Qarri: "Ata ishin në dijeni se një veprim i tille është i dënueshëm dhe i ndaluar me ligj"

  • 24 February 2018 - 22:39
Qarri:

Analisti Gani Qarri thotë se për fat të keq në krejt historinë e kësaj prokurorie dhe drejtësisë vendore, që nga paslufta e këtej, nuk mbahet mend ndonjë rast i rrallë apo edhe i vetëm, si nga Prokuroria Speciale ashtu edhe ato themelore, se njëra nga to, ishin në gjendje t'u kundërvihen me efikasitet veprimeve të kundërligjshme të mafio-oligarkëve më të mëdhenj dhe politikanëve të inkriminuar në vend."Për aq më keq edhe kur viktima paraqet autorin e veprës antiligjore, me emër dhe mbiemër siç veproi ish-presidentja Jahjaga dhe shpjegoi mënyrën se si udhëheqësit e korporatës së inkriminuar të mafio-oligarkëve "Devolli" i blejnë pushtetarët dhe politikanët në Kosovë, megjithëse ajo e kreu obligimin e saj qytetar, duke sqaruar publikisht se kishte refuzuar e kthyer një orë dore me vlerë prej shumë mijëra euro, që i ishte dërguar ne zyrën e Presidencës si dhuratë nga kompania e vëllezërve Devolli, ndonëse ata ishin në dijeni se një veprim i tille është i dënueshëm dhe i ndaluar me ligj, prokuroria, gjyqësia dhe policia e vendit jo vetëm se flenë, por asnjëra nga to nuk guxon të prononcohet, as të lëshojë deklaratë fare për rastin në fjalë", tha Qarri për Kosova Sot. Sipas tij, ka shumë raste të tilla, por ka frikë që të deklarohen publikisht nga ata që kanë fakte. Gazeta i ka dërguar pyetje rreth këtij rasti edhe Prokurorisë së Shtetit dhe asaj Speciale, si dhe vëllezërve Blerim dhe Shkëlqim Devolli, por nuk ka marrë përgjigje.

(Kosova Sot)