Vetëm 3 korridorë evakuimi, forcat ukrainase në kundërsulm

  • E.K /
  • 29 March 2022 - 15:24
Vetëm 3 korridorë evakuimi, forcat ukrainase në kundërsulm

Ushtria ukrainase ka nisur një fushatë kundërsulmi ndaj forcave ruse në pjesë të ndryshme të vendit.

Kjo solli rimarrjen e kontrollit të qytetit Irpin, çarjen e rrethimit pranë kryeqytetit dhe frenimin e avancimit të pushtuesve drejt Odesës. “Armiku është frenuar në të gjitha drejtimet dhe po zmbrapset”, thotë një zyrtar ukrainas në Krybyi Rih, pranë Odesës.

Megjithatë, ushtria ruse duket se nuk ka hequr dorë nga synimi për të pushtuar Kievin, pavarësisht informacioneve për rigrupim dhe përqendrim në lindje dhe jug. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se forcat e Moskës janë ende një kërcënim për kryeqytetin dhe se mund të sulmojnë nga ajri. Por, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, që u shfaq pas një mungese të gjatë dhe spekulimeve për shëndetin e tij, tha se të gjitha “detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit special ushtarak në Ukrainë janë përmbushur”.

“Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është zvogëluar ndjeshëm, gjë që bën të mundur përqendrimin e vëmendjes kryesore dhe përpjekjeve kryesore në arritjen e qëllimit final: çlirimin e Donbasit”, tha Shoigu.

Ministri paralajmëroi vendet e NATO-s që të mos e furnizojnë Ukrainën me avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, pasi Rusia do t’ju përgjigjej atyre. Ndërsa pretendoi se trupat ukrainase pësuan dëme të konsiderueshme gjatë luftimeve, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.

Gjitashtu, tha se shpërndarja e pakontrolluar e armëve për popullsinë dhe mercenarët në Ukrainë mund të krijojë një kërcënim për vetë europianët.

Përtej luftimeve, Kievi dhe Moska janë pajtuar për organizimin e 3 korridorëve humanitarë për evakuimin e civilëve. Njëri prej tyre edhe në Mariupol, i shkatërruar thuajse plotësisht nga lufta dhe me mungesa të theksuara në ushqime, ilaçe dhe ujë. /A2CNN

(Kosova Sot Online)