Çerkini: Vendorët po punojnë pak në zbardhjen e fatit të pagjeturve

  • 29 August 2015 - 12:58
Çerkini: Vendorët po punojnë pak në zbardhjen e fatit të pagjeturve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, përfaqësuesit e Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurorë me lule të shtunën në ‘Shtëpinë Muze’ në Lagjen e Boshnjakëve në veri të këtij qyteti, ku 16 vjet më parë forcat kriminale serbe vranë e masakruan 23 civilë të pafajshëm.

Bajram Çerkini, kryetar i Këshillit koordinues të shoqatave për persona të pagjetur, duke shprehur dhembjen e përgjithshme për të pagjeturit, sidomos të veriut të vendit, tha se është i pakënaqur me punën e deritashme që është bërë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Ai fajin e ka hedhur tek institucionet vendore për neglizhencë dhe mos trysni të mjaftueshme tek faktori ndërkombëtar.

“Në saje të 30 gushtit edhe Mitrovica shënon dhembjen e përgjithshme, por sidomos të kësaj pjese këtu ku ka qenë vërtetë një masakër shumë e madhe, një trishtim shumë i madh dhe krim ndaj njerëzve të pambrojtur, dhe pikërisht në këtë shtëpi ka pasur edhe dhunime në prezencë të nënave, baballarëve … Gjithsej janë 23 veta të masakruar, prej të cilëve nëntë akoma nuk janë gjetur. Nuk jemi të kënaqur për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, sidomos në Mitrovicë, kur dihen tetë lokacione që janë të këtij rrethi dhe larg meje janë 200 metra… Si shumicë, fajtorë jemi ne vendorët, në dorën e ndërkombëtarëve është kjo pjesë, mirëpo ndërkombëtarët duhet t’i shtyjë dikush.Kush duhet t’i shtyjë? Vendorët”, ka thënë mes tjerash Çerkini, transmeton kp.

Kjo ditë është duke u shënuar me aktivitet të ndryshme edhe në qytetet e tjera të Kosovës.