Prokurori dhe avokati i Mustafës s’pajtohen assesi, ZPS kërkon që gjykimi të fillojë në mars

  • G.G /
  • 01 February 2021 - 12:32
Prokurori dhe avokati i Mustafës s’pajtohen assesi, ZPS kërkon që gjykimi të fillojë në mars

Julius Von Bone, në seancën e sotme paragjyqësore ndaj klientit të tij, ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka thënë se kanë dëshmitarë të cilët ai tha se po i interviston.

Gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti se sa kohë do t’i marrin hetimet mbrojtjes së Mustafës, ndërsa avokati holandez tha se nuk pret që t’i përfundojë hetimet para gushtit.

“Para gushtit do t’i kemi përfunduar, sepse nu bëhet fjalë vetëm për intervistimin e dëshmitarëve, por edhe raporte, konstatime, vëzhgime, të cilat duam t’i paraqesim”, tha ai.

“Do të ketë dëshmitarë. Pres që t’i përfundojmë intervistat me këta dëshmitarë brenda afërsisht dy muajsh”, tha ai paraprakisht.

Lidhur me masat mbrojtëse për këta dëshmitarë, avokati tha se tani nuk e di nëse ato do të jenë të nevojshme.

“Nuk jam i sigurt nëse do të jetë e nevojshme të kërkojmë masa mbrojtëse apo jo. Nuk e parashikoj dot, por kur të ndodh kjo gjë, sigurisht do t’u drejtohem për t’i kërkuar këto masa nëse nevojiten për këta dëshmitarë”, tha Von Bone.

Në anën tjetër, prokurori Cezar Mihalchuk tha se nuk duhet aq shumë kohë për ta përgatitur mbrojtjen

“Është e papranueshme për ne si Prokurori. Ne besojmë se një periudhë kaq e gjatë kohore ka një ndikim negativ në të drejtat e të paditurit për një gjykim të shpejtë”, tha ai.

“Prokuroria do të jetë gati brenda disa javësh, dhe nuk besojmë që një kohë kaq e gjatë siç pretendon mbrojtja që është e nevojshme, është e justifikueshme. Mbrotja ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i kryer këto hetime”, shtoi Mihalchuk.

Ai tha se të gjithë duhet të punojnë që gjykimi të nis në mars të këtij viti.

Në anën tjetër, avokati Von Bone iu kundërpërgjigj prokurorit.

“Ata kanë pasur vite për t’i bërë hetimet e tyre, ndërkohë ne nuk jemi në gjendje të paraqesim çështjen kaq shpejt. Lëreni mbrojtjen ta bëjë punën e saj si mbrojtje. Secili ta bëjë punën e vet”, tha Von Bone. 

(Kosova Sot Online)