Negociata intensive në OKB lidhur me rezolutën për Gazën
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 19 dhjetor kanë zhvilluar negociata intensive, prapa dyerve të mbyllura, lidhur me një rezolutë të sponsorizuar nga arabët, që kërkon rritjen e dërgesave humanitare në Gazë dhe një lloj ndalese të luftimeve, duke tentuar që të shmangin një veto tjetër nga Shtetet e Bashkuara.
Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, tha se shpreson që për rezolutën të votohet të martën mbrëma.
Këshilli paraprakisht kishte caktuar seancë për votimin e rezolutës të hënën, por seanca u shty në përpjekje për të marrë mbështetjen e SHBA-së për rezolutën ose që Uashingtoni të abstenojë.
SHBA-ja ka vendosur veto ndaj rezolutës për Gazën në Këshillin e Sigurimit, që është mbështetur nga të gjithë anëtarët e tjerë të cilët kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Po ashtu, më 12 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar një rezolutë të ngjashme.
(Kosova Sot Online)