Kur duhet të bëhet testi PCR e kur ai Antigjen

  • E.K /
  • 04 February 2022 - 09:44
Kur duhet të bëhet testi PCR e kur ai Antigjen

Testi PCR shpesh konsiderohet standardi i artë për zbulimin e infeksionit me koronavirus. Ky është testi që rëndom disa punëdhënës kërkojnë që punonjësit ta bëjnë përpara se të kthehen në punë, pasi që të kenë rezultuar pozitiv me Covid-19, ose ai që kërkohet në rast të udhëtimit. Mirëpo ekspertët thonë se testi PCR nuk është testi më i përshtatshëm për secilën situatë.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së, testet PCR funksionojnë duke zbuluar sasi të vogla të materialit gjenetik të koronavirusit në një ekzemplar të marrë nga një individ. Testi më pas funksionon duke përforcuar ose duke bërë kopje të atij materiali gjenetik për të parë nëse ka Coronavirus të pranishëm në kampionin e atij personi.

Sipas CDC, vetia amplifikuese e testit i mundëson atij që të zbulojë sasi shumë të vogla të koronavirusit në një ekzemplar, “duke i bërë këto teste shumë të ndjeshme për diagnostikimin e COVID-19”. Kjo ndjeshmëri mund të jetë e dobishme për zbulimin e koronavirusit pas ekspozimit ndaj tij; kjo gjithashtu do të thotë se rezultatet e PCR mund të jenë pozitive edhe nëse behën tre apo katër javë pasi ta keni kaluar virusin.

Kur duhet të bëhet testi PCR?

Rasti më i mirë për të bërë një test PCR është kur jeni të sigurtë se jeni ekspozuar ndaj COVID-19 ose jeni duke përjetuar simptoma dhe dyshoni se mund të jeni infektuar. Testet PCR e zbulojnë infektimin më herët gjatë rrjedhës së infeksionit sesa testi Antigjen, i cili funksionon duke zbuluar një proteinë specifike në një nga pikat e koronavirusit.

Kur duhet të bëhet testi Antigjen?

Ndryshe nga ajo që mendojnë shumica, testi i shpejtë apo ndryshe i njohur si Antigjen është më efektiv që të bëhet pasi të keni kaluar Covid-19 për disa ditë, dhe dëshironi të konfirmoni se a mund t’i infektoni më njerëzit e tjerë. Do të thotë që testi Antigjen është më së miri të bëhet pas kalimit të periudhës pesë ditore të izolimit. Sipas Dr. Albert Ko, nëse pas izolimit pesë ditor rezultati vazhdon që të jetë pozitiv, izolimi duhet të vazhdojë edhe për pesë ditë të tjera.

(Kosova Sot Online)