Vela: Serbia po e rrezikon paqen në rajon

  • E.K /
  • 30 April 2022 - 17:55
Vela: Serbia po e rrezikon paqen në rajon

Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, ka reaguar, pasi Ushtria e Serbisë sot shfaqi në publik sistemin kinez të mbrojtjes ajrore FK-3, që ka arritur në këtë vend para pak ditësh nga Kina.

Vela përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.

“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.

Serbia pranoi dërgesën me këtë sistem të sofistikuar të mbrojtjes raketore përmes një operacioni sekret, më 10 prill.

Sot, në aeroportin ushtarak të Batajnicës, pranë Beogradit, u ekspozua një pjesë e aftësive të Ushtrisë serbe, në mesin e tyre edhe sistemi kinez FK-3.

(Kosova Sot Online)