Reuters i jep hapësirë përplasjes Serbi -Rusi pas ujdisë në Shtëpinë e Bardhë

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 11:51
Reuters i jep hapësirë përplasjes Serbi -Rusi pas ujdisë në Shtëpinë e Bardhë

Agjencia e njohur e lajmeve, Reuters, ka shkruar për përplasjen e Serbisë me Rusinë pas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo agjenci ka shkruar se presidenti serb, Aleksander Vuçiq, e ka akuzuar Moskën për primitivizëm dhe vulgaritet.

Serbia është aleatja më e ngushtë e Rusisë në Ballkan, por Vuçiq për një kohë të gjatë e ka zemëruar Rusinë duke kërkuar marrëdhënie më të mira me Perëndimin, shkruan Reuters.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e publikoi një fotografi të Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë bashkë me një fotografi tjetër nga filmi “Basic Instinct”, duke bërë një krahasim që e zemëroi Beogradin.

“Nëse jeni i ftuar në Shtëpinë e Bardhë, por karrigia juaj qëndron sikur po merreni në pyetje, ju duhet të uleni si në fotografinë numër 2, kushdo që jeni, vetëm më besoni”, shkroi zyrtarja ruse në këtë postim.

Presidenti serb reagoi ndaj këtij postimi përderisa ndodhej në Bruksel, duke thënë: “Maria Zakharova flet kryesisht për veten dhe primitivizmi dhe vulgariteti që ajo shfaqi flet për të dhe për ata që e kanë vendosur aty”.

Zakharova e përditësoi postimin e saj të dielën dhe kërkoi falje, duke thënë se komentet e saj janë keqkuptuar.

(Kosova Sot Online)