Ish-Kryeministri i Izraelit publikon fotografi të familjes që u shua nga Hamas

  • S.A /
  • 10 October 2023 - 12:23
Ish-Kryeministri i Izraelit publikon fotografi të familjes që u shua nga Hamas

Ish-kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, ka publikuar një fotografi të një familje që thotë se u shua “nga terroristët palestinez në Kibbutz Nir Oz”, Bëhet fjalë për familjen Kedem, transmeton "Kosova Sot Online".

Bennett thotë se anëtarët e kësaj familje, tre prej të cilëve fëmijë, u vranë me gjakftohësi, “vetëm sepse ishin hebrenj”.

“Një familje e tërë u vra me gjakftohësi. Familja Kedem: Babai Jonathan, nëna Tamar, vajzat 6-vjeçare Shachar dhe Arbel, si dhe 4-vjeçari Omer. Shikojini fytyrat e tyre të lumtura. Të gjithë u vranë nga terroristët palestinez në Kibbutz Nir Oz. Vetëm sepse ishin hebrenjë”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Ushtria e Izraelit tha më 7 tetor se po godiste caqe të Hamasit në Gaza pas një breshërie intensive të sulmeve me raketa në orët e para të mëngjesit, që kishin për shënjestër caqe në jug të Izraelit.

Grupi militant i Hamasit lëshoi dhjetëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. 

Izraeli i ka vazhduar edhe sot bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (FMI) njoftuan, po ashtu, se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Zëdhënësi i FMI-së, Daniel Hagari, tha se në ditët e fundit nuk ka mundur të futet asnjë militant në tokën izraelite nga Gaza.

(Kosova Sot Online )