për t'u ballafaquar me të kaluarën. Prandaj, këto janë arsyet pse deri më tash këto dosje nuk janë hapur, por ky mosveprim pak a shumë vjen i ndikuar edhe për shkak të interferimit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare që i kanë ndalur shpeshherë temat e tilla", u shpreh ai. Sipas tij, derisa nuk zgjidhen problemet e Demarkacionit, zhvillimi i dobët ekonomik, korrupsioni, shëndetësia e dobët dhe shumë profitabile apo industri në vete, nuk do të merret kush me këtë temë. "Kosova ka para vetes shumë tema të rëndësishme, që duhet të trajtohen për interesin e qytetarit, derisa për këtë të dosjeve konsideroj se së paku është dashur të themelohet një komision hetues parlamentar për të punuar ngushtë me AKI-në, për një hetim gjithëpërfshirës, që do të përgatiste edhe një material diskutues në Kuvendin e Kosovës, që do t'i paraprinte procesit të hartimit të ligjit", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot". Të paprekura i sheh dosjet e spiunëve të UDB-së në këtë legjislaturë edhe analisti Arsim Haziri. "Kjo legjislaturë konsideroj se nuk e ka vullnetin dhe gatishmërinë njëkohësisht edhe orientimin drejt hapjes së çështjes që ka të bëjë me dosjen e bashkëpunëtorëve të UDB-së", tha ai për "Kosova Sot". Sipas tij, sikur të kishte gatishmëri politike për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë do të kuptohej se kush kishte qenë pjesë e shërbimeve. 

 

(Kosova Sot)