Shtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, KOZMETIKË DREJTËSIE

  • 12 December 2017 - 08:02
Shtimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, KOZMETIKË DREJTËSIE

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se shtimi i numrit të gjykatësve dhe prokurorëve është një domosdoshmëri, por nuk është një garanci se sistemi gjyqësor do të përmirësohet. Sipas tyre, nuk do të jetë e mjaftueshme as rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç paralajmëron ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kinse për të rritur efikasitetin në sistemin e drejtësisë, ngase masat e tilla, siç i quajnë ata kozmetike, nuk mund të ndryshojnë gjendjen në këtë sistem dhe as rritja e numrit të disa prokurorëve e gjyqtarëve nuk mund ta ketë efektin e duhur. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se a do të guxonin prokurorët e rinj të hapnin dosjet e fshehura në sirtarët e Prokurorisë në Kosovë, qoftë asaj të ish- UNMIK- ut, EULEX- it dhe Prokurorisë Themelore e Speciale, apo të hapnin raste kundër figurave të larta politike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë komunal? Analisti Naim Miftari ka thënë se rritja e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk do ta ndihmonte aspak drejtësinë kosovare. Sipas tij, këta prokurorë e gjyqtarë të rinj i pranon ky sistem i drejtësisë dhe i politikës së korruptuar deri në palcë kurrizore.

Image

Ministri, mbrojtës i bosëve të partisë

Miftari tha se këta njerëz, këto komisione pranuese, do të tentojnë që përmes testeve dhe konkurseve të paraqesin si pranime dhe kinse të rregullt, por prapëseprapë do t'i zgjedhin jo prokurorët e rinj, por vetëm vartësit e tyre."Andaj pa e pastruar politikën nga krimi i organizuar kurrë nuk do të kemi drejtësi ligjore, por drejtësi selektive dhe drejtësi politike, ku nuk punon ligji, por punon vetëm ndikimi politik, ndikimi i nëntokës dhe sidomos ndikimi i parasë", potencoi ai."Personalisht vetë ministri i Drejtësisë, i cili është nga PDK-ja në zgjedhjet e fundit ka treguar se është i anshëm, tendencioz dhe jo i drejtë dhe se aty është vetëm si figurë politike, e cila mbron interesin e disa bosëve pranë PDK-së, por nuk mbron aspak interesin e qytetarëve dhe interesin e sundimit të ligjit. Kjo është vetëm arsyetim se kinse po punohet në këtë drejtim, ndërsa me gjithë këta prokurorë e gjyqtarë të rinj nëse do të pranohen prapë do të vazhdojë avazi i vjetër i korrupsionit dhe etiketimet politike ku do të eliminohen kundërshtarët politikë të opozitës", theksoi Miftari. "Personalisht vlerësoj se pa një VETING serioz dhe të përgjithshëm politikë dhe në drejtësi nuk mbaj shpresë se do të jetë më mirë në të ardhmen me këta politikanë dhe pushtetarë në krye", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Dosjet si shantazh

 Analisti Naim Kelmendi thotë se pa një reformë të thellë dhe të mirëfilltë në sistemin e drejtësisë nuk do të ketë ndryshim dhe as përmirësim të gjendjes së tanishme. Sipas tij, nuk do të jetë e mjaftueshme as rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç paralajmëron ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kinse për të rritur efikasitetin në sistemin e drejtësisë."Por, sido që të jetë mbesim me shpresën se ata prokurorët e rinj që do vijnë të kenë guximin dhe të mos jenë të rekrutuar e të përzgjedhur nga politika, por të jenë të paanshëm dhe profesionalë në kryerjen e detyrave të tyre dhe duke qenë kështu mbase mund të hapnin dosje të tilla si në Shqipëri, ku u zbuluan kohë më parë dosje të "fshehura" me nga 1800 faqe të tipit " TahiriHabilaj", e që mbase të tilla ka të fshehura edhe në "fiokat e sirtarët" e Prokurorisë në Kosovë, qoftë asaj të ish-UNMIK-ut, EULEX- it dhe Prokurorisë Themelore e Speciale, apo të hapin raste kundër figurave të larta politike, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë komunal", vijoi më tutje ai."Mbase dosjet në fjalë po përdoren në Kosovë si shantazh në mes të figurave të larta politike dhe institucionale, duke mos u zbardhur asnjëherë kështu e vërteta, duke mos vënë para drejtësisë figurat e larta politike dhe të nëntokës, si dhe të mafio-oligarkisë kosovare, por duke u shantazhuar mes njëri-tjetrit për përfitime të tyre", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Image

Depolitizimi, kushti kryesor

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka veçuar se shtimi i numrit të gjykatësve dhe prokurorëve është një domosdoshmëri, por nuk është një garanci se sistemi gjyqësor do të përmirësohet. "Varet se sa profesionistë dhe sa të aftë e të paanshëm janë ata, të cilët futen në sistemin gjyqësor, por edhe në rastin më të mirë mund të mos jenë fare të involvuar nga politika aty, mirëpo janë të paaftë thjesht dhe kjo natyrisht vetëm sa e dëmton më shumë sistemin gjyqësor sesa e ndikon atë, nëse numri i atyre që do të angazhoheshin do të jetë i paaftë, krejt varet nga ajo se si dërgohet ky proces deri në fund, d.m.th. sa do të jenë të aftë e të pandikuar politikisht njerëzit të cilët do ta përbëjnë këtë sistem gjyqësor ose do të angazhohen në këtë sistem", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Spahiu. Ndërsa, profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka konsideruar se në parim deklarata e ministrit aktual të Drejtësisë është e qëlluar, sepse ka nevojë për t'u përforcuar prokuroria me prokurorë dhe gjykatat me gjykatës, sepse kanë pasur më pak sesa nevojat objektive sipas sistematizimit."Në qoftë se kjo punë do të bëhej pa e pasur një organogram të precizuar, të mbështetur në normativa që një prokuror kaq lëndë duhet t'i kryejë, ndërsa një gjykatës kaq sipas standardeve evropiane, do të ishte pranim kuturu dhe gjithsesi jo i dobishëm se mund të jetë në disfavor të buxhetit dhe se prapë do të ishte nën nivelin e numrit të prokurorëve dhe gjykatësve të kërkuar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka. Sipas tij, në qoftë se ministri e ka bërë organogramin objektiv edhe në bazë të tij ka ardhur tek konstatimi se kaq prokurorë e gjykatës duhet të zgjidhen ky do të ishte një hap i mirë, premtues.

(Kosova Sot)