Prokurorët injorojnë dhjetëra kallëzime penale

  • 23 March 2018 - 08:28
Prokurorët injorojnë dhjetëra kallëzime penale

E KEQJA VAZHDON TË MOS NDËSHKOHET NË KOSOVË

Zyrtarët e lartë mbrohen nga institucionet e kapura

"Gjatë javës së kaluar janë shqiptuar dy aktgjykime, dënime me kushte, si zakonisht. Rasti 'Toka' !!! Rasti i doktorëve!!! Gjithçka e stopuar. Në një anketë të përgjithshme me qytetarët e Kosovës, në pyetjen e mundshme se a e njihni ndonjë prokuror? Përgjigjja në 99% të përgjigjeve do jetë negative, 1% i njohin familjarët e tyre. Po ku t'i njohin, kur nuk i kemi parë apo dëgjuar asnjëherë. Cili prokuror u veçua me ndonjë rast, shtrohet pyetja… e përgjigjja është asnjë. Në gjumë të thellë janë ata,'zgjate Zot'", theksoi Hasan Preteni për "Kosova Sot" 

Njohës të fushës së drejtësisë dhe analistë të ndryshëm vazhdojnë ta mbajnë në thumb të kritikës funksionimin e dobët të Prokurorisë dhe Gjyqësorit në Kosovë. Njohësit e kësaj fushe theksojnë se, përkundër faktit që Prokuroria Speciale, por dhe ato themelore, janë të mbushura me shumë lëndë të kallëzimeve penale, që i kanë të deponuara nga qytetarët në zyrat e tyre, shumë nga ato vazhdojnë t'i mbajnë në një STATUS QUO ose edhe i mbyllin, pasi bëhet fjalë për padi e kallëzime kundër ministrave, kryetarëve të komunave e edhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, që zakonisht paraqet treshen më kriminale në vend! Duke vazhduar këtë lloj prolongimi të trajtimit dhe zgjidhjes së rasteve, ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se krejt sistemi i drejtësisë është zhytur në kaos, e kur prokurorët kontribuojnë me mospunën e tyre, pasi as që guxojnë të merren me njerëzit e fuqishëm që janë bërë të paprekshëm, " multi-milionerë e miliardere", kurse edhe nëse ka ndonjë aktakuzë të lodhët për ta , ajo se pari stërvonohet e prishen provat nga hetuesit sekserë, e mandej edhe nga Gjyqësori, e në fund përfundon odisejada pa ndonjë rezultat!

Zyrtarët e lartë amnistohen

Një praktikë të tillë të mbajtjes në status quo-së të rasteve, e ka hetuar gjatë punës së tij si drejtues në krye të Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës edhe Hasan Preteni. Ai thotë se tanimë është koha që prolongimet e tilla të marrin fund, ngase edhe nga faktori ndërkombëtar topprioritet për perspektivën evropiane po mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. "Prolongime të tjera nuk ka, tani në rend është Lufta kundër Korrupsionit. Po flitet për procedimin e diku rreth 30 rasteve, po cilat janë ato raste? Cilët zyrtarë të lartë janë të përfshirë në këto raste? Në baza ditore unë e përcjell procedimin e rasteve, por nuk po më kujtohet asnjë rast ku janë të përfshirë zyrtarët e lartë. Gjatë javës së kaluar janë shqiptuar dy aktgjykime, dënime me kushte, si zakonisht. Rasti 'Toka' !!! Rasti i doktorëve!!! Gjithçka e stopuar. Në një anketë të përgjithshme me qytetarët e Kosovës, në pyetjen e mundshme se a e njihni ndonjë prokuror? Përgjigjja në 99% të përgjigjeve do të jetë negative, 1% i njohin familjarët e tyre. Po ku t'i njohin kur nuk i kemi parë apo dëgjuar asnjëherë? Cili prokuror u veçua me ndonjë rast, shtrohet pyetja… e përgjigjja është asnjë. Në gjumë të thellë janë ata, 'zgjate Zot'", theksoi Preteni për "Kosova Sot". 

Image

 

Sistemi i plogësht

Analisti Hidajet Ahmeti konsideron se kjo lloj plogështie në sistemin e drejtësisë po ndikon shumë në ngulfatje të plotë dhe mosefikasitet. Sipas tij, zhbllokim të sistemit nuk mund të ketë pa reformim dhe pastrim nga të pamerituarit. "Ngulfatja e sistemit të drejtësisë me numër enorm të lëndëve të pazgjidhura tregon më së miri për efektivitetin, efikasitet, vullnetin e përkushtimin e kësaj hallke të rëndësishme shtetërore. Struktura menaxheriale dhe vendimmarrëse janë të kapura nga politika, e cila prodhon një gjendje kaosi në këtë mekanizëm të rëndësishëm shtetëror. Instrumentalizimi i kësaj hallke zinxhirore është bërë në mënyrë sistematike, të planifikuar e orkestruar mirë, duke prodhuar një komoditet për politikanët e korruptuar, karrieristë e zhvatës të parasë publike", u shpreh ai.

"Për të gjitha këto ndryshime substanciale në sistemin e drejtësisë duhet të prijë një vullnet i jashtëzakonshëm politik për ndryshime të domosdoshme e të kërkuara", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot"

"Mbajtja peng e funksionimit normal e brenda mandatit kushtetues e ligjor është pasqyrë e qartë për funksionimin e shtetit dhe anarkinë e pashembullt që ekziston në këtë sistem. Çlirimi i sistemit të drejtësisë nga politika është një transformim i domosdoshëm dhe imperativ i kohës, pasi dita- ditës po dëmtohet substanca e Republikës së Kosovës dhe njëkohë- sisht imazhi i shtetit po dëmtohet në raport ndërkombëtar. Kosova duhet të vendoset në binarët e duhur të drejtësisë, pasi ka nënshkruar MSAnë si obligim ligjor, kushtetues e politik për të vendosur sistemin e drejtësisë në nivelin e kërkuar, përndryshe Kosova do të mbetët një oazë brenda Evropës së paintegruar", vlerësoi Ahmeti për "Kosova Sot". 

Image

 

Politika dirigjon gjykatat

Për ndonjë lëvizje më të shpejtë pozitive, është shumë skeptik njohësi tjetër i kësaj fushe Blerim Burjani. "Gjyqësia dhe Prokuroria ballafaqohen me probleme te njëjta, nuk ka zhvillim tjetër dhe lëvizje pozitive dhe nuk mund të pritet, përderisa pushteti politik mbetet i njëjtë. Pra, me këta njerëz të lidhur për sistemin e drejtësisë s'ka fare kapje e as dënime, e as rezultate për t'i ofruar BE-së, që kriter e ka luftimin e krimit të organizuar në pajtim me kushtin për liberalizim të vizave", theksoi ai.

"Krejt çka mundë t'i ofrohet BE-së është prova materiale për veprime konkrete, sepse BE-ja ka kërkuar veprime dhe rezultate konkrete. Pra, duhet të ketë numër të saktë, sa raste janë me aktgjykime të formës së prerë, pra deri më tash asnjë rast nuk është nga 'peshqit politikë' që janë dënuar dhe prandaj tash për tash nuk ka se çka t'i thuhet BE-së", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

"Kosova nuk ka asnjë rezultat për të ofruar, sepse nuk ka dënime të plotfuqishme që janë nxjerrë ,pra nuk ka aktgjykime të formës së prerë me dënime adekuate, të gjithë janë shpallur të pafajshëm, s'ka ndalje të korrupsionit e as barazi para ligjit. Edhe një kohë të gjatë duhet të pritet për t'i ofruar BE-së ndonjë zhvillim normal dhe për të marrë vlerësim pozitiv", potencoi Burjani.

Njohësi tjetër i kësaj fushe, Naim Miftari thotë se fyti më i ngushtë është tek rastet e rënda, Prokuroria Speciale, që sipas Miftarit, ka një adresë të vetme te telekomanda politike, ndonëse nuk është hiç më mirë as në gjykata. "Problemi qëndron se si Prokuroria Speciale, si prokurorët dhe gjyqtarët vijnë nga një brumë, pra nga brumi i servilëve politikë, nga sekserët që janë ndërmjetë- sues, se kush guxon të gjykohet e kush jo. Pra, Prokuroria dhe Gjyqësia, KGJK-ja,KPK-ja .....janë të njëjtë dhe vijnë me të njëjtin qëllim si mbrojtës të dikujt, si mbulojë e dikujt, por edhe në rastet kur ligjin e përdorin për hakmarrje politike dhe për qërim të hesapeve të vjetra, ndonjëherë edhe të brendshme, pra sipas asaj që sa të punohet, punohet për hatër të dikujt e jo sipas ligjit, prandaj edhe rezultatet po duken të njëjta", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". Sipas tij, edhe Gjykata Speciale e prokurorët specialë janë të korruptuar. 

(Kosova Sot)