Mustafa kundër idesë së Ramës për vendosjen e kamerave në kryeqytet

  • E.K /
  • 05 January 2024 - 13:50
Mustafa kundër idesë së Ramës për vendosjen e kamerave në kryeqytet

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka dalë me një reagim lidhur me idenë e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Ramës, i cili paralajmëroi se shumë shpejt në kryeqytet do të vendosen kamera me intelegjencë të lartë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ai i është referuar një shkrimi të ish-Ministrit Dardan Gashi, i cili deklarohet kundër kësaj ideje të Ramës.

Mustafa ka thënë se ide të tillë ka pasur edhe ai me bashkëpunëtorë në vitin 2012, por se pas një vizite në një shtet jo-evropian, ishte bindur se Prishtina nuk ka arsye të vendosë kamera të tilla.

Mustafa ka thënë se është kundër asaj që të vëzhgohet nga kamerat.

“Në vitin 2012 edhe unë dhe bashkëpunëtorët e mi punonim të instalonim kamera në vendet më të frekuentuara të Prishtinës dhe në udhëkryqe. Në ndërkohë me dy bashkëpunëtorë shkova në vizitë në një shtet jo-evropian, i cili ishte dhe është nën tensionin e rrezikut të jashtëm dhe të sigurisë. Na u demonstruan edhe vëzhgimet me kamera në një port të tyre. Për ta veprim i nevojshëm. Por ata nuk i konsideronin problem qytetarët e tyre por agresionin nga jashtë. Mua mu duk se Prishtina nuk ka arsye për këtë. Kur u ktheva ua kumtova bashkëpunëtorëve të mi se ne nuk duhet të bëjmë këtë, sepse nuk kemi të drejtë të mbikëqyrim çdo lëvizje të këmbëve e duarve, hundës e buzëve, e se kush me kënd gjendet në makinë... çdo përshëndetje të burrave e grave, të vajzave e të djemve, sepse mund tu krijojmë probleme, pa e bërë ata asnjë faj. Unë me shkopin tim, në qytetin tim nuk pajtohem të vëzhgohem nga kamerat, sepse shkopin e mbaj për arsye shëndetësore e jo që ta cenoj askënd! “, ka shkruar Mustafa.

(Kosova Sot Online)