Këshilltari i Besnik Bislimit: Vuçiqit po i dalin rrenat në shesh

  • E.K /
  • 08 June 2023 - 10:37
Këshilltari i Besnik Bislimit: Vuçiqit po i dalin rrenat në shesh

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, ka thënë se presidentit të Serbisë,  Aleksandar Vuçiq, po i dalin në shesh gënjeshtrat, përmes kundërthënieve të tij, përcjell “Kosova Sot Online”

Kadiu ka përmendur një intervistë ku Vuçiqi tha javën e kaluar se nuk i kontrollon dhe s’mund të ndikojë te bandat dhe serbët në veri të Kosovës.

Kadiu ka shkruar “Atij i pengon progresi i vendit tonë, i pengojnë marrëveshjet e mëhershme dhe të tashme që duhet t'i implementojë, i pengon shteti i Kosovës”.

Postimi i plotë:

Vuçiq javën e kaluar në CNN: "Unë nuk i kontrolloj dhe ndikoj bandat dhe serbët në veri, por e di që ata veprojnë për interesat e shtetit të Serbisë"

Escobar dje: "Vuçiq premtoi se do të ndikojë tek serbët në veri që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme"

Tash, a i kontrollon apo nuk i kontrollon? A ka ndikim apo nuk ka ndikim? Pse flet me kaq siguri per sjelljen e serbëve Vuçiq, kur sipas fjalëve të tij nuk i kontrollon ata? Ku e merr këtë guxim për të dhënë siguri veç një javë më vonë tek ndërkombëtarët?

Pergjigja është e thjeshtë: rrenat e Vuçiqit, po i ekspozon vetë Vuçiqi. Përmes kundërthënieve të tij. Çuditërisht vetëm për faktorin ndërkombëtar është i besueshëm.

Presidentit të Serbisë po i intereson ruajtja e status quo-së, kaosi, e tentativat e panumërta për destabilizimin e Kosovës. Atij i pengon progresi i vendit tonë, i pengojnë marrëveshjet e mëhershme dhe të tashme që duhet t'i implementojë, i pengon shteti i Kosovës.

Sepse siç ka thënë dhe ai vetë në 2018, "nuk e kam ndërmend ta dorëzoj veriun e Kosovës". E kështu pra thoshte në 2018 ky person, që në CNN thotë se "nuk i kontrollon bandat në veri".

(Kosova Sot Online)