Petkoviq: Ia kemi dalë që të garantojmë siguri për serbët në veri të Kosovës

  • E.K /
  • 24 November 2022 - 08:10
Petkoviq: Ia kemi dalë që të garantojmë siguri për serbët në veri të Kosovës

Negociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, ka thënë se ata kanë garantuar siguri për serbët në veri të Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online".

Petkoviç ka shtuar se me këtë marrëveshje do të thotë se s’ka kurrfarë politika ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve që ngasin vetura me targa KM.

“Në kuadër të asaj për të cilën insistonte Beogradi, këtu në godinën e shërbimit të politikës së jashtme të BE-së, pas shtatë orësh, dhe shihni është terr, negociata të vështira, ia kemi dalë që të arrijmë marrëveshje. Kjo marrëveshje do të thotë se s’ka kurrfarë politika ndëshkuese të Albin Kurtit ndaj serbëve që ngasin vetura me targa KM. Me këtë marrëveshje, nesër prej orës 8, nuk ka kurrfarë gjobash prej 150 eurosh që i planifikoi Albin Kurti, siç nuk ka as kurrfarë politika ndëshkuese në fazat e tjera që ishin pjesë e vendimit të Albin Kurtit lidhur me procesin e riregjistrimit”, ka theksuar Petkoviq.

“Dhe kjo është me rëndësi që ta them. Ia kemi dalë që ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, ia kemi dalë që të garantojmë siguri për serbët në veri të Kosovës e Metohisë”, është shprehur Petkoviq.

“Fjala është për targa që janë të ligjshme ngase i lëshon ligjshëm Republika e Serbisë dhe të cilat serbët në Kosovë e Metohi do të mund t’i përdorin. Ato edhe më tutje do të jenë në përdorim, siç kanë qenë deri më tash. Kjo ndër të tjera do të thotë se absolutisht të gjithë pronarët e automjeteve që posedojnë targa KM do të mund t’i regjistrojnë dhe t’i zgjasin regjistrimet e veturave të tyre me targa KM”, ka deklaruar Petkoviq.

“Me këtë marrëveshje ia kemi dalë që ta mbrojmë popullin tonë në veri të Kosovës dhe Metohisë. Pra, ajo që është veçanërisht e rëndësishme dhe që dua ta potencoj dhe ta porosis, veçmas popullin serb në Kosovë e Metohi, është se me këtë marrëveshje mbesin targat KM”, ka thënë Petkoviq.

(Kosova Sot Online)