Kurti: Rreziqet për sigurinë në Kosovë vijnë nga shtetet jodemokratike si Serbia e Rusia

  • A.P /
  • 12 March 2024 - 23:00
Kurti: Rreziqet për sigurinë në Kosovë vijnë nga shtetet jodemokratike si Serbia e Rusia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se rreziqet për sigurinë në Kosovë nuk vijnë nga dallimet ndër etnike përbrenda, por nga, siç tha, shtetet jodemokratike si Serbia e Rusia, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai i bëri këto komente një ditë pasi agjencitë amerikane të zbulimit publikuan vlerësimin e përvitshëm të kërcënimeve të sigurisë, në të cilin thuhet se Ballkani Perëndimor mund të përballet me një rrezik në rritje të dhunës ndëretnike gjatë vitit 2024.

“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tone, jo vetëm në lindje të Evropës, janë në rrezik për sigurinë dhe paqen por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta dijë askush”, tha kryeministri Kurti.

Ai i bëri këto komente pas përurimit të Qendrës Shtetërore për Siguri Kibernetike në Kosovë, e cila sipas tij, hyn në kuadër të përgatitjeve për ruajtjen e tërësisë tokësore, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve. “Ne e kemi të qartë që fqinji jonë verior është agresiv dhe nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm e assesi të frikësuar”, tha ai.

(Kosova Sot Online)