Mimoza Kusari-Lila, kryetarja “part-time”, që heziton të jetojë në qytetin e saj
Shumë u premtua, pak u arrit
“Kryetarja pati premtuar se do t’i kthejë në Gjakovë të gjithë gjakovarët e shkolluar për të kontribuar për komunën e tyre, por moskthimi i vetë kryetares këtu i demotivon ata. Gjithsesi moskthimi për të banuar në Gjakovë tregon edhe një fakt tjetër, se, siç duket, kryetarja nuk e ka ndërmend të qëndrojë e të veprojë gjatë në Gjakovë”, ka thënë Batusha. Sipas tij, dështimi kryesor është në zhvillimin ekonomik ku jo që nuk ka pasur avancim, por ka pasur ngecje dhe stagnim
Gjakova është një prej komunave me papunësi të madhe, derisa paaftësia e drejtuesve lokalë për të krijuar vende të reja pune ka krijuar zhgënjim të madh ndër qytetarë. Klasa politike e Kosovës, në periudhën e pasluftës, e pamësuar me sistem shumëpartiak dhe zgjedhje të lira, e mbase duke marrë “shkollë” nga kolegët e tyre të vendeve të rajonit, kryesisht të Ballkanit, ku premtimi parazgjedhor nuk merret si obligim, por vetëm si formë për të “grabitur” votat, zgjodhi ta ndjekë atë rrugë të pakrye. Në fushatat parazgjedhore të të gjitha zgjedhjeve të pasluftës që janë mbajtur në Kosovë, veshët dhe koka na janë mbushur nga premtimet që liderët politikë i japin “falas”, por pa mbështetje reale, që dëshmohet shumë shpejt pas përfundimit të zgjedhjeve kur premtimet duhet të nisin të përmbushen dhe kur çdo ditë, çdo javë e çdo muaj kemi rast të bindemi se ato premtime kanë qenë punë koti! Kështu, mbase, do të vazhdojë edhe më tej, derisa të mos fillojë që mospërmbushja e premtimeve të dënohet me votë!
Pushtetarët mburren me të arriturat
Periudha prej gati dy vjetëve, që në fakt paraqet gati gjysmën e mandatit, është periudhë e mjaftueshme për t’u bërë një bilanc i realizimit të premtimeve. Pra, tash, me të drejtë shtrohet pyetja se, sa i ka përmbushur premtimet Qeveria aktuale komunale e Gjakovës, respektivisht kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila? Vlerësimet për këtë, sikur kudo tjetër, edhe këtu ndryshojnë rrënjësisht varësisht nga cila anë bëhen, nga pozita apo opozita. Zyrtarët komunalë të Gjakovës, këto dy vjet, i vlerësojnë si shumë të suksesshme, posaçërisht nëse, siç thonë ata, merren parasysh pengesat objektive në të cilat kanë hasur e që nuk janë varur nga ata. “Vlerësimi i përmbushjes së premtimeve nuk mund të bëhet në gjysmë të rrugës, por në fund. Pavarësisht nga kjo, ne ia kemi dalë të përmbushim të gjitha premtimet tona, edhe pse jemi ballafaquar me shumë probleme të paparashikueshme. Jemi ballafaquar me një borxh enorm të trashëguar nga Qeveria paraprake, por edhe me bllokadën e institucioneve republikane, siç është AKP-ja, që neve na ka sjellë shumë probleme, sepse na ka pamundësuar të startojmë me parkun industrial, edhe pse të gjitha përgatitjet i kemi bërë. Sido që të jetë, jemi shumë të bindur se në dy vjetët e ardhshëm do të kurorëzohet puna jonë e mirë dhe angazhimi”, ka thënë kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila.(Më gjerësisht mund t'a lexoni në numrin e sotëm të gazetës KOSOVA SOT)