Policia ia dorëzoi mbi 1 milion euro në xhirollogari komunës së Prishtinës

  • 17 October 2018 - 10:40
Policia ia dorëzoi mbi 1 milion euro në xhirollogari komunës së Prishtinës

Njësitet patrulluese nga Policia e Kosovës me fillim të këtij viti kanë qenë mjaft aktive dhe angazhimi i tyre është kthyer në para prej miliona euro për komunën e Prishtinës.

Edhe pse Ligji i ri për kundërvajtje në trafik që hyri në fuqi nga 1 janari i këtij viti, nuk është duke dhënë efekte aq shumë për parandalimin e aksidenteve rrugore, ka pasur një efekt tjetër pozitiv.

Gjobat e larta të shqiptuara për këto shkelje po bëjnë që të mbushen buxhetet e komunave, pasi të hyrat u shkojnë atyre komunave ku edhe shqiptohet gjoba.

Qytetarët që ranë pre e shkeljes së rregullave në trafikun e Komunës së Prishtinë, po ia mbushin plot arkën komunës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, shkruan FaktePlus.

Shqiptimi i gjobave nga Policia e Kosovës vetëm për tetë muaj në Prishtinë e ka tejkaluar planin vjetor të autoriteteve komunale.

Zyrtarët komunal në planin vjetor të të hyrave për krejt vitin fiskal 2018 kishin planifikuar që nga kjo kategori të kenë të hyra në vlerë prej 400 mijë eurove.

Mirëpo, angazhimi i madh i njësiteve patrulluese të Policisë së Kosovës ka ndikuar që planifikimi i të hyrave nga kategoria e gjobave në trafik të rritet deri në 283 për qind.

Sipas planit vjetor të të hyrave të komunës së Prishtinës,  vetëm nga 1 janari deri me 31 gusht, nga gjobat në trafik kryeqyteti përfitoi të hyra në vlerë prej mbi 1 milion euro, ose saktësisht 1,134,158.50 euro.

Sipas raportit financiar të Komunës, vetëm në muajin gusht nga gjobat në trafik janë mbledhur 254,349.00 euro.

Ligji i ri për kundërvajtje në trafik ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti. Bazuar në këtë ligj Policia e Kosovës mund të gjobitë shkelësit deri në 500 euro për personat fizik, ndërsa ata juridik deri në 1000 euro.

Zyrtarët nga Policia e Kosovës kanë ofruar të dhëna  lidhur me numrin e gjobave të shqiptuara në të gjithë Kosovën nga janari deri në gusht.

Këto të dhëna tregojnë se numri i përgjithshëm i gjobave të shqiptuara në nivel të vendit ka arritur në 275017. Po sipas këtyre të dhënave gjoba deri në 500 euro (persona fizik) për tetë muaj janë në numër prej 264826, ndërsa gjoba deri në 1000 euro (persona juridik) kanë qenë 209.

 

Të dhënat e Policisë për krejt Kosovën

 



(Kosova Sot)