DASH: SHBA mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut

  • A P /
  • 28 February 2023 - 22:42
DASH: SHBA mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut

Bisedimet Kosovë-Serbi të datës 27 shkurt, ku është dakorduar për zbatimin e planit franko-gjerman, i ka mirëpritur Departamenti Amerikan i Shtetit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

DASH ka paralajmëruar se mbetet një punë e vështirë përpara dhe ka kërkuar përparim drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.  

Në deklaratën zyrtare të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, thuhet se progresi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thotë komunikata.

Ndryshe, Emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në konferencën për media ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk është për njohje reciproke por vetëm për normalizim të raporteve, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se fakti që SHBA-ja e përkrah këtë propozim nuk do të thotë që SHBA-ja nuk beson se rajoni për të qenë i shëndetshëm duhet të kapërcejë ngjarjet e viteve të 90-ta.

Escobar tutje ka thënë se SHBA-ja beson se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën.

 “Propozimi i BE-së nuk është për njohje-reciproke por është për normalizim. Por vetëm pse ne e mbështesim këtë propozim në këtë kohë specifike, nuk do të thotë që ne nuk besojmë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të qenë të shëndetshme duhet të dalin nga ngjarjet e viteve 90-ta. Ne besojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra tjetrën dhe të kenë raporte të mira me njëra-tjetrën”, ka thënë Escobar.


(Kosova Sot Online)