Zhvatja historike, liderët kosovarë, si sheikët e Arabisë - Lajme - Kosova Sot
Zhvatja historike, liderët kosovarë, si sheikët e Arabisë

Zhvatja historike, liderët kosovarë, si sheikët e Arabisë

Badallaj: Këta mafio-oligarkë, para luftës nuk kanë pasur bukë të ë të mjaftueshme për të ngopur barkun dhe sa çel e mbyll sytë u bënë më të kamur se sheikët e Arabisë 

"Me të vërtetë duhet të shtrohet pyetja: Si u shpërblyen me 221 milionë euro bizneset që i financuan partitë politike përmes 440 tenderëve publikë, duke i shtuar në këtë mënyrë pasuritë liderët kosovarë me klientelat e tyre e grupet kriminale që veprojnë në emër të tyre, si dhe si po blejnë prona e po investojnë në biznese brenda e jashtë Kosovës pushtetarët e niveleve të larta, që e kanë zaptuar shtetin dhe e mbajnë peng një popull të tërë. Tanimë është çudi pse Prokuroria nuk i heton pronat milionëshe në Kosovë, në Shqipëri, në Zvicër, në Dubai e me gjerë të liderëve kosovarë… ato duhet të hetohen, por edhe të konfiskohen", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Analistët politikë dhe qytetarët e kanë pritur me shumë shqetësim një raport të organizatës "Çohu", i cili flet për mënyrat e financimit të partive politike në Kosovë, lidhjen e tyre retroaktive për interesa kriminale me makro-bizneset e ndryshme. Edhe analistët, por edhe qytetarët konsiderojnë se me këtë skemë të tanishme financimi, pothuajse janë kriminalizuar të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre, përveç të tjerash edhe duke u financuar nga nëntoka kriminale, para këto të krimit të organizuar që fare nuk i paraqesin në raporte financiare dhe i marrin në valixhe në stilin e klaneve mafioze për t'i strehuar pastaj në xhirollogaritë e tyre jashtë shtetit. 

Shkodra: Nuk ka tender që kalon njëqindmijëshin e nuk i përzierjen 'kabllot' liderët e klientët e tjerë të oligarkëve, të cilët janë të lidhur si mishi me thua
Analisti politik Shefik Shkodra thotë se si shumë manipulime të tjera edhe kjo çështje është kaherë e 'rregulluar' për sundimtarët."Nuk ka tender që kalon njëqindmijëshin e nuk i përzierjen 'kabllot' liderët e klientët e tjerë të oligarkëve, të cilët janë të lidhur si mishi me thua. Rregullorja për financimin e partive është përshtatur sipas mundësive për ta nxjerrë veten gjithmonë të maskuar. Kjo ndodh te të gjitha partitë. Kjo është parë me mosreagimin e asnjërës kundër shitjes së miellit krunde, të importuar nga Serbia. Do të thotë, fitimi i oligarkëve me ndihmën e partive në pushtet, por edhe të atyre në opozitë. Kosova është e vogël për t'i ngopur 'çakallët' tanë. Shumë e çuditshme! Për njëzet vjet pasuritë e tyre janë të pamatshme. Këta janë xhelatët e këtij populli. Vërtet kemi mundur të jemi një Zvicër e dytë, sikur të kishte udhëheqës normalë e të patërbuar. Privatizimi është dashur të bëhet, por jo në mënyrë kaq të egër. Veç sa të mbetet klasa punëtore rrugëve. Këta nuk e kishin pasur dertin e Kosovës e popullit të saj të martirizuar. Qëllimi i këtyre tipave paska qenë, kush po mund të grabitin sa më shumë. Shkatërruan arsimin. Shkatërruan shëndetësinë, e lanë vendin pa drejtësi.",tha Shkodra për "Kosova Sot". Kështu mendon edhe analisti politik Ragip Guraziu. "Duke investuar me blerjen e pronave në bizneset brenda e jashtë Kosovës, pushtetarët e niveleve të larta po e zaptojnë shtetin dhe po e mbajnë peng një popull të tërë. Kështu janë kriminalizuar të gjitha partitë politike dhe udhëheqësia e tyre, përveç të tjerash edhe duke u financuar nga nëntoka kriminale, paratë këto të krimit të organizuar që fare nuk i paraqesin në raporte financiare dhe i marrin në valixhe të stilit mafioz të klaneve mafioze për t'i strehuar pastaj në xhirollogaritë e tyre jashtë shtetit. Këtë e zbuloi edhe organizata 'Çohu', e cila ka prezantuar mbi financimin e partive politike dhe krijimin e raporteve klienteliste mes bizneseve dhe partive politike", vlerësoi ai për "Kosova Sot". 

ZEQA: PARTITË POLITIKE ME MARRJEN E PUSHTETIT I SHPËRBLEJNË ME TENDERË KOMPANITË E MAFIO-OLIGARKËVE EKONOMIKË
Analisti politik Florim Zeqa konstaton se pikërisht si pasojë e mungesës së funksionimit të shtetit ligjor, Kosova po përballet me praktikat më të errëta të financimit të partive politike, ku njerëzit e botës së krimit financojnë partitë politike. "Kriminalizimi i të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre, me financimin nga paratë e pista të nëntokës kriminale dhe mosbërja transparente e burimeve financiare e të gjitha partitë politike kosovare, i vë në të njëjtët 'binarë' të financimit nga mafio-oligarkët ekonomikë. Mungesa e transparencës së financimit të partive politike është treguesi më i mirë se të gjitha partitë politike, pozitë dhe opozitë, kush më pak e kush më shumë, janë të financuara nga krimi i organizuar dhe bizneset e pista të lidhura me nëntokën dhe mafinë politike në Kosovë", u shpreh ai. "Për dallim nga opozita, partitë në pushtet, përveç financimit nga grupet e caktuara kriminale dhe bizneset e pista, e shfrytëzojnë buxhetin dhe mekanizmat e tjerë shtetërorë për blerjen e votave të qytetarëve gjatë fushatave zgjedhore. Partitë politike me marrjen e pushtetit i shpërblejnë me tenderë kompanitë e mafio-oligarkëve ekonomikë. Në këtë mënyrë i shtojnë pasuritë e paligjshme liderët kosovarë me klientelat e tyre e grupet kriminale që veprojnë në emër të tyre, duke blerë prona dhe duke investuar në biznese brenda e jashtë Kosovës, deri te marrja me valixhe të stilit mafioz të klaneve mafioze për t'i strehuar pastaj në xhirollogaritë e tyre jashtë shtetit, si në Zvicër, në Dubai e gjithandej globit, jo me rrogat nga shteti, por me zhvatjen e buxhetit dhe bizneset e përbashkëta kriminale me oligarkët ekonomikë", vijoi më tutje ai. "Rrëshqitja e partive politike nga vijat programore, parimet dhe konceptet politike, ka çuar edhe në degradimin e institucioneve shtetërore, në veçanti të Kuvendit, e kulmuar me legjislaturën e fundit, e cila shtetit të Kosovës i ka krijuar imazhin më negativ të mundshëm në sytë e opinionit ndërkombëtar, duke e bërë Kosovën shtetin më të degraduar dhe më të izoluar në botë. Ndalja e trendit të errët të financimit të partive politike dhe përdorimit të buxhetit të shtetit për mbrojtjen e pushtetit mbetet sfidë e sistemit të drejtësisë në vitet në vijim", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".


QARRI: PARATË E KRIMIT TË ORGANIZUAR FARE NUK PARAQITEN NË RAPORTET FINANCIARE NGA PARTITË POLITIKE, DUKE I BARTUR ATO NË BAGAZHE TË STILIT MAFIOZ PËR T'I STREHUAR PASTAJ NË XHIROLLOGARITË E TYRE JASHTË
Analisti politik Gani Qarri konstaton se pothuajse të gjitha partitë politike, pa dallim, janë kriminalizuar aq thellë, saqë në ballë me udhëheqësit e tyre kryesor, përveç të tjerash, edhe financohen hapur nga nëntoka kriminale në vend."Kjo metodë është bërë tejet 'normale' në vend dhe jo vetëm se zhvillohet tërësisht e patrazuar nga ligji, por edhe paratë e krimit të organizuar fare nuk paraqiten ne raportet financiare nga partitë politike, duke i bartur ato në bagazhe të stilit mafioz të klaneve të inkriminuara për t'i strehuar pastaj në xhirollogaritë e tyre jashtë shtetit të Kosovës. Madje, sipas një videografi mbi financimin e segmenteve politike, të prezantuar nga organizata 'Çohu', partitë aktuale kanë krijuar edhe raporte klienteliste me mafio-oligarkët më të mëdhenj në vend dhe financohen pandërprerë nga bizneset e tyre", u shpreh ai. "Meqenëse sot politika është ulur me të dy këmbët mbi ligjin, Prokurorinë dhe sistemin e drejtësisë, edhe pse financimi i partive është i rregulluar me ligjin e vitit 2010 dhe i ndryshuar dhe plotësuar në vitin 2012, si dhe 2013, përditë e më tepër dëshmohen aq shumë probleme dhe zbrazëtira juridike, saqë po e bëjnë edhe këtë ligj të paimplementueshëm dhe të pasuksesshëm në rregullimin e financimit të partive politike. Për aq më tepër, edhe përkundër faktit që ligji ka paraparë masa të kontrollit për parandalimin e raporteve klienteliste, siç rezulton në vijimësi, partitë politike me marrjen e pushtetit, pikësëpari i shpërblejnë me tenderë të orkestruar mu këto biznese dhe në raportet e auditorit asnjëherë nuk përmenden si gjetje. Madje, në vend që financimi nga subjektet juridike, të cilat kanë marrëdhënie kontraktuale me institucione publike, të ndalohet plotësisht,bizneset që i financuan partitë politike u shpërblyen me 221 milionë euro përmes 440 tenderëve publikë", vijoi më tej Qarri.""Kjo është mënyra më perfide, përmes së cilës liderët kosovarë me klientelat e veta dhe grupet kriminale që veprojnë në emër të tyre po i shtojnë pasuritë në mënyrë marramendëse, duke blerë edhe prona dhe duke investuar në biznese brenda e jashtë vendit", vlerësoi ai për "Kosova Sot". "Në paturpësi të tilla prijnë vetë pushtetarët e niveleve më te larta institucionale, të cilët e kanë zaptuar shtetin, nënshtruar ligjin dhe drejtësinë, duke mbajtur peng gjithë popullin e Kosovës. Ndaj, siç dëshmoi së fundmi edhe vetë z.Blakaj, Prokuroria, as Gjyqësia nuk kanë guxim të hetojnë, as të bëjnë publike pronat milionëshe të liderëve kosovarë në Kosovë, në Shqipëri, në Zvicër, në Dubai e më gjerë, përkundër asaj që secili qytetar i vendit e ka të ditur, se milionat që posedojnë pushtetarët e kriminalizuar vendorë, kurrë nuk do të arrinin t'i bënin me punë, as rroga të shtetit", tha analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

KELMENDI: TANIMË VEÇ DIHEN OLIGARKËT MAFIOZË TË TIPIT TË DEVOLLIT, 'ETC'-SË, 'HIB'-IT, 'LESNA'-S ETJ., QË E KANË NËN KONTROLL TË RREPTË POLITIKËN DHE KËTA I SHËRBEJNË ME BESNIKËRI MAFISË
Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se edhe në analizën shkencore të ndërtimit të pushtetit dhe të marrëdhënieve në superstrukturën shoqërore, del se baza ekonomike e përcakton atë dhe ndikon në shoqëri. "Politika është mjet i bazës ekonomike dhe vihet në shërbim të ekonomisë, me qëllim të ndërtimit të një sistemi korruptiv dhe kriminal, me përfitime. Në këtë kuadër kemi kryesisht në Kosovë, vetëm shërbyes të mafisë ekonomike, që për përfitime të veta e ndajnë atë me pushtetin shtetëror dhe e përcaktojnë këtë zhvillim ekonomik dhe shoqëror. Kemi kështu një mafi ekonomike që vendos në të gjitha fushat e jetës shoqërore, politike, juridike dhe ekonomike. Tanimë veç dihen oligarkët mafiozë të tipit të Devollit, 'ETC'-së, 'HIB'-it , 'Lesna'-s etj., që e kanë nën kontroll të rreptë politikën dhe këta i shërbejnë me besnikëri mafisë, duke ndaluar edhe hetimet penale dhe dënimet e tyre. Për këtë arsye nuk punon as Prokuroria dhe as gjykatat", u shpreh ai. "Nëse vepron mekanizmi i shtetit, është politika që e ndal dhe kërkon përfundimin e hetimeve. Kështu është në polici dhe në tërë mekanizmat e drejtësisë në Kosovë. Aktualisht, nuk hetohet pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e asnjë zyrtari. Nuk hetohet presidenti, kryeministrat e ministrat, deputetët dhe askush nga Prokuroria dhe nga gjykatat. Kjo për faktin se në ballë të mekanizmave të drejtësisë janë njerëzit nën kontrollin e politikës. E, këta janë nën kontrollin e mafisë oligarkike të vendit. Kështu nuk hetohet pasuria e tyre këtu në Kosovë, as në Shqipëri, as në Zvicër, as në Gjermani, as në Panama dhe askund tjetër. Nuk ka forca që mund të bëjnë hetimin dhe kapjen e tyre. E, kjo dërgon deri te fakti se pa një spastrim të gjerë të politikës, të Policisë, të Prokurorisë dhe të gjykatave nga kriminelët dhe njerëzit e korruptuar, kurrë nuk do të ecet suksesshëm në luftën kundër mafisë politike dhe asaj ekonomike", tha prof. Muhamet Kelmendi.

MEHMETI: TË GJITHA PARTITË POLITIKE NË KOSOVE FINANCOHEN NGA GRUPET KRIMINALE
E njohur është lidhja e partive politike me nëntokën kriminale për financim, edhe sipas analistit politik Faton Mehmeti. "Fatkeqësisht, të gjitha partitë politike në Kosove financohen nga grupe kriminale, të cilat për të realizuar synimet e veta përdorin pikërisht politikën si mjet për të arritur deri tek qëllimet. Ne këtë sens e shoh krejtësisht të kapur politikën nga grupet kriminale të nëntokës, si dhe të avancuar këtë dukuri në shkallë të lartë. Aq lart ka arritur kapja e partive politike nga nëntoka, klientelizimi si dhe interesat grupore sa edhe kryetari i çdo partie është punonjës i këtyre grupeve. Andaj, nuk dallojnë partitë tona në veprim, përveç në oratori. Në veprime të gjitha partitë politike janë të njëjta, ato nuk kanë synim që t'u shërbejnë qytetarëve, por interesave të grupeve kriminale", u shpreh ai. "Ligji i miratuar në vitin 2010, ka lënë shumë hapësirë për interpretime të ndryshme e të cilat u shërbejnë këtyre politikanëve për të mbajtur financimin e partive të pazbërthyer se kush në të vërtetë qëndron pas tyre dhe kjo u konvenon aq shumë sa nuk kanë interes të ndryshojnë një gjë të tillë. Prandaj, qytetarët e vendit po ikin nga Kosova, pasi nuk po shohin se këtu ka 'bereqet', dhe se të gjitha partitë politike janë të njëjta", tha Mehmeti për "Kosova Sot".

BADALLAJ: DJE NUK KISHIN BREKË, SOT ME ÇANTA 10 MIJË EUROSH!
Sipas analistit Reshat Badallaj, duke u bazuar edhe në këtë raportim të fundit për financimin e partive politike, populli duhet kuptuar njëherë e mirë se shteti është i shitur dhe në duart e kryebanditëve dhe banditëve të kanaleve të nëntokës më kriminale në Ballkan."Mafio-oligarkët shtetin e kanë kapur për fyti dhe e drejtojnë për interesa të tyre personale. Këta mafio-oligarkë, këta banditë e shkuar banditëve, para luftës nuk kanë pasur bukë të mjaftueshme për të ngopur barkun jo më shumë dhe që filluan të merren me politikë, formuan klane më mafioze në Evropë dhe e kapën shtetin dhe sa çel e mbyll sytë ky rrjet shumë i rrezikshëm i kanaleve të nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve u bënë më të kamur se sheikët e Arabisë, duke i trashur xhepat dhe u bënë supermilionerë, se mos të flasim për pasuritë e tyre, dhe merreni me mend gratë e tyre para lufte nuk kishin brekë për të veshur e sot mbajnë çanta dore diku 10.000 euro, se mos të flasim për këpucë e orë dore", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Qytetarët kërkojnë llogari nga pushtetarët e korruptuar
Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta besojnë plotësisht se të gjitha partitë e tanishme politike po financohen nga nëntoka dhe pastaj ato biznese shpërblehen me tenderë shteti, prandaj kjo formë korrupsioni duhet ndërprerë, duke i ndëshkuar me votë këto parti politike dhe duke sjellë në skenë njerëz të rinj dhe subjekte të tjera politike të pakorruptuara dhe të palidhura me rrjetet kriminale. Një bindje të tillë të fortë e ka qytetari Shemë Makolli."Unë mendoj që këtë lidhje kriminale vetëm Prokuroria, Gjykata do të duhej ta trajtojnë, por deri më tani nuk po veprojnë. Po duket që këta krejt janë të lidhur njëri me tjetrin, ju a po e shihni se çka po bëjnë. Unë jam duke jetuar e duke punuar në Suedi, por krejt çka po ndodh këtu po e përcjell dhe po informohem përmes TV-së e mjeteve të tjera të informimit. Në Suedi vetëm një koronë nëse është konstatuar si keqpërdorim financiar, ndëshkohesh ose largohesh nga puna, sepse atje thonë që nëse e ka keqpërdorur qoftë edhe një koronë, ai merr edhe milionat dhe i keqpërdor ato. Këtu po e shohim vetë se çka po ndodh dhe mendoj që duhet të kalojë edhe shumë kohë deri sa të arrihet ky standard i vetëdijesimit institucional e politik, si dhe i veprimit te mekanizmit të ligjit", theksoi Makolli. Gjykim identik ka edhe Bajram Bunjaku. "Sipas mendimit tim, edhe ky ligj që është në funksion nuk po zbatohet, nuk e zbatojnë as partitë politike e as institucionet e drejtësisë. Të gjitha partitë politike, sidomos këto partitë e mëdha, PDK-ja, LDK-ja AAKja, besa edhe Nisma, kryesisht këto që e kanë kërkuar pushtetin, mendoj që janë të lidhura me bizneset kriminale dhe deri në fyt të korruptuara. Unë mendoj që është e kapur edhe Prokuroria, e cila nuk heton dhe nuk vepron, është e kapur nga kjo politikë, po e shohim edhe vetë, sepse e patëm rastin kur iu desh një prokurori për të ikur jashtë vendit, sepse provoi të punojë sipas ligjit", u shpreh ai. Sipas tij, duhet vetëm që të vetëdijesohet populli dhe këtyre që janë në pushtet të mos u jap votën në të ardhmen, por le t'i jepet një mundësi ndonjë subjekti të ri apo iniciative të re politike të pasprovuar deri më tash në pushtet. Gazetari i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Speciale rreth kësaj teme, por nuk ka marrë përgjigje.

(Kosova Sot)

22 orë e 29 minuta më parë
18/11/18